Botë

Pas Venezuelës kush e ka radhën? Trumpi nxit spekulime për planet e tij për Grenlandën, Kubën dhe Kolumbinë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Një ditë pas operacionit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, presidenti amerikan Donald Trump të dielën përsëriti thirrjet që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën – territor ky danez – për hir të interesave të sigurisë së SHBA-së, dhe kërcënoi me veprim ushtarak ndaj Kolumbisë duke pretenduar se po lehtëson shitjen e kokainës, ndërsa diplomati i tij kryesor deklaroi se qeveria komuniste në Kubë është “në shumë telashe”, raporton agjencia "AP". 

Komentet e Trumpit dhe të sekretarit të Shtetit Marco Rubio pas kapjes së Nicolas Maduros në Venezuelë nënvizojnë se administrata amerikane është serioze për të marrë një rol më të gjerë në Hemisferën Perëndimore. Në operacion u arrestua Maduro dhe bashkëshortja e tij, ndërsa ata do to dhe bashkëshortja e tij, ndërsa ata do të gjykohen në SHBA për narkoterrorizëm. 

Me kërcënime pak të maskuara, Trumpi po trondit miq dhe armiq, duke nxitur një pyetje të drejtpërdrejtë në mbarë globin: Kush vjen më pas?

“Është kaq strategjike tani. Grenlanda është e mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo,” u tha Trump gazetarëve ndërsa po kthehej me avion nga Florida drejt Washingtonit. “Na duhet Grenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë.”
I pyetur gjatë një interviste për The Atlantic më herët të dielën se çfarë mund të paralajmërojë veprimi ushtarak i SHBA-së në Venezuelë për Grenlandën, Trump u përgjigj: “Ata do të duhet ta shohin vetë. Vërtet nuk e di.”

Trump, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të administratës së tij të publikuar muajin e kaluar, ka përcaktuar rikthimin e “epërsisë amerikane në Hemisferën Perëndimore” si një pikë orientuese qendrore për mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Trump i është referuar gjithashtu Doktrinës Monroe të shekullit XIX, e cila kundërshton kolonializmin evropian, si edhe Korolarit të Rooseveltit — një justifikim i përdorur nga SHBA-ja për të mbështetur shkëputjen e Panamasë nga Kolumbia, që ndihmoi në sigurimin e zonës së Kanalit të Panamasë për SHBA-në — ndërsa ka argumentuar për një qasje më të ashpër ndaj fqinjëve amerikanë dhe më gjerë.
Trump madje ka bërë shaka se disa tani i referohen dokumentit themelor të presidentit të pestë të SHBA-së si “Doktrina Don-roe”.

Shqetësime në Danimarkë

Operacioni i forcave amerikane në orët e para të së shtunës në Karakas dhe komentet e Trumpit të dielën shtuan shqetësimet në Danimarkë, e cila ka juridiksion mbi Grenlandën - ishullin e madh dhe të pasur me minerale.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi se Trump “nuk ka asnjë të drejtë ta aneksojë” territorin. Ajo gjithashtu i kujtoi Trumpit se Danimarka tashmë i ofron Shteteve të Bashkuara, një aleat dhe anëtar i NATO-s, akses të gjerë në Grenlandë përmes marrëveshjeve ekzistuese të sigurisë.
“Prandaj do t’i bëja thirrje fuqishëm SHBA-së të ndalojë së kërcënuari një aleat historikisht të afërt dhe një vend e popull tjetër që e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë për shitje,” tha Frederiksen.
Danimarka të dielën iu bashkua gjithashtu një deklarate të Bashkimit Evropian që thekson se “e drejta e popullit venezuelan për të përcaktuar të ardhmen e tij duhet të respektohet”, ndërsa Trump ka premtuar ta “drejtojë” Venezuelën dhe i ka bërë presion presidentes në detyrë, Delcy Rodriguez.

Postimi në rrjetet sociale zemëron danezët

Trumpi të dielën talli përpjekjet e Danimarkës për ta forcuar qëndrimin e sigurisë kombëtare të Grenlandës, duke thënë se danezët kanë shtuar “edhe një slitë me qen” në arsenalin e territorit arktik.
Grenlandezët dhe danezët u zemëruan edhe më tej nga një postim në rrjetet sociale, i bërë nga një ish-zyrtare e administratës Trump e kthyer në podkastere, Katie Miller. Postimi tregon një hartë të ilustruar të Grenlandës në ngjyrat e Flamurit Amerikan, e shoqëruar me mbishkrimin: “SË SHPEJTI.”

“Dhe po, ne presim respekt të plotë për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”, shkroi ambasadori Jesper Moller Sorensen, i dërguari kryesor i Danimarkës në Washington, në një postim që i përgjigjej Millerit, e cila është e martuar me zëvendësshefin me ndikim të stafit të Trumpit, Stephen Miller.

Gjatë tranzicionit presidencial dhe në muajt e parë të rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka bërë vazhdimisht thirrje që SHBA-ja të ketë juridiksion mbi Grenlandën dhe nuk ka përjashtuar haptazi përdorimin e forcës ushtarake për ta marrë kontrollin e ishullit arktik të pasur me minerale dhe me rëndësi strategjike, i cili i përket një aleati.

Çështja kishte dalë kryesisht nga titujt e mediave muajt e fundit. Më pas Trump e riktheu vëmendjen te Grenlanda më pak se dy javë më parë, kur tha se do të emëronte guvernatorin republikan Jeff Landry si të dërguarin e tij special për Grenlandën.

Guvernatori i Luizianës tha se, në këtë rol vullnetar, ai do ta ndihmonte Trumpin “ta bëjë Grenlandën pjesë të SHBA-së”.

Një paralajmërim i ashpër për Kubën

Ndërkohë, shqetësimi po rritet edhe në Kubë, një nga aleatët dhe partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Venezuelës, pasi sekretari amerikan i shtetit Rubio lëshoi një paralajmërim të ri të ashpër ndaj qeverisë kubane. Marrëdhëniet SHBA–Kubë kanë qenë armiqësore që nga revolucioni kuban i vitit 1959.

Rubio, në një paraqitje në emisionin e NBC-së “Meet the Press”, tha se zyrtarë kubanë ndodheshin me Maduron në Venezuelë përpara kapjes së tij.

“Ishin kubanët ata që e ruanin Maduron”, tha Rubio. “Ai nuk ruhej nga truprojat venezuelanë. Ai kishte truproja kubanë’. 

Rubio shtoi se truprojat kubane ishin gjithashtu përgjegjëse për “inteligjencën e brendshme” në qeverinë e Maduros, përfshirë “kush spiunon kë brenda, për t’u siguruar që nuk ka tradhtarë”. 

Qeveria kubane deklaroi në një njoftim në televizionin shtetëror të dielën në mbrëmje se 32 oficerë u vranë gjatë operacionit ushtarak të SHBA-së.

Trump tha se ekonomia kubane, e goditur nga vite të tëra embargoje amerikane, është në gjendje të rrënuar dhe do të përkeqësohet edhe më shumë tani me rrëzimin e Maduros, i cili i siguronte ishullit në Karaibe naftë të subvencionuar.

“Po shkon poshtë”,  tha Trump për Kubën. “Po shkon poshtë fare.”

Paralajmërim për Kolumbinë

Trump, teksa po kthehej drejt Washingtonit të dielën në mbrëmje, paralajmëroi gjithashtu fqinjin e Venezuelës, Kolumbinë, dhe presidentin e saj të majtë, Gustavo Petro.

Trump, në një shkëmbim fjalësh me gazetarët, tha se Kolumbia “drejtohet nga një njeri i sëmurë që pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara”.

Administrata Trump vendosi sanksione në tetor ndaj Petros, familjes së tij dhe një anëtari të qeverisë së tij, për shkak të akuzave për përfshirje në tregtinë globale të drogës. Kolumbia konsiderohet epiqendra e tregtisë botërore të kokainës.

Trump e nisi fushatën e tij disamujore të presionit ndaj Maduros duke urdhëruar dhjetëra sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge që niseshin nga Venezuela në Karaibe. Më vonë ai i zgjeroi operacionet edhe për të synuar anije të dyshuara në Paqësorin lindor që vinin nga Kolumbia.

SHBA-ja gjithashtu, në shtator, e shtoi Kolumbinë — përfituesin më të madh të ndihmës amerikane në rajon — në listën e vendeve që nuk bashkëpunojnë në luftën kundër drogës, për herë të parë në pothuajse 30 vjet. Ky përcaktim çoi në shkurtimin e ndjeshëm të ndihmës amerikane për vendin.

“Ai nuk do ta bëjë këtë për shumë gjatë”, tha Trump për Petron të dielën. “Ai ka mullinj kokaine dhe fabrika kokaine. Nuk do ta bëjë”.

I pyetur nëse mund të urdhëronte SHBA-në të kryente një operacion kundër Kolumbisë, Trump u përgjigj: “Më tingëllon mirë.”