Rutte hap samitin e NATO-s me kërkesën për 5% shpenzime të mbrojtjes

1 o. më parë / 25 qer 2025 13:14
Mark Rutte Donald Trump

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka hapur të mërkurën një samit në Hagë që mund të bashkojë organizatën më të madhe të sigurisë në botë rreth një premtimi të ri për shpenzimet e mbrojtjes ose të zgjerojë përçarjet midis aleatëve.

Rutte riafirmoi në deklaratën e tij hapëse se të gjithë aleatët e NATO-s do të duhet të angazhojnë 5% të BPB-së së tyre në shpenzimet e mbrojtjes.

"Ne do të marrim vendime historike transformuese për t'i bërë njerëzit tanë më të sigurt përmes një NATO-je më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse", ka thënë ai.

Rutte javën e kaluar ishte optimist se anëtarët evropianë dhe Kanadaja do të angazhoheshin të investonin të paktën aq shumë nga rritja e tyre ekonomike në mbrojtje sa bënë Shtetet e Bashkuara për herë të parë.

Pastaj Spanja ka hedhur poshtë objektivin e ri të NATO-s që secili vend të shpenzojë 5% të produktit të tij të brendshëm bruto për mbrojtje (BPB), duke e quajtur atë "të paarsyeshëm". 

Trumpi ka këmbëngulur për këtë shifër, por nuk thotë se duhet të zbatohet për Amerikën. Aleanca vepron me një konsensus që kërkon mbështetjen e të gjithë 32 anëtarëve.

Trump që atëherë ka sulmuar ashpër qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez, duke thënë se “NATO-ja do të duhet të merret me Spanjën. Spanja ka qenë një paguese shumë e dobët”. 

Ai gjithashtu ka kritikuar Kanadanë si “një paguese e dobët”.

Trumpi konfirmon angazhimin ndaj nenit 5 të traktatit të NATO-s

2 o. më parë / 25 qer 2025 12:04
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar angazhimin e SHBA-së ndaj nenit 5 të traktatit të NATO-s.

“Ne jemi me ta gjatë gjithë kohës”, ka deklaruar presidenti amerikan, i pyetur në lidhje me nenin, një ditë pasi ishte raportuar se Trumpi nuk ka konfirmuar angazhimin.

Neni 5 pohon parimin e mbrojtjes kolektive dhe të ndërsjellë, që do të thotë se një sulm kundër një aleati të NATO-s konsiderohet një sulm kundër të gjithë anëtarëve të tij. 

Gjatë rrugës për në samitin e udhëheqësve të NATO-s, Trumpi kishte minuar premtimin thelbësor të aleancës për mbrojtje kolektive, duke shkaktuar tension në takimin i cili ka për synim që ta mbajë atë të interesuar në sigurinë evropiane.

I pyetur gjatë udhëtimit, nëse Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj klauzolës së nenit 5 të traktatit të NATO-s, Trumpi u kishte thënë gazetarëve në Air Force One: "Varet nga përkufizimi juaj. Ka përkufizime të shumta të Nenit 5. E dini këtë, apo jo? Jam i përkushtuar për të shpëtuar jetë. Jam i përkushtuar për jetën dhe sigurinë. Dhe do t'ju jap një përkufizim të saktë kur të shkoj atje. Thjesht nuk dua ta bëj këtë në pjesën e pasme të një aeroplani”, ka deklaruar Trumpi të martën.

Nis punimet samiti i NATO-s, konfliktet dhe shpenzimet e mbrojtjes në qendër të diskutimeve

2 o. më parë / 25 qer 2025 11:39
NATO

Photo: Associated Press

Ka nisur të mërkurën në Hagë të Holandës punimet e samitit dy-ditor të liderëve të NATO-s.

Samiti ka nisur me një konferencë të përbashkët të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentit amerikan, Donald Trump. 

Konflikti në Lindjen e Mesme ishte në qendër të bisedës së shkurtër të tyre me gazetarët dhe pritet të përmendet gjatë gjithë ditës.

Menjëherë pas takimit të sotëm në mëngjes, dyshja është fotografuar bashkë me udhëheqësit e tjerë për foton tradicionale familjare.

Tani krerët e shteteve kanë nisur takimin ku do të diskutojnë mbi çështje që përfshijnë Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes.

Pastaj, këtë pasdite, Rutte do të mbajë një konferencë për shtyp dhe gjithashtu pritet të ketë edhe komente nga Trumpi dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer. 

Mblidhen liderët e NATO-s, Rutte e quan “transformues” samitin

4 o. më parë / 25 qer 2025 09:46
Mblidhen liderët e NATO-s, Rutte e quan “transformues” samitin

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është optimist se organizata ushtarake do të bjerë dakord për rritje masive të shpenzimeve në një "samit transformues" të mërkurën, teksa udhëheqësit e shteteve anëtare, përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, janë mbledhur në Hagë të Holandës.

Udhëheqësit e aleancës me 32 vende pritet të bien dakord për një objektiv të ri të shpenzimeve të mbrojtjes prej 5% të produktit të brendshëm bruto, pasi SHBA-ja - anëtari me shpenzimet më të mëdha të NATO-s, e ka zhvendosur vëmendjen e saj nga Evropa për t'u përqendruar në prioritetet e sigurisë diku tjetër.

"Pra, një samit transformues. Mezi pres ta shoh”, u ka thënë Rutte gazetarëve në Hagë, përpara se të kryesojë takimin, i cili pritet të zgjasë më pak se tre orë.

Por përpara takimit, Spanja ka njoftuar se nuk do të jetë në gjendje ta arrijë objektivin deri në afatin e ri 2035, duke e quajtur atë "të paarsyeshëm".

Belgjika ka sinjalizuar se as ajo nuk do të arrinte atje, teksa Sllovakia ka thënë se rezervon të drejtën për të vendosur vetë për shpenzimet e saj të mbrojtjes.

Spanja, ashtu si shumë aleatë të NATO-s, përballet me sfida të mëdha ekonomike, dhe lufta globale e tarifave e Trumpit mund ta bëjë edhe më të vështirë për aleatët e Amerikës arritjen e objektivave të tyre.

Disa vende tashmë po shtrydhin shpenzimet për mirëqenien sociale dhe ndihmën e huaj për të kanalizuar fonde shtesë në buxhetet e tyre ushtarake.