Papa Leoni u ka thënë të krishterëve se historia e Krishtlindjeve duhet t'ua kujtojë atyre detyrën e tyre për të ndihmuar të varfrit dhe të huajt.
Në predikimin e tij të Krishtlindjeve, Papa ka thënë se historia e lindjes së Jezusit u tregoi ithtarëve se refuzimi për të ndihmuar ata që kanë nevojë ishte i barabartë me refuzimin e vetë Zotit.
Leoni, i cili e ka bërë kujdesin për emigrantët dhe të varfrit tema kryesore të papatit të tij të hershëm, ka thënë se lindja e Jezusit tregoi praninë e Zotit në çdo person ndërsa udhëhoqi 1.4 miliardë katolikët e botës drejt Krishtlindjeve në një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit.
“Në tokë, nuk ka vend për Zotin nëse nuk ka vend për personin njerëzor. Të refuzosh njërën do të thotë të refuzosh tjetrën”, ka thënë Papa gjatë shërbesës solemne, ku morën pjesë rreth 6,000 njerëz brenda bazilikës.
Leoni, papa i parë i lindur në SHBA, po feston Krishtlindjet e tij të para pasi u zgjodh në maj nga kardinalët e botës për të pasuar të ndjerin Papa Françesku.
Papa, i cili ka kritikuar masat përçarëse të presidentit amerikan, Donald Trump kundër imigracionit, citoi një varg nga Papa Benedikti XVI, i cili ankohej se bota nuk interesohet për fëmijët, të varfrit apo të huajt.
“Ndërsa një ekonomi e shtrembëruar na bën të trajtojmë qeniet njerëzore si mallra të thjeshta, Zoti bëhet si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi”, ka shtuar Leoni.
Jashtë bazilikës, rreth 5,000 njerëz ndoqën shërbesën në ekrane nga Sheshi i Shën Pjetrit, duke mbajtur çadra për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme në Romë.