Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është optimist se organizata ushtarake do të bjerë dakord për rritje masive të shpenzimeve në një "samit transformues" të mërkurën, teksa udhëheqësit e shteteve anëtare, përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, janë mbledhur në Hagë të Holandës.
Udhëheqësit e aleancës me 32 vende pritet të bien dakord për një objektiv të ri të shpenzimeve të mbrojtjes prej 5% të produktit të brendshëm bruto, pasi SHBA-ja - anëtari me shpenzimet më të mëdha të NATO-s, e ka zhvendosur vëmendjen e saj nga Evropa për t'u përqendruar në prioritetet e sigurisë diku tjetër.
"Pra, një samit transformues. Mezi pres ta shoh”, u ka thënë Rutte gazetarëve në Hagë, përpara se të kryesojë takimin, i cili pritet të zgjasë më pak se tre orë.
Por përpara takimit, Spanja ka njoftuar se nuk do të jetë në gjendje ta arrijë objektivin deri në afatin e ri 2035, duke e quajtur atë "të paarsyeshëm".
Belgjika ka sinjalizuar se as ajo nuk do të arrinte atje, teksa Sllovakia ka thënë se rezervon të drejtën për të vendosur vetë për shpenzimet e saj të mbrojtjes.
Spanja, ashtu si shumë aleatë të NATO-s, përballet me sfida të mëdha ekonomike, dhe lufta globale e tarifave e Trumpit mund ta bëjë edhe më të vështirë për aleatët e Amerikës arritjen e objektivave të tyre.
Disa vende tashmë po shtrydhin shpenzimet për mirëqenien sociale dhe ndihmën e huaj për të kanalizuar fonde shtesë në buxhetet e tyre ushtarake.
