Kievi ka paralajmëruar se ndërprerja e dërgesave të armëve nga SHBA-ja mund ta inkurajojë Rusinë të vazhdojë luftën në Ukrainë, e cila tani është në vitin e saj të katërt.
Të martën, Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka ndërprerë disa dërgesa armësh në Ukrainë.
“Vendimi është marrë për të vënë interesat e Amerikës në vend të parë pas një shqyrtimi nga Departamenti i Mbrojtjes të mbështetjes dhe ndihmës ushtarake të SHBA-së për vendet e tjera", ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë në një deklaratë se "çdo vonesë ose zvarritje në mbështetjen e aftësive mbrojtëse të Ukrainës vetëm sa do ta inkurajonte agresorin të vazhdonte luftën dhe terrorin, në vend që të kërkonte paqe".
Ajo theksoi veçanërisht nevojën që Kievi të forcojë mbrojtjen e tij ajrore teksa Rusia vazhdon ta godasë vendin me raketa dhe dronë pothuajse çdo natë.
Një diplomat amerikan me bazë në Kiev është ftuar në ministrinë e Jashtme për bisedime të mërkurën.
Megjithatë, ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar nga SHBA-ja në lidhje me "pezullimin ose rishikimin" e dërgesave të armëve dhe u bëri thirrje njerëzve të mos spekulojnë në bazë të informacionit të pjesshëm.
Por në një deklaratë, ministria e Mbrojtjes ka thënë gjithashtu se rruga për t'i dhënë fund luftës ishte "përmes presionit të vazhdueshëm dhe të përbashkët ndaj agresorit".
Në fundjavë, Ukraina ka pësuar sulmin e saj më të madh ajror që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, me më shumë se 500 dronë dhe raketa balistike dhe lundruese të lëshuara në qytetet e saj.
