Botë

SHBA-ja ndalon disa dërgesa armësh për Ukrainën

Sisteme te mbrojtjes ajrore Patriot

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se SHBA-ja kanë ndaluar disa dërgesa armësh në Kiev.

Njoftimi vjen teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës është intensifikuar, raporton BBC.

"Vendimi është marrë për të vënë interesat e Amerikës në rend të parë pas një shqyrtimi nga Departamenti i Mbrojtjes të mbështetjes dhe ndihmës ushtarake amerikane për vendet e tjera", ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, të martën.

SHBA-ja ka dërguar dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake në Ukrainë që kur Rusia ka nisur pushtimin e saj të plotë në shkurt të vitit 2022, duke bërë që disa në administratën Trump të shprehin shqetësime se rezervat e SHBA-së janë shumë të ulëta.

Qeveria ukrainase nuk ka komentuar mbi njoftimin, ndërkaq zyrtarët amerikanë nuk kanë thënë menjëherë se cilat dërgesa po ndaleshin.

Raketa të mbrojtjes ajrore dhe municione precize kuptohen të jenë ndër armët e prekura, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Vendimi vjen pak pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump, është takuar me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në samitin e NATO-s në Holandë javën e kaluar.

Me atë rast, Trumpi ka thënë se zyrtarët amerikanë "do të shohin nëse mund t'i bëjnë disa prej tyre të disponueshme" kur është pyetur nga BBC-ja për ofrimin e sistemeve shtesë anti-raketore Patriot për Ukrainën.

Ndërprerja e dërgesave të armëve nga SHBA-ja inkurajon Rusinë, thotë Kievi

13 o. më parë / 2 kor 2025 14:14
Zelensky - Trump

Photo: Associated Press

Kievi ka paralajmëruar se ndërprerja e dërgesave të armëve nga SHBA-ja mund ta inkurajojë Rusinë të vazhdojë luftën në Ukrainë, e cila tani është në vitin e saj të katërt.

Të martën, Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka ndërprerë disa dërgesa armësh në Ukrainë.

“Vendimi është marrë për të vënë interesat e Amerikës në vend të parë pas një shqyrtimi nga Departamenti i Mbrojtjes të mbështetjes dhe ndihmës ushtarake të SHBA-së për vendet e tjera", ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë në një deklaratë se "çdo vonesë ose zvarritje në mbështetjen e aftësive mbrojtëse të Ukrainës vetëm sa do ta inkurajonte agresorin të vazhdonte luftën dhe terrorin, në vend që të kërkonte paqe".

Ajo theksoi veçanërisht nevojën që Kievi të forcojë mbrojtjen e tij ajrore teksa Rusia vazhdon ta godasë vendin me raketa dhe dronë pothuajse çdo natë.

Një diplomat amerikan me bazë në Kiev është ftuar në ministrinë e Jashtme për bisedime të mërkurën.

Megjithatë, ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar nga SHBA-ja në lidhje me "pezullimin ose rishikimin" e dërgesave të armëve dhe u bëri thirrje njerëzve të mos spekulojnë në bazë të informacionit të pjesshëm.

Por në një deklaratë, ministria e Mbrojtjes ka thënë gjithashtu se rruga për t'i dhënë fund luftës ishte "përmes presionit të vazhdueshëm dhe të përbashkët ndaj agresorit".

Në fundjavë, Ukraina ka pësuar sulmin e saj më të madh ajror që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, me më shumë se 500 dronë dhe raketa balistike dhe lundruese të lëshuara në qytetet e saj.