Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Magyar thotë se janë bllokuar transfere të fondeve jashtë vendit nga njerëz të lidhur me Orbanin

Peter Magyar

Foto: Associated Press

Autoritetet tatimore në Hungari kanë bllokuar transferet e fondeve jashtë vendit nga persona të paidentifikuar, të lidhur me një ndihmës të lartë të liderit në largim të Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë fituesi i zgjedhjeve, Peter Magyar.

Magyar, i cili pritet të betohet si kryeministri i ri i Hungarisë më 9 maj, ka thënë në rrjetet sociale se autoriteti tatimor NAV kishte “pezulluar disa transferta të lidhura me rrethin e Antal Rogan, me vlerë miliarda forintë, nën dyshimin për pastrim parash”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Magyar nuk ka paraqitur prova në videon që ka publikuar në rrjetet sociale vonë të hënën për të mbështetur akuzat e tij. Miliarda forintë janë ekuivalente me miliona dollarë.

Një zëdhënës i qeverisë nuk i është përgjigjur një emaili për koment lidhur me Rogan, i cili kishte pozitë të rëndësishme në kabinetin e Orbanit.

I pyetur për pretendimet e Magyar, policia hungareze iu referua një deklarate në faqen e saj zyrtare ku thuhej se një hetim është në zhvillim për fshehje të dyshuar të fondeve të fituara në mënyrë të paligjshme ose aseteve të tjera. Deklarata nuk identifikonte asnjë të dyshuar.

Magyar nuk ka identifikuar anëtarët e rrethit të Roganit për të cilët po fliste.

Magyar ka thënë prej kohësh se i druhet se aleatët e Orbanit mund të përdorin javët e fundit në pushtet për të mbrojtur të ardhurat, nga ajo që ai pretendon se ishte korrupsion i përhapur gjatë sundimit 16-vjeçar të Orbanit.

Magyar ka thënë se llogaritë bankare të “disa personave të ndërmjetëm” të lidhur me qeverinë në largim janë ngrirë gjithashtu. Ai nuk ka identifikuar mbajtësit e këtyre llogarive dhe nuk ka dhënë prova.

Në videon e tij, Magyar i ka bërë thirrje kreut të autoritetit tatimor të Hungarisë që të paraqesë kallëzime penale për rrjedhat e dyshimta të parave dhe ka shtuar  se bankat duhet të forcojnë departamentet e përputhshmërisë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.

“Dua të sinjalizoj tani se kushdo, qoftë një autoritet apo një bankë, që nuk vepron në përputhje me ligjin dhe frymën e tij, do të përballet me sistemin e drejtësisë hungareze”, ka thënë ai.

Rogan, 54 vjeç, ka qenë një nga ndihmësit më të afërt të Orbanit gjatë gjithë kohës së tij në pushtet dhe një figurë e lartë në partinë Fidesz.

Ai është vendosur nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së Joe Bidenit, në janar 2025, për shkak të akuzave për korrupsion, për të cilat Uashingtoni ka thënë se kishin pasuruar entitete të afërta me partinë në pushtet. Fidesz i hodhi poshtë këto akuza në atë kohë si të motivuara politikisht.

Sanksionet amerikane u hoqën më pas gjatë administratës së presidentit Donald Trump, i cili mbështeti Orbanin.