Zyrtarët e grupit militant palestinez, Hamas, e kanë akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se “po planifikon që të vazhdojë qasjen e tij gjenocidale dhe zhvendosëse duke kryer më shumë krime” ndaj popullsisë civile.
Përmes një njoftimi, grupi militant ka pretenduar se veprimet e kryeministrit izraelit “përfaqësojnë një kthesë të qartë në rrjedhën e negociatave dhe zbulojnë motivet e vërteta pas tërheqjes së tij nga raundi përfundimtar i bisedimeve”.
Nga ky grup kanë bërë të ditur se ishin “shumë afër” arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ka raportuar BBC.
Sipas zyrtarëve të Hamasit, plani për riokupimin e enklavës palestineze nënkupton se Netanyahu është i gatshëm t’i “sakrifikojë” pengjet izraelite që kanë mbetur në Gazë dhe t’u shërbejë “interesave të tij personale”.
Ata kanë paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për të ripushtuar Gazën, duke thënë se “çmimi do të jetë i lartë”.
Në grupin militant u kanë bërë gjithashtu thirrje vendeve arabe dhe myslimane, si dhe bashkësisë ndërkombëtare që “të dënojnë dhe të refuzojnë këto deklarata të rrezikshme, dhe të marrin masa urgjente për të ndalur agresionin dhe për t’i dhënë fund okupimit”.