Botë

Obama reagon pasi Trump postoi video “raciste”

Barac Obama

Barac Obama

Foto: Associated Press

Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar publikisht pasi një video “raciste”, e fshirë më pas, u shpërnda në platformën Truth Social të presidentit Donald Trump, ka raportuar BBC.

Videoja paraqiste majmunë të animuar me fytyrat e Obamës dhe bashkëshortes së tij, Michelle Obama, të montuara mbi to. Ajo u publikua për pak kohë në llogarinë e Trumpit në fillim të këtij muaji dhe më pas u fshi.

Në një intervistë të re me komentatorin politik Brian Tyler Cohen, Obama, 64 vjeç, nuk e përmendi Trumpin me emër, por ka thënë se amerikanët ende vlerësojnë “mirësjelljen, respektin dhe dashamirësinë”, ani pse rrjetet sociale, sipas tij, po e përforcojnë një “shfaqje cirku” me përmbajtje urrejtjeje.

Ai ka kritikuar gjithashtu rënien e standardeve në diskursin politik, duke theksuar se normat që dikur priteshin nga figurat publike janë zbehur.

“Dikur ekzistonte një ndjenjë etike dhe dinjiteti… ajo është humbur”, ka thënë ai.

Videoja ishte pjesë e një montazhi që promovonte pretendime të paprovuara për manipilm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Pas reagimeve të shumta negative, ajo u fshi. I pyetur nga gazetarët një ditë më vonë, Trump ka refuzuar të kërkonte falje, duke këmbëngulur se nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe duke pretenduar se nuk e kishte parë të plotë videon para se ta publikonte.

Michelle Obama, 62 vjeç, nuk ka reaguar publikisht për këtë çështje.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e ka mbrojtur Trumpin në një deklaratë për revistën PEOPLE, duke thënë se videoja ishte thjesht një meme në internet që siç tha ajo “e paraqet presidentin Trump si Mbretin e Xhunglës dhe demokratët si personazhe nga filmi i animuar ‘The Lion King’. Ju lutem ndaloni zemërimin e rremë…”.

Pak më vonë, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë tjetër, ku thuhej se postimi ishte publikuar “gabimisht” nga një anëtar i stafit dhe ishte hequr sapo u vu re gabimi.

Personi përgjegjës nuk është identifikuar.