Botë

Ministri izraelit: Ka ardhur koha të përdorim forcën tonë të plotë në Gaza

Ben Gvir

Ministri izraelit i Sigurisë nga krahu i së djathtës ekstreme, Itamar Ben Gvir, ka thënë të premten se tani është koha që Izraeli të përdorë “forcën e plotë” në Rripin e Gazës, pas njoftimit të grupit militant palestinez Hamas se propozimi i ri amerikan për armëpushim nuk përkon me kërkesat e tij.

“Zoti kryeministër, pasi që Hamasi e refuzoi propozimin e marrëveshjes përsëri, nuk ka më justifikime”, i është drejtuar Ben Gvir kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, përmes një postimi në rrjetin social Telegram.

“Konfuzioni, lëkundja dhe dobësia duhet të marrin fund. Tashmë kemi humbur shumë mundësi. Ka ardhur koha që të përdorim forcën tonë të plotë, pa hezitim, për të shkatërruar dhe vrarë Hamasin deri në njeriun e fundit”, ka shkruar Ben Gvir.

Grupi militant është prononcuar për Reutersin se po i shqyrton planet dhe do të ofrojë një përgjigje gjatë ditës së premte ose të shtunë rreth propozimit amerikan për armëpushim. Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i Hamasit, Bassem Naim, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve Associated Press se propozimi “nuk u përgjigjet kërkesave të popullit tonë, mbi të gjitha ndalimit të luftës dhe të urisë”.