Qytetari amerikan, Joseph Tater, i cili ishte burgosur në Moskë gushtin e vitit të kaluar dhe më vonë ishte dërguar në një klinikë psikiatrike, është larguar nga Rusia, ka bërë të ditur agjencia ruse e lajmeve TASS të premten.
“Jemi të vetëdijshëm mbi raportimet se një qytetar amerikan i dënuar në Rusi është liruar, dhe ne po e monitorojmë situatën”, ka konfirmuar një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Zëdhënësi i DASH-it refuzoi të japë komente të mëtejshme për arsye privatësie, por përsëriti paralajmërimet për rrezikun që u kanoset shtetasve amerikanë në Rusi, teksa i këshilloi ata që udhëtojnë ose jetojnë atje të largohen menjëherë.
Tater, i cili sipas një burimi në Kremlin ishte në mesin e 9 amerikanëve që Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar të përfshihet në këmbimin e të burgosurve mes dy vendeve, ishte dënuar me 15 ditë burg në gushtin e vitit të kaluar nën akuzën për “huliganizëm”, pasi dyshohej për abuzim ndaj stafit të një hoteli në Moskë.
Më 6 prill, një gjykatë kishte dhënë urdhër që Tater të largohet nga qendra e ndalimit, duke konstatuar se ai nuk ishte penalisht përgjegjës për veprimet e tij, pasi doktorët e kishin diagnostifikuar me çrregullime mendore.
Sipas TASS-it, Tater është lëshuar prej klinikës psikiatrike më datë 6 qershor.
Washingtoni dhe Moska tanimë i kanë përfunduar dy shkëmbime të të burgosurve, qëkur presidenti Donald Trump e ka nisur mandatin e dytë në fillim të vitit.
Gjatë muajit prill qytetarja ruso-amerikane, Ksenia Karelina, ishte liruar nga burgu në Rusi, pasi ishte shpallur fajtore për tradhti, për shkak se i kishte dhuruar para një organizate bamirëse me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që dërgonte ndihma humanitare në Ukrainë.
E në shkurt, Shtetet e Bashkuara e kishin liruar kriminelin kibernetik rus, Aleksandr Vinnik në këmbim të mësuesit amerikan, Marc Fogel.