Mbi 66,000 palestinezë janë vrarë në luftën Izrael-Hamas, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës të dielën.
Njoftimi vjen një ditë para se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, mbi ndalimin e ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës.
Netanyahu është vënë nën presion të fortë ndërkombëtar për t'i dhënë fund luftës. Aleatët kryesorë perëndimorë i janë bashkuar një liste në rritje të vendeve që njohin shtetin palestinez përkundër kundërshtimeve të Izraelit. Bashkimi Evropian po shqyrton sanksionet kundër Izraelit dhe ka lëvizje në rritje për një bojkot sportiv dhe kulturor kundër Izraelit.
Pasi dhjetëra delegatë lëshuan sallën, Netanyahu u ka thënë udhëheqësve të tjerë botërorë të premten në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se kombi i tij "duhet ta përfundojë punën" kundër Hamasit në Gaza, ndërkohë që ushtria e tij po vazhdon ofensivën e saj në Qytetin e Gazës.
Trumpi deri më tani ka qëndruar në mbështetje të Izraelit. Por udhëheqësi i SHBA-së ka treguar shenja padurimi kohët e fundit, veçanërisht pas bombardimit të Katarit nga Izraeli në fillim të këtij muaji në atë që duket se ka qenë një përpjekje e dështuar për të vrarë udhëheqjen e Hamasit.
Në takimin e së hënës në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi pritet të ndajë një propozim të ri për t'i dhënë fund luftës.
Dyzet e tetë pengje izraelite mbahen ende robër në Gazë, rreth 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Bisedimet për armëpushim kanë ngecur që nga sulmi i dënuar gjerësisht i Izraelit në Doha të Katarit.
Trumpi ka paraqitur një propozim me 21 pika për një armëpushim të menjëhershëm.
Propozimi përfshin lirimin e të gjithë pengjeve brenda 48 orëve dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga enklava palestineze, sipas tre zyrtarëve arabë të informuar mbi planin. Zyrtarët, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti për Associated Press, kanë thënë se propozimi nuk është përfundimtar dhe ndryshimet janë shumë të mundshme.
Trump e ka diskutuar propozimin me udhëheqësit arabë në Neë York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.