Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nga traktorët e automatizuar në ferma deri te korrigjimi i testeve, AI po e rrit efikasitetin në Indi

India - AI

Foto: Associated Press

"Jam në gjendje të merrem me bujqësi shumë më me efikasitet dhe ndihem shumë i lumtur që bëj punën që gjyshi dhe babai im bënin. Tani po e çoj traditën përpara me teknologjinë e duhur”, tha Virk.

Fermeri Bir Virk preku iPadin e montuar pranë timonit të traktorit të tij dhe e kaloi mjetin në modalitet automatik. Makina lëvizi përpara dhe filloi të korrte vetë patatet në fushat e Karnalit, një qytet në veri të Indisë.
Rreth 145 kilometra larg, në kryeqytetin New Delhi, edukatori Swetank Pandey përdori automatizim të ngjashëm, por kësaj radhe në fushë tjetër. Ai përdori algoritme për t’i skanuar dhe vlerësuar fletët e provimeve të shkruara me dorë nga kandidatët konkurrentë për shërbimin civil në Indi.

Në të dy rastet, e njëjta dorë e padukshme ishte në veprim: inteligjenca artificiale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nga fermat te klasat shkollore, AI po shfaqet me shpejtësi si një mjet për shumë në Indi, për ta rritur efikasitetin dhe për t’i ulur kohën, kostot dhe fuqinë punëtore. Përdoruesit e hershëm, si Virk dhe Pandey, thonë se teknologjia po i ndihmon ta rrisin produktivitetin ndërsa testojnë potencialin e AI-së për të gjetur zgjidhje në punë.

“Jam në gjendje të merrem me bujqësi shumë më me efikasitet dhe ndihem shumë i lumtur që bëj punën që gjyshi dhe babai im bënin. Tani po e çoj traditën përpara me teknologjinë e duhur”, tha Virk.

India po teston shkallën e saj të AI-së

Ndërsa përdorimi i AI-së rritet në mbarë globin, teknologjia po fiton terren gradualisht në Indi, derisa biznese, startupe dhe individë eksperimentojnë me mënyra të reja për ta përmirësuar efikasitetin.
Qeveria e Indisë po zbaton gjithashtu iniciativa kombëtare për ta financuar kërkimin dhe për t’i trajnuar punëtorët në AI. Kjo shtysë është në pah këtë javë, pasi New Delhi pret një samit pesëditor për AI, në të cilin marrin pjesë krerë shtetesh dhe drejtues të lartë të kompanive teknologjike.

Me afro një miliard përdorues interneti, India është bërë gjithashtu një fokus kyç për kompanitë globale të teknologjisë për t’i zgjeruar bizneset e tyre të AI-së në një nga tregjet digjitale me rritjen më të shpejtë në botë.

Dhjetorin e kaluar, Microsoft njoftoi një investim prej 17.5 miliardë dollarësh gjatë katër vjetëve për ta zgjeruar infrastrukturën e Cloudit dhe AI-së në Indi. Kjo i pasoi investimit prej 15 miliardë dollarëve të Googlet gjatë pesë vjetëve, përfshirë planet për qendrën e saj të parë të AI-së në vend.

“Ka disa raste përdorimi të mira që kanë filluar. Ka platforma në shkallë të gjerë që tani po integrojnë AI në to”, tha Sangeeta Gupta, zëvendëspresidente e lartë në NASSCOM, një organizatë e rëndësishme që përfaqëson industrinë e teknologjisë në Indi.

Megjithatë, adoptimi i AI-së nga India ka kufizimet e veta.

Vendi ende mbetet pas në zhvillimin e modelit të vet të AI-së në shkallë të gjerë, si OpenAI me bazë në SHBA ose DeepSeek në Kinë, duke theksuar sfida si qasja e kufizuar në çipa të avancuar gjysmëpërçues, qendra të të dhënave dhe qindra gjuhë vendase nga të cilat duhet të mësojë.
Ndërsa kompanitë teknologjike kanë rritur shpenzimet për trajnim dhe rikualifikim në AI, ata që nuk janë në gjendje të përshtaten po nxirren jashtë. Tata Consultancy Services, punëdhënësi më i madh privat në vend, shkurtoi më shumë se 12 mijë vende pune vitin e kaluar, si pasojë e një kalimi të shpejtë drejt AI-së.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, njerëz si Virk dhe Pandey thonë se mjetet e AI-së tashmë po e bëjnë punën e tyre më të shpejtë dhe më efikase.

Bujqësi precize përmes AI-së

Fermeri Virk, u njoh për herë të parë me teknologjinë e bujqësisë të drejtuar nga AI pesë vjet më parë, ndërsa studionte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara. Kur u kthye në Indi në vitin 2021, ai e importoi sistemin nga një kompani suedeze dhe e ka përdorur në fermën e tij gjatë dy vjetëve të fundit.
Traktori i tij i automatizuar mund të mbjellë fara, të spërkasë pleh dhe të korrë të mbjellat. Sistemi kushton rreth 3,864 dollarë dhe kombinon një motor drejtimi, sinjale satelitore që ndihmojnë në lëvizjen e saktë të traktorit, dhe një program softuerik të drejtuar nga AI që shndërron të dhënat në lëvizje.

Ai gjithashtu regjistron gabimet dhe i ngarkon ato në një platformë Cloud, ku kompania e softuerit analizon të dhënat dhe dërgon përditësime përkatëse përsëri te makina.

“Teknologjia dhe inteligjenca luajnë një rol të madh në këtë. Traktori punon në vijë të drejtë. Ai ruan një saktësi prej 0.01 centimetra”, tha Virk.

Ai tha se traktori i tij i pajisur me AI e ka ulur kohën e punës përgjysmë.

“Karakteristika e tij më e veçantë është se mëson vetë”, tha ai.

AI në fabrikat e famshme të provimeve në Indi

Pandey jep mësim në një qendër përgatitore për shërbimin civil, një sektor i njohur për konkurrencën e ashpër. Miliona të rinj indianë konkurrojnë çdo vit për vende pune në shërbimin civil, dhe qendrat përgatitore përpunojnë një numër të madh testesh, vlerësimesh dhe rishikimesh.

Pandey tha se AI e ka bërë këtë ngarkesë pune më të lehtë për t’u menaxhuar.

Duke përdorur modele të mëdha gjuhësore si ChatGPT, Gemini dhe Claude, së bashku me mjete të tjera automatizimi, Pandey dhe ekipi i tij skanojnë dhe vlerësojnë fletët e përgjigjeve, krijojnë materiale studimore të synuara dhe strukturojnë programet mësimore për kandidatët.

Pandey tha se teknologjia e ndihmon të kryejë detyra të përsëritura, duke lejuar që dhjetëra mijëra fletë përgjigjesh të vlerësohen brenda vetëm 20 deri në 25 minutash.

“Nëse ke një makinë më të mirë, sistem më të madh, mund ta bësh për dy minuta”, tha ai.

Për momentin, akademia e tij përdor një model hibrid. AI ndihmon me vlerësimet dhe mësuesit rishikojnë rezultatin, duke përmirësuar si shpejtësinë ashtu edhe cilësinë.

Pandey tha se AI shpesh prodhon materiale studimore që studentët i gjejnë më të kuptueshme sesa ato të përgatitura nga mësuesit.

“AI është në gjendje të na japë paraprakisht një ide bazë se çfarë po bën studenti tani dhe çfarë duhet të bëjë më pas për të arritur qëllimet e tij ose të saj”, tha ai.