Turistët që vizitojnë Romën do të duhet tashmë të paguajnë për t’iu afruar nga afër në një prej monumenteve më ikonike të qytetit, Shatërvanit të Trevit.
Duke nisur nga 2 shkurti autoritetet e kryeqytetit italian kanë vendosur një biletë prej 2 eurosh për vizitorët që dëshirojnë të zbresin shkallët drejt zonës pranë pellgut të shatërvanit, aty ku tradicionalisht hidhet monedha për fat të mirë.
Pamja e shatërvanit nga sheshi përreth mbetet falas dhe e hapur për të gjithë, ndërsa tarifa zbatohet vetëm për hyrjen në zonën e poshtme, më pranë ujit, raportoi "Euronews".
Vendimi është pjesë e përpjekjeve të Romës për të kontrolluar fluksin e madh të turistëve. Ideja për vendosjen e një tarife është diskutuar që në vitin 2024, në një kohë kur Shatërvani i Trevit përballej çdo ditë me mbipopullim e radhë të gjata.
“Qëllimi nuk është mbledhja e parave, por menaxhimi dhe ulja e turmave, si edhe respektimi i një monumenti që nuk duhet të shndërrohet në vend për të ngrënë akullore apo pica,” kishte deklaruar më herët Alessandro Onorato, këshilltar i Bashkisë së Romës për turizmin.
Sipas autoriteteve, të ardhurat nga biletat do të përdoren për përmirësimin e përvojës së vizitorëve dhe për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit.
Vlerësohet se kjo masë mund të sjellë rreth 6.5 milionë euro shtesë në vit.
Biletat janë të detyrueshme gjatë orareve më të frekuentuara të ditës. Qasja me pagesë zbatohet të hënën dhe të premten nga ora 11:30 deri në 22:00, ndërsa ditët e tjera nga ora 09:00 deri në 22:00.
Biletat mund të blihen përmes aplikacioneve online, një faqeje të dedikuar interneti, si edhe në hotele apo biznese që zgjedhin t’i shesin ato. Vizitorët që nuk dëshirojnë të paguajnë, do të mund ta shijojnë sërish monumentin nga distanca, pa u penguar pamja.
Shefi i trashëgimisë artistike të Romës, Claudio Parisi Presicce, ka theksuar se pamja e shatërvanit nuk do të bllokohet në asnjë mënyrë.
Banorët e Romës janë të përjashtuar nga pagesa e biletës, si edhe nga një tarifë tjetër prej 5 eurosh që po futet paralelisht.
Masa për Shatërvanin e Trevit vjen pas vendosjes së një sistemi të ngjashëm biletash për Panteonin e Romës dhe ndjek shembullin e Venecias, e cila vitin e kaluar aplikoi një taksë për vizitorët ditorë, në përpjekje për të lehtësuar mbingarkesën turistike dhe për ta bërë qytetin më të jetueshëm për banorët.