Botë

Një ditë para negociatave, Rusia vret një fëmijë ukrainas e plagos 24 persona

Moska

Ushtria ruse ka goditur tri qytete ukrainase brenda një nate, duke lënë të vrarë një fëmijë dhe plagosur 24 persona, kanë njoftuar autoritetet të martën, një ditë para rundit të tretë të bisedimeve direkte për paqen ndërmjet delegacionit të Moskës dhe Kievit.

Njoftimi në orët e vona të së hënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se procesi negociator do të rifillonte ka sjellë pak shpresë se ai mund të prodhojë përparimin e duhur për t’i dhënë fund luftës tre-vjeçare.

E kjo situatë ka ngelur kësisoj pavarësisht përpjekjeve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të finalizuar marrëveshjen e paqes, të cilat kanë ngecur si pasojë e mosgatishmërisë së presidentit rus, Vladimir Putin, për t’u tërhequr nga kërkesat e tij, ka shkruar AP.

Dy rundet paraprake ishin mbajtur në Stamboll, teksa mediat ruse kanë raportuar se sipas të gjitha gjasave qyteti turk do të jetë përsëri vendtakimi i delegacioneve. Në bisedimet e mëhershme që u mbajtën në muajt maj dhe qershor, të dyja palët ishin dakorduar për shkëmbime mes të burgosurve të luftës dhe riatdhesimin e trupave të ushtarëve të rënë në fushën e betejës.

Ndërkohë, lufta ka vazhduar pa ndërprerje. Rusia po shtyn me forcë për të depërtuar në pikat lindore dhe verilindore të vijës së frontit, e cila shtrihet në një gjatësi prej 1,000 kilometrash.

Që nga muzgu i së hënës në mbrëmje, Rusia goditi rajonet ukrainase të Sumyt në verilindje, Odesës në jug dhe Kramatorskut në lindje.

Në Kramatorsk, një shpërthim ajror goditi një ndërtesë banimi, duke shkaktuar një zjarr, sipas kreut të administratës ushtarake të qytetit, Oleksandr Honcharenko.

Sipas zyrtarëve lokalë, një djalë i lindur në vitin 2015 humbi jetën, pa dhënë moshën e saktë të tij. Pesë persona të tjerë raportohet se u plagosën.

Rajoni i Sumyt u vu gjithashtu në shënjestër nga disa valë sulmesh, ka raportuar administrata ushtarake rajonale. Një dron goditi një pikë karburanti në qytetin Putyvl, duke plagosur katër persona, përfshirë një djalë 5-vjeçar. Një sulm i dytë me dron goditi të njëjtin vend më pak se dy orë më vonë, duke plagosur edhe sh tatë persona të tjerë.