Botë

NASA planifikon të vendosë reaktor bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

NASA

Foto: Associated Press

Agjencia hapësinore amerikane, NASA, do të përshpejtojë planet për të ndërtuar një reaktor bërthamor në Hënë deri në vitin 2030, sipas mediave amerikane.

Kjo është pjesë e ambicieve të SHBA-së për të ndërtuar një bazë të përhershme për njerëzit, që të jetojnë në sipërfaqen hënore, raporton BBC.

Sipas Politico, kreu në detyrë i NASA-s i është referuar planeve të ngjashme nga Kina dhe Rusia dhe ka thënë se këto dy vende "mund të shpallin potencialisht një zonë ndalimi" në Hënë.

Por mbeten në pyetje se sa realiste janë qëllimi dhe afati kohor, duke pasur parasysh shkurtimet e fundit dhe të mëdha të buxhetit të NASA-s, dhe disa shkencëtarë janë të shqetësuar se planet drejtohen nga qëllime gjeopolitike.

Kombe duke përfshirë SHBA-në, Kinën, Rusinë, Indinë dhe Japoninë po nxitojnë të eksplorojnë sipërfaqen e Hënës, teksa disa planifikojnë edhe vendbanime të përhershme njerëzore.

"Për të avancuar siç duhet këtë teknologji kritike për të qenë në gjendje të mbështesim një ekonomi hënore në të ardhmen, gjenerimin e energjisë me fuqi të lartë në Mars dhe për të forcuar sigurinë tonë kombëtare në hapësirë, është e domosdoshme që agjencia të veprojë shpejt", i ka shkruar NASA-s sekretari i Transportit amerikan, Sean Duffy, i cili është emëruar kreu i përkohshëm i NASA-s nga presidenti Donald Trump, sipas Neë York Times.

Duffy ka kërkuar propozime nga kompanitë komerciale për të ndërtuar një reaktor që mund të gjenerojë të paktën 100 kilovat energji. Kjo është relativisht e vogël pasi një turbinë tipike ere në tokë gjeneron 2-3 megavat.

Ideja e ndërtimit të një reaktori bërthamor si burim energjie në Hënë nuk është e re.

Në vitin 2022, NASA ka lëshuar tri kontrata prej 5 milionë dollarësh për kompanitë për të projektuar një reaktor.

Dhe në maj të këtij viti, Kina dhe Rusia kanë njoftuar se planifikojnë të ndërtojnë një central bërthamor të automatizuar në Hënë deri në vitin 2035.