Botë

Presidenti sirian bën thirrje për respektim të armëpushimit në Sweida

Ahmad al-Sharaa

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, u bëri thirrje fiseve beduine që të angazhohen plotësisht ndaj armëpushimit të arritur të mërkurën, i cili synon t’i japë fund përleshjeve të përgjakshme mes milicive druze dhe fiseve sunite beduine në provincën jugore të Sweidës, raporton AP.

Në një deklaratë të gjatë drejtuar kombit, al-Sharaa theksoi se “ngjarjet e fundit në provincën Sweida kanë shënuar një pikë kthese të rrezikshme në peizazhin e sigurisë dhe politikës në Siri”.

Ai shtoi se konflikti është përshkallëzuar mes “grupeve të paligjshme në njërën anë dhe komuniteteve beduine në anën tjetër, duke çuar në një përkeqësim të paprecedentë të situatës”.

Presidenti theksoi se ndërhyrja e shtetit sirian kishte qenë vendimtare për të qetësuar situatën, “pavarësisht rrethanave të vështira”, por akuzoi gjithashtu Izraelin për ringjalljen e tensioneve.

“Ndërhyrja izraelite e shtyu vendin në një fazë të rrezikshme, duke kërcënuar stabilitetin e tij përmes bombardimeve të hapura në jug dhe mbi institucionet qeveritare në Damask”, ka thënë ai.

Al-Sharaa paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për të ndezur tensione sektare dhe theksoi domosdoshmërinë për të ndalur diskursin e hakmarrjes dhe përçarjes.

“Shteti sirian, në përputhje me përgjegjësitë e tij kombëtare, do të qëndrojë me të gjithë forcën dhe kapacitetet e tij përkrah çdo përpjekjeje që kontribuon në pajtim, në përkushtimin e tij ndaj paqes civile, unitetit shoqëror dhe stabilitetit”, shtoi ai.

Ai kërkoi që komuniteti druz të mos gjykohet në tërësi për shkak të veprimeve të një pakice.

“Sweida ka qenë gjithmonë, dhe vazhdon të jetë, pjesë përbërëse e shtetit sirian, dhe druzët janë një shtyllë themelore e strukturës kombëtare siriane. Çdo përpjekje për të përçarë unitetin e popullit sirian apo për të përjashtuar ndonjë pjesë të tij përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit të vendit”, ka thënë al-Sharaa.

Në vijim, ai theksoi angazhimin e shtetit për të mbrojtur të gjitha pakicat dhe sektet në vend, si dhe për të ndëshkuar shkelësit pa dallim.

Në fund të fjalës së tij, al-Sharaa vlerësoi mbështetjen ndërkombëtare.

“E falënderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht rolin e rëndësishëm që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës në konfirmimin e mbështetjes së tyre për Sirinë gjatë këtyre kohëve të vështira dhe përkushtimin ndaj stabilitetit dhe rindërtimit të vendit. Nuk mund të anashkalojmë gjithashtu rolin e vendeve arabe që kanë ofruar ndihmë efektive gjatë kësaj faze, si dhe Turqinë, e cila ka qenë pjesë e përpjekjeve rajonale për të promovuar stabilitetin dhe shtensionimin. Po ashtu, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kina kanë mbajtur qëndrime të forta në dënimin e bombardimeve izraelite dhe shkeljeve të përsëritura të sovranitetit sirian”, përfundoi presidenti sirian.