Presidenti amerikan, Donald Trump, ia ka dhënë presidentit të përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, disa kërkesa, gjatë takimit që kanë pasur të mërkurën në Riad të Arabisë Saudite.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se Trumpi ia ka dhënë Sharaas pesë kërkesa gjatë takimit:
Të nënshkruajë Marrëveshjen e Abrahamit për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.
T’i përzë të gjithë terroristët e huaj.
Konkretisht, Trumpi ka veçuar “terroristët palestinezë” për dëbim.
Të ndihmohen Shtetet e Bashkuara në ndalimin e ringjalljes së të ashtuquajturit grupi Shteti Islamik
Të merret përgjegjësia për qendrat e paraburgimit që lidhen me grupin në Sirinë verilindore.
Takimi Trump-Al-Sharaa po konsiderohet historik, për shkak se është hera e parë që nga viti 2000 që takohen liderët e dy vendeve.
Trumpi ka njoftuar një ditë më parë po ashtu në Riad se do të heqë të gjitha sanksionet ndaj Sirisë, duke thënë se kjo do t’u jepte mundësi sirianëve “që të shkëlqejnë” pas vitesh luftë.
Siria ishte caktuar nga SHBA-ja si një shtet sponsorizues i terrorizmit që nga viti 1979, kur babai i diktatorit të rrëzuar Bashar al-Assad, Hafez al-Assad, ishte president.
Sanksione dhe kufizime të mëtejshme ishin vendosur ndaj Sirisë në vitin 2003.
Pas fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011, qeveria amerikane kishte shtuar sanksionet, në një përpjekje për të privuar regjimin nga burimet që i nevojiteshin "për të vazhduar dhunën kundër civilëve dhe për të bërë presion ndaj regjimit sirian për të lejuar një tranzicion demokratik".
Sanksionet ngrinë asetet dhe interesat në pronë në SHBA të zyrtarëve sirianë, përfshirë Bashar al-Assadit, si dhe investimet në Siri ose eksportimin e mallrave atje nga qytetarët amerikanë.
Benzina me origjinë siriane gjithashtu nuk mund të importohej në SHBA.
Trumpi ka deklaruar të martën në një forum të investimeve, e po ashtu të mërkurën në një takim të Këshillit të shteteve të Gjirit, të dyja të mbajtura në Riad të Arabisë Saudite.
