Botë

Protestat propalestineze në kampuset universitare në SHBA, USC anulon ceremoninë e diplomimit

Protesta ne Universitet te Atlantas

Foto: Associated Press

Universiteti i Kalifornisë Jugore (USC) ka anuluar të enjten ceremoninë kryesore të diplomimit, ndërsa zyrtarët e kolegjeve nëpër SHBA janë të shqetësuar se protestat në kampuset universitare kundër luftës Izrael – Hamas mund të çrregullojnë tërë ceremonitë e diplomimit të parapara në maj, raporton agjencia “AP”. 

Disa universitete e kanë ftuar policinë për t’i shpartalluar këto protesta, duke rezultuar në përleshje të shëmtuara dhe dhjetëra arrestime, ndërsa disa tjera po presin që studentët t’i ndalin protestat, ndërsa po kalojnë ditët e fundit të semestrit. 

Universiteti i Kaliformisë Jugore ka njoftuar anulimin e ceremonisë kryesore të diplomimit të paraparë për 10 maj, një ditë pasi më tepër se 90 protestues u arrestuan në kampusin universitar. Universiteti ka thënë se do të mbajë disa dhjetëra ngjarje diplomimi, përfshirë edhe ato tradicionale ku studentët marrin diplomat e tyre. 

Tensionet ishin rritur pasi universiteti anuloi një fjalim të planifikuar të nxënësit me notat më të larta e që është propalestinez. Ishin cekur shqetësimet e sigurisë. 

“Ne e kuptojmë se kjo është dëshpëruese, mirëpo, ne po shtojmë shumë aktivitete të reja dhe festime për të bërë këtë ceremoni diplomimi për t’u mbajtur në mend”, ka thënë universiteti të enjte. 

Departamenti i Policisë së Los Angelesit ka thënë se më tepër se 90 persona janë arrestuar të mërkurën mbrëma gjatë protestës në kampus. Një person u arrestua për sulm me një armë vdekjeprurëse. 

Në Kolegjin Emerson në Boston, 108 persona u arrestuan gjatë natës. 93 persona tjerë u arrestuan të mërkurën mbrëma në Universitetin e Kalifornisë Jugore. 
Protestat po vazhdojnë. 

Studentët po protestojnë kundër luftës, po kërkojnë që shkollat të ndërpresin lidhjet financiare me Izraelin dhe të largohen nga kompanitë që mundësojnë konfliktin. Disa studentë hebraikë thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm dhe i kanë bërë ata që të kenë frikë të shkelin në kampus universitar. 

Në Universitetin Emory në Atlanta, ka pasur një përplasje mes protestuesve dhe policisë. Universiteti ka thënë se protestuesit nuk ishin studentë por aktivistë të jashtëm. Zyrtarët policorë po mbanin armë gjysmëautomatike, e në një video shihen zyrtarët duke përdorur edhe elektroshok. 
Të paktën 17 persona janë arrestuar. 

Vala aktuale e protestave u frymëzua nga ngjarjet në Univesitetin e Columbias në New York, ku policia pastroi një kamp dhe arrestoi më shumë se 100 persona javën e kaluar, por studentët ngritën sërish tendat në një zonë ku pritet që për pak javë studentët të marrin diplomat në prani të familjarëve të tyre. Columbia ka thënë se planifikon t’i vazhdojë negociatat me protestuesit deri të premten.