Botë

Merzi dështon të sigurojë shumicën për kancelar të Gjermanisë

Friedrich Merz

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Friedrich Merz ka dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë kancelar i Gjermanisë në votimin e parë në Parlament.

Ai arriti vetëm 310 vota, ndërkaq i nevojiteshin 316. 

Seanca është shtyrë në mënyrë që grupet politike të mund të konsultohen për hapat e ardhshëm.

Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Republikës Federale.

Për t’u zgjedhur kancelar, kandidatit i duhet të sigurojë votat e shumicës absolute të anëtarëve të Bundestagut (50% plus një votë).

Bundestagu i ka 14 ditë për të zgjedhur një kandidat tjetër për kancelar apo ta votojë prapë Merzin në rundin e dytë.

Nëse dështon zgjedhja e kancelarit në raundin e dytë atëherë shkohet në raundin e tretë ku zhvillohet një votim përfundimtar i menjëhershëm.

VIDEO: Momenti i shpalljes së rezultateve të votimit

Kësaj here, kandidati që merr shumicën e votave – edhe nëse jo domosdoshmërisht mbi 50%, konsiderohet i zgjedhur.

Në këtë pikë, presidenti i Gjermanisë vendos çfarë ndodh më tej.

Nëse fituesi ka shumicë absolute, presidenti duhet ta emërojë kancelar.

Nëse fituesi ka vetëm shumicë relative: presidenti mund ose ta emërojë kancelar, ose të shpërndajë Bundestagun dhe të caktojë zgjedhje të reja.

Konservatorët e Merzit të hënën nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen për koalicion me Partinë Socialdemokrate. Aleanca CDU/CSU e Merzit dhe SDP-ja bashkë kanë 328 deputetë.

Merzi dhe partnerët janë zotuar për ringjallje të ekonomisë e rindërtim të ushtrisë. 69-vjeçari është zotuar po ashtu për të frenuar emigracionin e parregullt dhe rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë që javën e shkuar u shpall grup ekstremist i krahut të djathtë nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.

Merz do të tentojë sërish sot që të zgjidhet kancelar

27 min. më parë / 6 maj 2025 14:26
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Sapo është konfirmuar që rundi i dytë në Dhomën e ulët të Parlamentit gjerman (Bundestag) do të mbahet më vonë gjatë ditës së martë.

Mediat gjermane sikurse Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe Welt kanë raportuar se seanca plenare pritet të zhvillohet pas orës 15:00.

Tek ka folur në një konferencë për shtyp, Jens Spahn nga CDU/CSU ka deklaruar se “e gjithë Evropa, ndoshta dhe e gjithë bota” do ta ndjekë nga afër këtë votim, teksa u bëri thirrje deputetëve të jenë të përgjegjshëm dhe të mbështesin kandidatin e koalicionit.

E nga ana tjetër, bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, ka shprehur gjithashtu besimin se “tashmë do të jetë e pranishme shumica e nevojshme” për të konfirmuar zgjedhjen e Merzit.

Në rundin e parë, Merzi dështoi të merrte votat e mjaftueshme.

AfD-ja bën thirrje për zgjedhje të reja në Gjermani

3 o. më parë / 6 maj 2025 11:23
AfD Alice Weidel

Alice Weidel

Photo: Associated Press

Liderja e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, e ka shijuar dështimin e Friedrich Merzit në rundin e parë të votimit për t’u zgjedhur kancelar, teksa ka bërë thirrje për zgjedhje të reja.

“Merzi duhet të tërhiqet dhe rruga duhet të lirohet për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme”, ka thënë ajo para gazetarëve, duke e cilësuar rezultatin e sotëm si një “ditë të mirë për Gjermaninë”. 

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani ka vendosur ta shpallë partinë AfD si një organizatë të konfirmuar e ekstremit të djathtë.

AfD-ja akuzohet se mban qëndrime të hapura proruse dhe se gjithashtu kundërshton zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare AfD-ja doli e dyta duke marrë numrin më të lartë të votave në historinë e saj. Pas zgjedhjeve, AfD-ja madje ka prirë në disa anketa.