Arbëri

Aparaturat për hemodializë të kërkuara me urgjencë për Nefrologjinë, ende jashtë funksionit

Aparaturat për hemodializë

Ndonëse zëvendësimi i aparaturave të vjetra të hemodializës në Klinikën e Nefrologjisë ishte cilësuar si emergjencë, shumica e pajisjeve të reja nuk janë vënë në funksion. Nga 45 aparatura të blera, sipas burimeve të KOHËS, vetëm tri prej tyre janë instaluar dhe kjo jashtë QKUK-së. Në Klinikën e Nefrologjisë thonë se disa janë instaluar e të tjerat do të instalohen gjatë kësaj jave, por fotot nga sallat ku kryhen këto shërbime tregojnë të kundërtën

Prej 45 aparaturave për hemodializë të blera nga QKUK-ja, vetëm tri janë në funksion dhe ato në një QMF në Prishtinë.

Tenderi i hapur në shkurt të vitit 2025, pos aparaturave, përfshin edhe 45 shtretër për Klinikën e Nefrologjisë.

Në dosjen e tenderit, kjo klinikë ka paraqitur kërkesën si emergjente, me arsyetimin se aparaturat e vjetra duhej të zëvendësoheshin sa më parë, por tash që aparaturat janë dorëzuar, ato nuk janë funksionalizuar.

“Referuar kërkesës së Drejtorisë së Klinikës së Nefrologjisë për blerjen e aparateve të dializës. Sektori i pajisjeve mjekësore, më datë 30.1.2025, e ka bërë kërkesën dhe e ka dorëzuar te ZKA-ja për një kontratë-kornizë për blerjen e 45 copëve aparate dhe karrige për dializë, ku kërkojnë nga Zyra e Prokurimit që sipas mundësive, kjo kërkesë të trajtohet me urgjencë dhe me prioritet, në mënyrë që sa më parë të bëhet blerja dhe zëvendësimi i aparateve të dializës me aparate të reja”, thuhejnë dosjen e tenderit.

Nga 45 aparaturat e blera, 10 janë dërguar në QMF-në në Kodër të Trimave, ku gjithashtu ofrohet shërbimi i hemodializës, por edhe aty vetëm tri janë instaluar. KOHA nuk u lejua të marrë pamje nga brenda QMF-së.

Në një përgjigje nga Drejtoria e Nefrologjisë, si arsyetim për dërgimin e aparaturave në QMF përmenden sallat jashtë funksionit në QKUK, ku Drejtoria thotë se megjithatë janë instaluar disa.

“Një pjesë e aparateve janë instaluar në ‘Kodër të Trimave’, meqë tri salla janë jashtë funksionit në HDI, për shkak të ndërtimit të objektit të ri. Për këtë arsye e kam shtuar edhe një ndërrim, orari në HD II në Kodër të Trimave tani punon nga dy ndërrime, në tri ndërrime. Për këtë arsye një pjesë e aparateve të reja, pasi janë kompletuar me filtera, kanë hyrë në shërbim në HD II. Kurse pjesa tjetër e aparateve janë instaluar në HD I (QKUK), gjithmonë dua ta cek pas testimit paraprak të këtyre aparateve”, thuhet në përgjigjen nga kjo Drejtori.

Sipas përgjigjes nga Klinika e Nefrologjisë, aparatet e tjera deri në fund të javës pritet të futen në funksion, pas testimit paraprak.

Por në fotografitë e siguruara nga KOHA, nga sallat ku jepen shërbimet e hemodializës nuk shihen aparatura të reja. Në to vazhdojnë të jenë në funksion aparaturat e vjetra të firmës “Fresenius Medical Care”, të prodhuara në periudhën 2004–2014.

 

Ndërkaq aparaturat e reja të instaluara në QMF-në në “Kodër të Trimave” janë të firmës “B. Braun”.

KOHA ka insistuar disa herë në QKUK që të japin informata konkrete për numrin e aparaturave të instaluara dhe vendin se ku janë vendosur ato meqë në sallat ku jepen këto shërbime ka pasur aparatura të vjetra. Por, të dhëna të tilla nuk janë ofruar.

Sipas burimeve të KOHËS nga personeli shëndetësor, aparaturat e reja të dorëzuara në QKUK janë të painstaluara dhe të paketuara.

“Janë 23 që pritet të futen në punë, por për momentin nuk po mund t’i vënë në funksion, pasi ende nuk dihet nëse do të dalim krejt nga aty për t’i rinovuar. Nëse vendoset të hapen, ato janë të konservuara dhe mund të aktivizohen brenda 3–4 ditësh. Por problemi është se nuk është mirë të lihen aparaturat të qëndrojnë pa u përdorur, e kështu janë të paketë”, ka thënë një zyrtar shëndetësor.

Po ashtu, sipas operatorëve të tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në tender, aparaturat është dashur të jenë të vitit të prodhimit 2025, pra të vitit kur është hapur tenderi. E burime nga personeli shëndetësor kanë thënë se aparaturat e dorëzuara janë të vitit 2023.

KOHA ka kërkuar sqarime nga QKUK-ja lidhur me vitin e prodhimit të këtyre aparaturave, si edhe për mosinstalimin e tyre, që është në kundërshtim me urgjencën e shfaqur në tender. Por që nga 28 janari nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga kompania fituese “Medihealth”, që është përgjegjëse edhe për instalimin.

Tenderi me vlerë 843 mijë e 750 euro, vitin e shkuar është hetuar nga Prokuroria Themelore me dyshimin për falsifikim dokumentesh në këtë proces.

“Medihealth” ishte shpallur fitues në gusht, mirëpo pas ankesave të operatorëve të tjerë ekonomikë në OSHP, procesi mbeti i bllokuar deri në dhjetor 2025.