Qëllimi i atyre që qëndrojnë pas sulmit vdekjeprurës të muajit të kaluar në sallën e koncerteve në Moskë ishte të minonin unitetin e Rusisë, ka deklaruar të enjten presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
“Nuk ka qëllime të tjera të dukshme. Nuk ka”, ka theksuar Putini, raporton AP.
Ai ka thënë se Rusia nuk mund të jetë objektivi i “fundamentalistëve islamikë”, sepse sipas tij ky shtet paraqet “shembull unik të harmonisë dhe unitetit ndërfetar”.
Një degë e grupit të Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në sallën e koncerteve “Crocus City” në Moskë, ku u vranë 145 persona.
Sulmi i 22 marsit ishte më vdekjeprurësi në tokën ruse në dy dekada.
“Qëllimi për ta minuar unitetin e shoqërisë ruse, veçanërisht në kushtet moderne, është sigurisht i dukshëm”, ka thënë presidenti rus.
Ai i bëri këto deklarata në kongresin e Federatës së Sindikatave të Pavarura të Rusisë.