Mburoja mbrojtëse mbi reaktorin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, e cila u godit nga një dron në shkurt, nuk mund të kryejë më funksionin e saj kryesor – bllokimin e rrezatimit, ka njoftuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
Në shkurt, një sulm me dron hapi një vrimë në strukturën e mburojës, e cila ishte ndërtuar me shumë kujdes me një kosto prej 1.5 miliardë eurosh. Punimet u përfunduan në vitin 2019 përmes një nisme të udhëhequr nga shtetet evropiane. IAEA ka thënë se inspektimi i javës së kaluar në strukturën prej çeliku tregoi se goditja nga droni kishte dëmtuar dhe degraduar aftësitë e saj.
Shpërthimi i reaktorit të centralit bërthamor të Çernobilit në vitin 1986 – që ndodhi kur Ukraina ishte nën sundimin e Moskës si pjesë e Bashkimit Sovjetik – dërgoi rrezatim në gjithë Evropën. Në përpjekje për të kufizuar shkrirjen bërthamore, sovjetikët ndërtuan mbi reaktor një “sarkofag” prej betoni me jetëgjatësi vetëm 30-vjeçare. Mburoja e re u ndërtua për ta mbajtur të izoluar rrezatimin gjatë procesit shumëvjeçar të heqjes përfundimtare të sarkofagut, të ndërtesës së shkatërruar të reaktorit nën të dhe të materies bërthamore të shkrirë.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, ka theksuar se një mision inspektimi “konfirmoi se struktura mbrojtëse kishte humbur funksionet e saj kryesore të sigurisë, përfshirë aftësinë për izolim, por gjithashtu gjeti se nuk kishte dëmtime të përhershme në strukturat mbajtëse apo në sistemet e monitorimit”.
Grossi shtoi se disa riparime ishin bërë tashmë, “por riparimi i plotë mbetet thelbësor për të parandaluar degradimin e mëtejshëm dhe për të siguruar sigurinë afatgjatë bërthamore”.
OKB-ja njoftoi më 14 shkurt se autoritetet ukrainase thanë se një dron me një kokë shpërthyese me fuqi të lartë goditi centralin, shkaktoi zjarr dhe dëmtoi mbulesën mbrojtëse rreth reaktorit. Autoritetet ukrainase thanë se droni ishte rus. Moska mohoi se kishte sulmuar impiantin.
Nivelet e rrezatimit mbetën normale dhe të qëndrueshme, dhe asokohe nuk pati raportime për rrjedhje rrezatimi, pati thënë OKB-ja në shkurt.
Rusia e kishte pushtuar centralin dhe zonën përreth për më shumë se një muaj gjatë javëve të para të pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, kur forcat e saj u përpoqën fillimisht të avanconin drejt kryeqytetit, Kiev.