Botë

Ontario do ta ndalë transmetimin e reklamës që acaroi Trumpin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Kreu i qeverisë së Ontarios, Doug Ford, ka thënë se do të ndërpresë fushatën reklamuese anti-tarifore të provincës së tij në SHBA, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërprerje të bisedimeve tregtare.

Ford, një nga kritikët më të zëshëm ndaj taksave amerikane mbi mallrat kanadeze, tha se e mori vendimin pasi foli me kryeministrin Mark Carney, duke shtuar se reklama televizive do të ndërpritet të hënën në mënyrë që bisedimet tregtare të mund të rifillojnë. Mirëpo, ajo do të vazhdojë të transmetohet gjatë fundjavës në rrjetet amerikane, duke përfshirë edhe gjatë ndeshjeve të Serisë Botërore të Bejsbollit të Ligës Kryesore, shtoi ai. 

Pas vendimit të presidentit amerikan për ndërprerjen e bisedimeve amerikane, kryeministri kanadez Carney, u tha gazetarëve se Kanadaja është e përgatitur të rifillojë bisedimet tregtare me SHBA-në kurdo që amerikanët të jenë gati. 

Reklama, e cila u sponsorizua nga qeveria e Ontarios, citon ish-presidentin e SHBA-së, Ronald Reagan, një republikan dhe ikonë e konservatorizmit amerikan, duke thënë se tarifat "dëmtojnë çdo amerikan". Videoja merr fragmente nga një fjalim radiofonik kombëtar i vitit 1987 që u përqendrua në tregtinë e jashtme.