Botë

Plani i NATO-s për mbështetjen ushtarake për Ukrainën

NATO

Ministrat e Jashtëm të shteteve të NATO-s kanë nisur të mërkurën takimin në Bruksel me debatin mbi mbështetjen ushtarake për Ukrainën, pasi trupat ruse po fitojnë kontrollin në fushën e betejës. Sekretari i Përgjithshëm i aleancës së NATO-s, Jens Stoltenberg, është kryesues i takimit dyditor në Bruksel.

Plani është që NATO-ja ta koordinojë punën e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës – forum prej rreth 50 vendesh e që është mbledhur rregullisht gjatë luftës për të siguruar armë dhe municione për Ukrainën – në vend të komandës evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa masa nuk parasheh që NATO-ja t’i ofrojë drejtpërdrejt armë Ukrainës. Si një organizatë me 32 anëtarë që funksionon me konsensus, aleatët pranojnë të dërgojnë vetëm ndihma jovdekjeprurëse si pajisje për çminim, karburant dhe furnizime mjekësore. Kjo do të shënonte fazë të re në përfshirjen e saj në luftë.

NATO-ja po mundohet të bëjë më shumë për Ukrainën, veçanërisht tani kur Rusia ka avantazh ushtarak, por anëtarët e aleancës nuk janë të gatshëm t’i ofrojnë vendit garancinë përfundimtare të sigurisë: anëtarësimin. Ata as nuk duan të zhyten në një luftë më të gjerë me një fuqi ushtarake bërthamore si Rusia.

Sipas planit të ri, i cili pritet të miratohet nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe homologët e tij në samitin e ardhshëm në Washington në muajin korrik, NATO-ja do ta koordinojë anën ushtarake të Ukrainës, duke vlerësuar nevojat e Ukrainës, duke siguruar përkrahje dhe duke zhvilluar takime.