Një britanik 76-vjeçar u dënua të premten me 23 vjet e 10 muaj burg për abuzim me fëmijë, pasi u kishte hedhur qetësues karameleve që u kishte dhënë viktimave të tij në një kamp veror në Angli vitin e kaluar.
Jon Ruben u arrestua në korrik pasi tetë djem të moshës 8 deri në 11 vjeç dhe një i rritur u dërguan në spital. Ai u deklarua fajtor në nëntor për 17 vepra penale, duke përfshirë sulme seksuale ndaj dy fëmijëve nën 13 vjeç dhe tetë akuza për mizori ndaj fëmijëve.
Më vonë ai pranoi se i kishte dhënë qetësues gruas së tij, Susan Ruben, në mënyrë që ajo të mos zgjohej ndërsa ai i abuzonte seksualisht fëmijët, raportoi AP.
Abuzimi ndodhi një fundjavë korriku në Stathern Lodge, një fermë që funksiononte si kamp fëmijësh.
"Ai kaloi dekada duke u përpjekur të paraqiste një pamje se ishte një njeri i drejtë dhe i ndershëm, kur në të vërtetë ishte një pedofil sadist dhe monstruoz", i tha Susan Ruben gjykatës.