Polonia ka aktivizuar mbrojtjen e saj ajrore dhe të NATO-s për të rrëzuar dronë në hapësirën e saj ajrore të mërkurën, pas një sulmi ajror rus ndaj Ukrainës, duke shënuar herën e parë që Varshava përfshihet në luftën e vendit të saj fqinj.

Polonia e ka quajtur shkeljen një akt agresioni.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë se operacionet janë duke vazhduar dhe se ai është në "kontakt të vazhdueshëm" me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte. 

Tusk ka thirrur një takim urgjent të këshillit të ministrave në orën 8:00 të mëngjesit, ka bërë të ditur një zëdhënës i qeverisë.

Komanda ushtarake e Polonisë ka thënë se dronët shkelën vazhdimisht hapësirën ajrore polake gjatë sulmit rus përtej kufirit, në Ukrainën perëndimore, raporton Reuters.

Radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte dhe ato që mund të përbënin një kërcënim u "neutralizuan", ka thënë komanda.

"Disa nga dronët që hynë në hapësirën tonë ajrore u rrëzuan. Kërkimet dhe përpjekjet për të gjetur vendet e mundshme të rrëzimit të këtyre objekteve janë duke vazhduar", ka thënë ajo në një deklaratë.

Aeroporti Chopin në Varshavë, më i madhi i vendit, njoftoi se hapësira e tij ajrore është mbyllur për shkak të veprimeve ushtarake.

Pjesa më e madhe e Ukrainës, duke përfshirë rajonet perëndimore të Volyn dhe Lviv që kufizohen me Poloninë, kanë qenë nën alarme për sulme ajrore për pothuajse gjithë natën, sipas forcave ajrore të Ukrainës.

Ndërkohë, disa prej vendeve anëtare të NATO-s të cilat ndodhet afër kufirit me Rusinë kanë lëshuar deklarata duke shprehur solidaritet dhe shqetësime.

Rusia mohon se dronët e saj kanë shkelur hapësirën ajrore polake

11 min. më parë / 10 sht 2025 11:11
Rusia

Photo: Associated Press

I ngarkuari i përkohshëm me punë i Rusisë në Poloni, Andrey Ordash, i ka hedhur poshtë pretendimet se dronët rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore polake.

"Ne besojmë se pretendimet janë të pabaza. Nuk ka pasur prova se këta dronë janë me origjinë ruse", i ka thënë Ordash agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se është thirrur në ministrinë e Jashtme polake.

Polonia kërkon të aktivizohet Neni 4 i NATO-s

21 min. më parë / 10 sht 2025 11:02
Polonia

Photo: Associated Press

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore të shtetit të tij nga një numër i madh dronësh rusë, është provokim i pakrahasueshëm dhe i rrëzikshëm.

Duke folur para deputetëve në Parlament, Tusk ka thënë se Polonia ka kërkuar të thirrej në Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili u lejon vendeve anëtare të ngrenë një çështje në Këshillin e Atlantikut të Veriut (organi kryesor vendimmarrës politik i NATO-s).

Më pas mbahen konsultime për të përcaktuar nëse integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e një vendi anëtar është kërcënuar. 

Tusku thotë se pret mbështetje më të madhe gjatë këtyre konsultimeve.

“Kjo nuk është vetëm një luftë për ukrainasit. Ky është një përballje që Rusia ka shpallur kundër të gjithë botës së lirë”, ka thënë ai.

Tusk: 19 ndërhyrje me dronë në hapësirën ajrore polake gjatë natës

36 min. më parë / 10 sht 2025 10:47
Donald Tusk

Photo: Associated Press

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë të mërkurën se ushtria polake ka regjistruar 19 ndërhyrje me dronë në hapësirën ajrore të vendit gjatë natës.

Duke folur para parlamentit polak, Tusk ka thënë se tre ose ndoshta katër dronë janë rrëzuar nga avionë polakë dhe të NATO-s që u ngritën në ajër për t'u përballur me kërcënimin.

Tusku ka thënë po ashtu se një numër i konsiderueshëm dronësh fluturuan në vend nga Bjellorusia.

Rusia nuk ka komentuar ende shkeljen e hapësirës ajrore të vendit anëtar të NATO-s teksa veprimi ka ngjallur reagimin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, aleati i Rusisë, Bjellorusia ka thënë se dronët e kishin humbur rrugën.

E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se veprimi shënon precedent të rrezikshëm për Evropën.

Bjellorusia pretendon se dronët rusë në Poloni “kanë humbur rrugën”

59 min. më parë / 10 sht 2025 10:23
Bjellorusia

Photo: Associated Press

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë, Pavel Muravyeika, ka thënë se hyrja e dronëve rusë në hapësirën polake ka qenë aksidentale, pasi sistemet e tyre të navigimit u bllokuan.

Në një video në kanalin zyrtar të ministrisë së Mbrojtjes në Telegram, ai pretendon se dronët "kanë humbur rrugën" dhe se vetë Bjellorusia kishte qëlluar disa mbi territorin e saj.

Bjellorusia është një diktaturë e cila strehon raketa ruse. 

Trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë në vitin 2022 përmes territorit të saj.

Lidhjet e saj me Moskën janë shumë të ngushta.

Ndërkohë, nuk ka ende reagim të drejtëpërdrejt nga Rusia në lidhjen me rastin, i cili ka ngjallur reagimin e vendeve anëtare të NATO-s.

Macroni e quan “të papranueshme” shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia

1 o. më parë / 10 sht 2025 10:14
Emmanuel Macron

Photo: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore, është e papranueshme. 

Macroni ka thënë se së shpejti do të zhvillonte një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

“Ne nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e aleatëve tanë”, ka shkruar Macroni në X.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se tetë dronë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Polonisë të mërkurën.

Sipas tij, kjo shënon një precedent të rrezikshëm për Evropën. 

Kallas e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

1 o. më parë / 10 sht 2025 09:47
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se teguesit e hershëm sugjerojnë se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore evropiane ishte e qëllimshme, jo aksidentale.

Ajo ka shkruar të mërkurën në X se lufta e Rusisë po vazhdon të përshkallëzohet. 

“Ne duhet të rrisim koston për Moskën, të forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen e Evropës. BE-ja luan një rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa si linja mbrojtëse e kufirit lindor”, ka shkruar Kallas.

Ajo e ka përshkruar sulmin rus, ku dronët hynë në hapësirën ajrore polake, si "shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës".

Kallas ka shtuar se është në kontakt me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe zëvendëskryeministrin e Polonisë, Radosłaë Sikorski. 

“BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë", ka thënë Kallas.

NATO-ja mblidhet sot, diskuton shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia

1 o. më parë / 10 sht 2025 09:39
NATO

Photo: Associated Press

NATO-ja do të diskutojë dronët që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë gjatë një takimi të rregullt të mërkurën.

Këshilli i Atlantikut të Veriut (NATO) do të mblidhet të mërkurën në mëngjes për një seancë të rregullt dhe do të diskutojë se si iu përgjigj NATO dronëve që hynë në Poloni gjatë natës, ka bërë të ditur zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se dhjetëra dronë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit të tij, të mërkurën.

Ndaj veprimit kanë reaguar edhe vendet baltike dhe nordike.

Ndërkohë, nuk ka ende një përgjigje nga Moska se si ka ndodhur kjo.

Droni rus dëmton një ndërtesë banimi në Poloni

1 o. më parë / 10 sht 2025 09:33
Poloni

Mediat polake kanë raportuar se një nga dronët rusë të cilët kanë shkelur të mërkurën hapësirën ajrore të Polonisë, ka dëmtuar një shtëpi në Wyryki. 

Incidenti ka ndodhur gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës. Sipas ushtrisë polake, dhjetëra dronë kanë shkelur hapësirën ajrore. 

Polonia shtrihet në perëndim të vendit të sulmuar nga Rusia.

Fotot e publikuara dyshohet se tregojnë shtëpinë e dëmtuar, çatinë e saj të shkatërruar dhe pjesë të murit që janë shembur mbi një veturë të parkuar. Zëvendësshefi i policisë së rajonit e ka konfirmuar incidentin për transmetuesin Polsat. Nuk pati të lënduar.

Kryetari i bashkisë së Qarkut Włodawa, Mariusz Zańko, ka thënë se ende nuk dihet nëse vetë droni ka rënë mbi ndërtesë dhe ka dëmtuar çatinë dhe tavanin, apo nëse ishin mbeturina nga droni

Megjithatë, ai raportoi se banorët kishin raportuar një shpërthim.

BE-ja duhet të zhvillojë një "mur dronësh" në kufirin lindor, thotë zyrtari i saj i lartë

1 o. më parë / 10 sht 2025 09:24
Polonia

Photo: Associated Press

Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një "mur dronësh" përgjatë krahut lindor të kufijve të tij të përbashkët, ka thënë të mërkurën komisioneri i mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius.

Deklarata e tij vjen pak pasi Polonia rrëzoi dronë që hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore.

"Edhe një herë Rusia po teston shtetet kufitare, BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Kubilius në një postim në platformën e mediave sociale X.

“Ne do të punojmë së bashku me shtetet anëtare, vendet kufitare dhe Ukrainën. Rusia do të ndalet”, ka shtuar ai. 

Tusk: Hapësira ajrore polake u shkel nga një numër i madh dronësh rusë

2 o. më parë / 10 sht 2025 09:07
Donald Tusk

Photo: Associated Press

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se hapësira ajrore polake është shkelur nga një numër i madh dronësh rusë të mërkurën.

Tusk ka shkruar në X se dronët përbënin një kërcënim të drejtëpërdrejtë për vendin e tij.

“Mbrëmë hapësira ajrore polake u shkel nga një numër i madh dronësh rusë. Ato dronë që përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë u rrëzuan. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe aleatët tanë”, është shprehur Tusk.

Ndaj veprimit kanë reaguar edhe disa prej shteteve baltike dhe nordike, të cilat janë shprehur të alarmuara.

E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kjo përbën një precedent të rrezikshëm për Evropën.

Zelensky: “Shahedët” iraniano-rusë operuan në hapësirën ajrore të NATO-s

2 o. më parë / 10 sht 2025 08:58
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas rrëzimit të dronëvre rusë në hapësirën ajrore të Polonisë, duke thënë se sulmet ndaj vendit të tij tregojnë se Moska vazhdon të "shtyjë kufijtë e saj aq sa është e mundur".

"Moska gjithmonë shtyn kufijtë e asaj që është e mundur, dhe nëse nuk has një reagim të fortë, ajo mbetet në nivelin e ri të përshkallëzimit", ka shtuar Zelensky.

Zelensky ka thënë se sulmet "masive" kanë vrarë një person në rajonin e Zhytomyr dhe kanë plagosur tre të tjerë në Volochysk.

“Pesëmbëdhjetë rajone janë shënjestruar gjatë natës në një sulm që përfshinte 415 dronë të llojeve të ndryshme dhe më shumë se 40 raketa kruiz dhe balistike", ka thënë Zelensky.

Sipas tij, dronët iraniano-rusë e kanë shkelur hapësirën ajrore të NATO-s.

"Sot pati një hap tjetër të përshkallëzimit. ‘Shahedët' ruso-iranianë operuan në hapësirën ajrore të Polonisë, në hapësirën ajrore të NATO-s. Nuk ishte vetëm një 'shahed' që mund të quhej aksident, por të paktën tetë dronë sulmues të drejtuar drejt Polonisë”, ka thënë po ashtu presidenti ukrainas. 

Krejt çka dihet për rrëzimin e dronëve rusë në Poloni

2 o. më parë / 10 sht 2025 08:50
Poloni

Photo: Associated Press

Polonia thotë se ka rrëzuar objekte të ngjashme me dronë që kanë shkelur hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës.

Kjo shënon herën e parë që një anëtar i aleancës ushtarake të NATO-s ka angazhuar mbrojtjen e saj kundrejt sulmeve ruse në hapësirën e saj ajrore që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki së shpejti do të kryesojë një takim informues për Sigurinë Kombëtare me zyrtarët kryesorë.

Kryeministri polak, Donald Tusk hotë se operacioni është "në vazhdim" dhe se është në kontakt me shefin e NATO-s. Ai gjithashtu do të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm të kabinetit pas një ore.

Ushtria polake thotë se incidenti është një "shkelje e paparë e hapësirës ajrore polake", një "akt agresioni që përbën një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë".

Qytetarëve në tri rajone përgjatë kufirit me Ukrainën, përfshirë Mazowieckie ku ndodhet kryeqyteti Varshava, u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të strehohen.

Operacionet në katër aeroporte janë ndaluar gjithashtu, teksa edhe aeroporti kryesor ajror i vendit, Chopin, në Varshavë, thotë se hapësira ajrore mbi vendin është mbyllur.

Alarmohen shtetet baltike dhe nordike pas rrëzimit të dronëve rusë në Poloni

2 o. më parë / 10 sht 2025 08:42
Polonia

Photo: Associated Press

Disa prej vendeve anëtare të NATO-s të cilat ndodhet afër kufirit me Rusinë kanë lëshuar deklarata duke shprehur solidaritet dhe shqetësime, pas njoftimit se mbrojtja ajrore e Polonisë ka rrëzuar të mërkurën disa dronë rusë në hapësirën e saj ajrore.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore polake nga Rusia është e papranueshme.

"Lufta ruse kundër Ukrainës përbën një kërcënim për sigurinë e të gjithë Evropës. Polonia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj ajrore. Ne i japim mbështetjen tonë të plotë Polonisë, si një aleat i NATO-s dhe anëtar i BE-së. Suedia dhe Polonia qëndrojnë të bashkuara në mbështetjen tonë për Ukrainën", ka thënë Kristersson.

Presidenti letonez Edgars Rinkēvičs ka postuar në X për të shprehur "mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë" me Poloninë dhe aleatët e saj.

Ai ka thënë se "agresioni rus në Ukrainë na prek drejtpërdrejt dhe duhet të merren masa të përshtatshme".

E ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, e ka quajtur gjithashtu veprimin e Rusisë "thellësisht shqetësues dhe plotësisht të papranueshëm", duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Norvegjisë për Poloninë dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë evropiane.