Në Banda të Indisë, ku temperaturat arrijnë deri në 48 gradë celsius, jeta po organizohet gjithnjë e më shumë sipas ritmit të vapës. Nga fermerët dhe punëtorët e rrugëve, deri te familjet që luftojnë për ujë e hije, banorët po përballen me pasojat e një nxehtësie që shkencëtarët paralajmërojnë se po bëhet më e ashpër dhe më e rrezikshme nga viti në vit.
Që në orën 6 të mëngjesit, dielli mbi Bandë dukej sikur kishte harruar se ishte ende mëngjes dhe nuk kishte ende vend aty për të.
Drita kishte shkëlqimin e fortë dhe përvëlues të një pasditeje vere. Hijet po tkurreshin para se njerëzit të kishin ngrënë mëngjesin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë muajit maj, ky distrikt me pluhur në shtetin indian Uttar Pradesh kaloi disa ditë në krye të një renditjeje të padëshiruar kombëtare: vendi më i nxehtë në Indi.
Temperaturat qëndruan mes 47 dhe 48 gradë celsius për më shumë se një javë, një situatë e pazakontë edhe për standardet lokale.
Megjithatë, ajo që binte më shumë në sy ishte mënyra se si njerëzit po përshtateshin me vapën. Mbi dy milionë banorët e Bandës, shumë prej tyre të varur nga bujqësia, ndërtimtaria, transporti dhe punë të tjera në ambiente të hapura - nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta duronin nxehtësinë. Ata po e riorganizonin jetën e tyre sipas ritmit të vapës.
Rreth 30 kilometra larg qendrës së distriktit, tregu i perimeve në Atarra po mbyllej që herët, para se shumica e qytetarëve të zgjoheshin plotësisht. Fermerët mbërrinin në agim me domate, kunguj, speca djegës, limonë dhe shalqinj. Të gjithë përpiqeshin t’i shisnin sa më shpejt produktet dhe të ktheheshin në shtëpi përpara se temperatura të rritej më tej.
“Shikoni diellin”, tha Himanshu, një tregtar që qëndronte pranë paketave me domate. “Është vetëm ora 6:15, por duket sikur është 8 ose 9 e mëngjesit”.
Vapa po shkurtonte jetëgjatësinë e produkteve të tij po aq sa po shkurtonte edhe ditën e tregut.
“Një gajbe me domate duhet të shitet sot ose nesër. Në këtë mot nuk mund të zgjasin më shumë”.
Dikur tregtia vazhdonte deri në orët e vona të paradites. Tani aktiviteti zbehet që në orën 8 të mëngjesit. Në orën 10, tregu është pothuajse i zbrazët.
I njëjti ritëm i shkurtuar po ndikon pothuajse çdo aspekt të jetës në Banda. Nën qiellin përvëlues dhe mbi tokën e djegur, njerëzit bëjnë atë që gazetari polak Ryszard Kapuscinski e kishte vërejtur dikur në peizazhe të ngjashme të Afrikës: kërkojnë hije dhe pak freski.
Paralajmërimet për vapë ekstreme
Pappu Verma, murator, tani punon nga ora 7 e mëngjesit deri në mesditë dhe më pas nga ora 4 deri në 7 të mbrëmjes. Katër orët në mes i kalon duke pritur që të kalojë periudha më e nxehtë e ditës.
“Prapë duhet t’i plotësosh tetë orë pune”, tha ai. “Qoftë duke punuar pa ndërprerje në diell apo duke bërë pushime, pagesa mbetet e njëjtë”.
Pushimi e mbron nga dhimbjet e kokës dhe problemet që shkakton nxehtësia, por dita e tij zgjatet në 12 apo 13 orë.
“Përndryshe, atë që e fitoj do ta shpenzoj për ilaçe”, tha ai duke ngritur supet.
Një ditë javën e kaluar, rreth orës 14:00, kur temperatura në Banda arriti 46 gradë celsius, tri gra që punonin në rrugë ishin ulur nën një autobot me ujë në një urë që kalon lumin Ken. Ato po hanin drekën në copëzën e vogël të hijes që krijonte mjeti.
Njëra prej tyre, Shanti Devi, ecën gjashtë kilometra për të shkuar në punë çdo mëngjes dhe po aq për t’u kthyer në shtëpi. Dreka e saj përbëhej nga bukë, qepë, kripë dhe turshi.
“Nëse marrim perime me vete, ato prishen para mesditës”, tha ajo.
Pastaj shtoi një fjali që mund të shërbejë si moto e valës së të nxehtit në Banda:
“Njerëzit e varfër nuk e kanë luksin të shqetësohen për vapën”.
Strehimi i tyre mbi lumin Ken kishte edhe një simbolikë të veçantë. Ky lumë është në qendër të betejës së Bandës me temperaturat ekstreme. Studiuesit thonë se nxjerrja intensive e rërës dhe shterimi i ujërave nëntokësore kanë dobësuar aftësinë e lumit për të freskuar zonën përreth, duke krijuar një cikël të rrezikshëm, ku mungesa e ujit dhe temperaturat ekstreme ushqejnë njëra-tjetrën.
Pasojat ekonomike të vapës shihen kudo.
Shoferët e rikshave elektrike gjejnë shumë pak pasagjerë gjatë pasdites. Dyqanet hapen para lindjes së diellit dhe mbyllen nga mesdita deri në orën 4. Numri i klientëve është përgjysmuar. Qytetet dhe fshatrat zhyten në heshtje gjatë orëve më të nxehta dhe gjallërohen sërish vetëm në mbrëmje.
Telefonat celularë bien vazhdimisht me njoftime nga autoritetet që paralajmërojnë për valë të të nxehtit.
“Qëndroni vigjilentë, tregoni kujdes”, thuhet në mesazhe.
Spitalet lokale po trajtojnë çdo ditë pacientë të prekur nga temperaturat e larta.
“Që kur nxehtësia u intensifikua, kemi rreth 15 deri në 20 raste në ditë, kryesisht fëmijë dhe të moshuar”, tha K. Kumar, drejtor i Spitalit në distrikt.
“Simptomat më të zakonshme janë diarreja, të vjellat dhe temperatura”.
Ajo që po përjeton Banda është vetëm një shembull lokal i një fenomeni më të gjerë. Në të gjithë Indinë, nxehtësia po shfaqet gjithnjë e më shumë jo vetëm si temperaturë e lartë, por si një kombinim i vapës dhe lagështisë së ajrit, që ushtron një presion shumë më të madh mbi organizmin e njeriut.
‘Kjo ishte diçka e re”
Rrafshina Indo-Gangetike, e cila shtrihet në pjesën më të madhe të Indisë veriore dhe përfshin edhe shtetin e Uttar Pradeshit, konsiderohet nga studiuesit e klimës si një nga zonat më të rrezikuara në botë nga kombinimi i temperaturave shumë të larta dhe lagështisë së madhe.
Popullsia e dendur, ujitja e gjerë e tokave bujqësore, lagështia e lartë dhe numri i madh i njerëzve që punojnë jashtë, krijojnë kushte ku edhe puna e zakonshme mund të bëhet e rrezikshme për shëndetin.
Uttar Pradeshi është veçanërisht i cenueshëm për shkak të numrit të madh të banorëve të ekspozuar ndaj vapës, varësisë nga puna në ambiente të hapura dhe mungesës së mjeteve ftohëse për miliona familje, sipas organizatës Climate Trends.
Shkencëtarët thonë se pozicioni gjeografik i rajonit dhe mënyra e zhvillimit të tij gjatë viteve e kanë përkeqësuar situatën.
Qyteti i Bandës ndodhet pranë Tropikut të Gaforres, një zonë gjeografike e njohur për temperaturat ekstreme gjatë verës. Nivelet e ujit në lumenj bien ndjeshëm, duke lënë të zbuluara sipërfaqe me rërë, gurë dhe zhavorr që thithin dhe rrezatojnë nxehtësi. Në shumë vende, betoni ka zëvendësuar gjelbërimin.
Mbulesa pyjore ka rënë shumë nën nivelet e rekomanduara. Një studim i Universitetit të Bujqësisë dhe Teknologjisë në Banda zbuloi se gati një e gjashta e pyjeve të dendura të distriktit është zhdukur midis viteve 1991 dhe 2022, kryesisht për shkak të minierave dhe zgjerimit të tokave bujqësore.
Të gjithë këta faktorë e kanë bërë Bandën gjithnjë e më të prekshme ndaj valëve ekstreme të të nxehtit.
Sipas meteorologut Dinesh Sah, temperatura në këtë zonë ka arritur edhe më parë në 48–49 gradë celsius. Në vitin 2024, termometri shënoi 49 gradë për dy ditë radhazi.
Megjithatë, ajo që e bëri të pazakontë këtë verë ishte kohëzgjatja e vapës ekstreme.
“Për tetë apo nëntë ditë me radhë temperaturat mbetën në 47–48 gradë pa asnjë ndërprerje. Kjo ishte diçka e re”, tha ai.
Fermeri Prem Singh thotë se periudhat e nxehtësisë së madhe kanë ekzistuar gjithmonë dhe madje janë të rëndësishme për kulturat bujqësore. Ajo që e shqetëson është fakti se ato po bëhen gjithnjë e më intensive.
Ai fajëson pakësimin e pemëve, zgjerimin e minierave, përdorimin në rritje të lëndëve djegëse fosile dhe përhapjen e kondicionerëve.
“Kjo e ka bërë jetën më të vështirë për të varfrit, ndërsa të pasurit nuk janë prekur aq shumë”, thotë ai.
Edhe pas perëndimit të diellit, vapa nuk largohet.
“Është sikur mëngjeset dhe netët të mos ekzistojnë më”, thotë meteorologu Sah.
Që në orën 7 ose 8 të mëngjesit, nxehtësia ndihet si në mes të pasdites. Gjatë natës temperaturat mbeten rreth 30 gradë celsius, duke mos i dhënë trupit mundësi të freskohet.
Në fshatin Achharaund, rreth 20 kilometra larg Bandës, sfida kryesore nuk është vetëm temperatura, por edhe mungesa e ujit.
Një pus i vetëm furnizon pjesën më të madhe të fshatit me ujë të pijshëm. Çdo ditë, gratë presin në radhë me kova nën diellin përvëlues.
Përshtatja e banorëve me klimën
Kranti Vishwakarma, 18 vjeçe, kalon katër deri në pesë orë në ditë duke sjellë ujë për familjen e saj. Kur energjia elektrike ndërpritet pasdite, shpëtimi i vetëm është hija e një peme “neem”.
“Nuk kemi ventilatorë ftohës apo kondicionerë. Për ne, pemët ‘neem’ e luajnë atë rol”, thotë ajo.
Pranë saj, 80-vjeçarja Chunubadi ishte ulur pranë një ventilatori të vjetër, të riparuar me mjete të improvizuara. Ai funksiononte me vështirësi dhe nxirrte vetëm ajër të thatë e të nxehtë.
“Djersa thahet”, tha ajo duke parë fletët e ventilatorit që rrotulloheshin. “Por, këto rryma të nxehta janë të vështira për një trup të moshuar”.
Pastaj shtoi me shqetësim: “Në 80 vitet e jetës sime nuk kam parë kurrë vapë të tillë. Të moshuarit mund të vdesin si nga i ftohti ekstrem ashtu edhe nga nxehtësia ekstreme. Nuk e di nëse do ta përballoj këtë”.
Edhe kafshët po përpiqeshin të mbroheshin nga vapa. Rreth mesditës, dhjetëra buaj qëndronin të zhytur në një pellg me ujë, ndërsa barinjtë prisnin që ata të dilnin.
Aty afër ishte 60-vjeçari Rameshwar Yadav, një ish-mësues që tani merret me blegtori. Çuditërisht, ai kishte veshur rroba të trasha, më të përshtatshme për dimër sesa për një ditë vere me 46 gradë Celsius.
“Veshim rroba të trasha sepse ngadalësojnë depërtimin e nxehtësisë së diellit në trup”, shpjegoi ai. “Ato na mbrojnë nga rrezet dhe erërat e nxehta. Djersitemi më shumë, por shmangim sëmundjet”.
Ashtu si shumë banorë të Bandës, edhe Yadav është përshtatur me kushtet. Por përshtatja nuk do të thotë domosdoshmërish lehtësim.
Të premten, një sistem atmosferik solli stuhi pluhuri dhe reshje shiu. Temperaturat ranë me 8 deri në 9 gradë dhe banorët më në fund morën frymë më lirshëm.
Megjithatë, ky ishte vetëm një lehtësim i përkohshëm.
Rutinat që banorët e Bandës kanë krijuar - nisja e punës para lindjes së diellit, qëndrimi brenda në orët më të nxehta të ditës dhe kërkimi i hijes kudo që gjendet - po shndërrohen gjithnjë e më shumë në domosdoshmëri.
Një studim i studiuesve Piyush Narang dhe Ashok Gadgil nga Universiteti i Kalifornisë vlerëson se Uttar Pradeshi mund të regjistrojë mbi 8 mijë vdekje shtesë gjatë një vale të rëndë të të nxehtit që zgjatë pesë ditë. Më të rrezikuarit janë të moshuarit, punëtorët që punojnë jashtë dhe familjet pa qasje të besueshme në mjete ftohëse.
Megjithatë, banorët e Bandës nuk duken aq të alarmuar sa shkencëtarët e klimës.
Ata janë mësuar të jetojnë me vapën prej brezash. Shqetësimi i studiuesve nuk është se kjo zonë është e nxehtë, por se po bëhet gjithnjë e më e nxehtë dhe për periudha më të gjata, ndërkohë që po humben pemët dhe burimet ujore që dikur ndihmonin në zbutjen e temperaturave.
Punëtorët e rrugës, të strehuar nën hijen e një autoboti me ujë, e minimizonin rrezikun.
“Ju mund të pësoni goditje nga të nxehtit”, i thanë ata një vizitori. “Ne jemi mësuar me të”.