Botë

Plani i Netanyahut për zhvendosjen e palestinezëve

Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë një ditë më herët për transmetuesin “i24News”, se në qoftë se palestinezët duan që të largohen nga Rripi i Gazës si pasojë e ofensivës së re ushtarake, atëherë Izraeli është i gatshëm t’ua ofrojë atyre mundësinë. Ndërkaq, përpjekjet për armëpushim duken ende larg horizontit, pavarësisht përpjekjeve të Egjiptit dhe Katarit për të ringjallur procesin negociator

Të shtënat e ushtrisë izraelite kanë lënë të vrarë të paktën 25 persona që po prisnin për ndihmat humanitare në Rripin e Gazës të mërkurën, sipas zyrtarëve shëndetësorë dhe dëshmitarëve të rastit, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli do t’i “lejojë” palestinezët të largohen gjatë ofensivës së ardhshme ushtarake në disa nga zonat më të populluara të territorit.

Netanyahu ka për qëllim të realizojë vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump, për zhvendosjen e pjesës më të madhe të popullsisë së Gazës, që tejkalon 2 milionë banorë, përmes asaj që ai e përshkruan si “migrim vullnetar” — ide që është cilësuar nga kritikët si formë e spastrimit etnik.

“U jepni mundësinë të largohen! Së pari nga zonat e luftimeve, dhe gjithashtu nga Rripi [i Gazës], nëse duan”, ka thënë Netanyahu në një intervistë të transmetuar të martën në televizionin izraelit “i24”, tek ka folur për ofensivën e planifikuar në zona që përfshijnë edhe qytetin e Gazës, ku qindra mijëra të zhvendosur janë strehuar.

“Ne nuk po i dëbojmë ata, por po ua japim mundësinë të largohen”, ka shtuar ai.

Dëshmitarët okularë dhe stafi shëndetësor në spitalet Nasser dhe Awda, të cilat pranuan trupat e viktimave, kanë bërë të ditur se njerëzit u qëlluan teksa ishin në rrugë drejt pikave të shpërndarjes së ndihmave ose përderisa po prisnin autokolonat humanitare që po hynin në Gazë.

Përpjekjet për të ringjallur bisedimet për armëpushim

Përpjekjet për të ringjallur bisedimet për armëpushim kanë rifilluar pasi ato duket se kishin dështuar muajin e kaluar. Në grupin militant palestinez, Hamas, kanë njoftuar se delegacioni i tyre është takuar të mërkurën me zyrtarët e lartë të Egjiptit.

Zyra e kryeministrit izraelit ka bërë të ditur se Izraeli nuk ka plane të dërgojë ekipin e tij negociator në bisedimet që pritet të rifillojnë në Kajro.

Planet e Izraelit për të zgjeruar ofensivën ushtarake në pjesët e Gazës që ende nuk i kontrollon, kanë nxitur kritika si brenda ashtu edhe jashtë vendit, teksa kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj Hamasit për të arritur marrëveshjen e armëpushimit.

Militantët vazhdojnë të mbajnë peng 50 persona të kapur gjatë sulmit të 7 tetorit të 2023-tës, që shkaktoi njëkohësisht shpërthimin e luftës.

Autoritetet izraelite kanë pretenduar se rreth 20 prej tyre janë ende të gjallë. Familjarët e pengjeve kanë frikë se ofensiva e re i rrezikon ata edhe më shumë.

Kur u pyet nga “i24 News” nëse dritarja për marrëveshje të pjesshme të armëpushimit ishte e mbyllur, Netanyahu është shprehur se dëshiron kthimin e të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, ka thënë para gazetarëve se Kajro zyrtar po vazhdon përpjekjet për të avancuar propozimin e mëparshëm që në vetvete ngërthen armëpushimin 60-ditor, lirimin e disa pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare, përpara se të zhvillohen bisedime të mëtejshme për armëpushim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Zyrtarët e Hamasit kanë deklaruar se do të lirojnë pengjet e mbetura vetëm në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, armëpushimit të përhershëm dhe tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës. Po ashtu, grupi militant ka refuzuar të çarmatoset.

Sudani i Jugut mohon bisedimet për zhvendosjen e palestinezëve

Agjencia e lajmeve “Associated Press” kishte raportuar të martën se Izraeli dhe Sudani i Jugut janë në bisedime për zhvendosjen e palestinezëve në këtë vend të Afrikës Lindore.

Zyra e zëvendësministres së Jashtme izraelite, Sharren Haskel, ka njoftuar se ajo ka mbërritur në Sudanin e Jugut për takime, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Qeverisë izraelite në këtë vend, mirëpo ajo nuk e ka në plan që ta diskutojë çështjen e zhvendosjes së palestinezëve.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sudanit Jugor, përmes një deklarate zyrtare, i kanë kualifikuar si të pabaza raportimet se po zhvillohen bisedime me Izraelin për zhvendosjen e palestinezëve.

“Associated Press” pati raportuar disa muaj më parë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u janë drejtuar zyrtarëve të tri qeverive të Afrikës Lindore për të diskutuar rreth përdorimit të territoreve të tyre si lokacione të mundshme për palestinezët e zhvendosur nga Rripi i Gazës.