Botë

Mbyllet përkohësisht Aeroporti i Mynihut shkaku i dronëve

Aeroporti i Mynihut

Foto: Associated Press

Aeroporti i Mynihut në Gjermani është mbyllur përkohësisht të shtunën në mbrëmje pas raportimeve për dronë të cilët autoritetet nuk ishin në gjendje t'i verifikonin, ka bërë të ditur policia federale.

Aeroporti, një nga më të mëdhenjtë e Gjermanisë, është rihapur para mesnatës, ka njoftuar policia federale. Trafiku ajror ka funksionuar normalisht të dielën në mëngjes, ka njoftuar aeroporti.

“Vëzhgime të dyshimta” u raportuan nga disa persona, përfshirë zyrtarë të sigurisë dhe punonjës të aeroportit, kanë njoftuar policia federale dhe aeroporti. Pamjet ndodhën rreth orës 22:00 sipas orës lokale të shtunën për afërsisht 30 minuta dhe përsëri rreth orës 23:00 për një gjysmë ore tjetër.

Ndikimi në fluturime dhe pasagjerë ishte i vogël, ka njoftuar aeroporti të dielën. Tre fluturime u devijuan, dy prej të cilave më vonë arritën të uleshin në Mynih, dhe një nisje u anulua po ashtu.

Policia federale ka thënë se nuk kishte gjetur asnjë dron ose njerëz të dyshimtë në zonë.

Mbyllja është e fundit pas fluturimeve misterioze të dronëve në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Më herët këtë muaj, Aeroporti i Mynihut u mbyll dy herë brenda 24 orëve pas pamjeve të dronëve. Mijëra pasagjerë u prekën.