Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë të martën se ka marrë garanci nga SHBA-ja se Washingtoni nuk do ta zvogëlojë prezencën e trupave të tij në Poloni dhe kudo përgjatë krahut lindor të NATO-s.
Administrata e presidentit Donald Trump nuk ka njoftuar për ndonjë plan për tërheqje të trupave nga rajoni, po ka thënë se Evropa duhet të bëjë më shumë për të forcuar sigurinë e saj. Qëndrimi i administratës së tij ka ngrehur pyetje në rajon nëse Washingtoni do t’i mbajë angazhimet ndaj partnerëve të NATO-s.
“Nuk ka shqetësime se SHBA-ja do të zvogëlojë nivelin e prezencës së saj në shtetin tonë, se SHBA-ja në çfarëdo mënyrë do të tërhiqet nga përgjegjësia e saj ose bashkëpërgjegjësia për sigurinë e kësaj pjese të Evropës”, ka thënë Duda në Varshavë.
Duda ka theksuar se deklaratat e tij bazohen në bisedimet që ka pasur ditët e fundit me Keith Kellogg, emisarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.
SHBA-ja ka dërguar trupa në Poloni pasi Rusia aneksoi Krimenë më 2014, por e rriti numrin e trupave dhe krijoi prezencë afatgjatë atje pas pushtimit rus të Ukrainës më 2022.
-
Trumpi njofton se SHBA-ja do të dërgojë 5 mijë trupa në Poloni
-
Zyrtari më i lartë i NATO-s nuk pret tërheqje shtesë të trupave amerikane nga Evropa
-
SHBA-ja po tërheq një pjesë të trupave nga krahu lindor i NATO-s
-
Tusk: Traktati i ri Britani-Poloni do të përqendrohet në mbrojtjen kundër Rusisë
-
SHBA-ja po planifikon të zvogëlojë forcat në dispozicion të NATO-s në rast të krizave