I dërguari në largim i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Ukrainën, Keith Kellogg, ka thënë se marrëveshja për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë është "shumë afër" dhe tani varej nga zgjidhja e dy çështjeve kryesore problematike: e ardhmja e rajonit Donbas të Ukrainës dhe termocentralit bërthamor Zaporizhzhia.
Rusia ka pushtuar Ukrainën në shkurt të vitit 2022, pas tetë vjetësh luftime midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase në Donbas, i cili përbëhet nga rajonet Donetsk dhe Luhansk.
Lufta në Ukrainë është konflikti më vdekjeprurës evropian që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Rusisë dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.
Kellogg, i cili pritet të japë dorëheqjen në janar, i ka thënë Forumit Kombëtar të Mbrojtjes Reagan, se përpjekjet për të zgjidhur konfliktin ndodhen në "10 metrat e fundit", të cilat ai tha se ishin gjithmonë më të vështirat.
Dy çështjet kryesore të pazgjidhura, ka thënë Kellogg, kanë të bëjnë me territor - kryesisht e ardhmja e Donbasit - dhe e ardhmja e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia të Ukrainës, më i madhi në Evropë, i cili është nën kontrollin rus.
"Nëse i zgjidhim këto dy çështje, mendoj se pjesa tjetër do të shkojë mjaft mirë", ka thënë Kellogg të shtunën në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial Ronald Reagan në Simi Valley, Kaliforni.
"Pothuajse ia dolëm mbanë. Jemi shumë, shumë afër", ka deklaruar Kellogg.
Kellogg, një gjeneral-lejtnant në pension që ka shërbyer në Vietnam, Panama dhe Irak, ka thënë se shkalla e vdekjeve dhe lëndimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë është "e tmerrshme" dhe e pashembullt në aspektin e një lufte rajonale.
Kellogg ka shtuar se, së bashku, Rusia dhe Ukraina kanë pësuar më shumë se 2 milionë viktima, përfshirë të vdekur dhe të plagosur që nga fillimi i luftës.
As Rusia dhe as Ukraina nuk zbulojnë vlerësime të sakta të humbjeve të tyre.
Moska thotë se vlerësimet perëndimore dhe ukrainase i fryjnë humbjet e saj. Kievi thotë se Moska i fryn humbjet ukrainase.
Rusia aktualisht kontrollon 19.2% të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, të gjithë Luhanskun, më shumë se 80% të Donetskut, rreth 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë, dhe pjesë të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.
Një plan prej 28 pikash i administratës Trump për fundin e luftës në Ukrainës, është shfaqur muajin e kaluar, duke alarmuar zyrtarët ukrainas dhe evropianë, të cilët thanë se ishte na favor të kërkesave kryesore të Moskës ndaj NATO-s, kontrollit rus të një të pestës së Ukrainës dhe kufizimeve ndaj ushtrisë së Ukrainës.
Këto propozime, të cilat Rusia tani thotë se përmbajnë 27 pika, janë ndarë në katër komponentë të ndryshëm, sipas Kremlinit. Përmbajtja e saktë nuk është është bërë publike.
Sipas propozimeve fillestare të SHBA-së, termocentrali bërthamor i Zaporizhzhisë, reaktorët e të cilit aktualisht janë në mbyllje të ftohtë, do të rifillonte nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe energjia elektrike e prodhuar do të shpërndahej në mënyrë të barabartë midis Rusisë dhe Ukrainës.