Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë para gjykatës së SHBA-së të hënën në New-York. I veshur me uniformë të burgut, Maduro ka dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzat për narko-terrorizëm. E, pak para seancës ndaj tij, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur mbledhje urgjente, gjatë së cilës palët kanë paraqitur pikëpamje të ndryshme për operacionin amerikan në Venezuelë
(BBC, AP) - Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë të hënën para gjykatës amerikane në New-York, bashkë me gruan e tij, ku është përballur me akuzat për narkoterrorizëm, të cilat administrata Trump i përdori për të arsyetuar kapjen dhe dërgimin e tij në SHBA.
Gjatë seancës dëgjimore ai ka thënë se është ende president i Venezuelës teksa nuk ka kërkuar lirim me kusht.
Seanca e radhës ndaj tij është caktuar për 17 mars.
Maduro po ashtu ka deklaruar gjatë seancës së është një “i burgosur lufte”
Transferimi i Maduros dhe gruas së tij nga burgu për në gjykatë kishte filluar me momente dramatike të hënën. Zhurma e prangave në këmbë të Maduros mund të dëgjohej para se ai të hynte në sallën e gjyqit, ku ai është kthyer, ka tundur kokën dhe duket sikur u ka thënë “buenos dias” disa personave në sallë.
Momenti më i tensionuar ishte në fund të seancës, kur një anëtar i publikut filloi t'i bërtiste në spanjisht Maduros se ai do të “paguajë” për atë që kishte bërë.
Mirëpo Maduro është kthyer nga ai dhe është përgjigjur në spanjisht se ai ishte një “president i rrëmbyer” dhe një “rob lufte” përpara se të shoqërohej jashtë i lidhur, pas gruas së tij, përmes derës së pasme të gjykatës.
Çifti u transportua nën masa të rrepta sigurie të hënën herët nga burgu i Bruklinit ku është duke u mbajtur, për në një gjykatë të Manhattanit.
Tensionet në KS të OKB-së
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur të hënën një takim urgjent për Venezuelën, gjatë të cilit palët kanë paraqitur pikëpamje të kundërta për operacionin amerikan në shtetin e Amerikës së Jugut.
I dërguari i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, u ka bërë thirrje të hënën Shteteve të Bashkuara të lirojnë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, duke paralajmëruar se veprimet e Uashingtonit mund të sjellin një epokë të re kolonializmi dhe imperializmi.
“Washingtoni po gjeneron një vrull të ri për neokolonializmin dhe imperializmin, të cilat u dënuan dhe u hodhën poshtë në mënyrë të përsëritur dhe vendimtare nga popujt e këtij rajoni dhe nga jugu global në tërësi... Kambana tani bie në të gjithë rajonin, duke rënë për çdo vend të Hemisferës Perëndimore”, ka deklaruar Nebenzya.
Ndërkaq, i dërguari i SHBA-së, Mike Waltz, ka përsëritur deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, duke thënë se kapja e Maduros, ishte një “operacion i zbatimit të ligjit”. Ai ka theksuar se SHBA-ja nuk e ka pushtuar Venezuelën.
“Nuk ka luftë kundër Venezuelës apo popullit të saj. Ne nuk po pushtojmë një vend”, është shprehur Waltz.
Mediat kanë raportuar se Maduro është paraqitur në gjykatë me uniformë burgu teksa ai ka angazhuar avokatin Barry Joel Pollack, tregojnë të dhënat e gjykatës federale.
Pollack njihet më së shumti për përfaqësimin e themeluesit të Ëikileaks, Julian Assange.
Zbutja e tonit
Ndërkohë, presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, e cila fillimisht ka kërkuar që SHBA-ja ta kthejë Maduron, të dielën vonë ka zbutur qëndrimin duke ofruar bashkëpunim me presidentin Trump dhe “marrëdhënie respekti” me SHBA-në.
E presidenti Trump i ka bërë thirrje asaj të sigurojë “qasje të plotë” në vendin e saj, përndryshe e ka kërcënuar se do të përballet me pasoja.
Një aktakuzë prej 25 faqesh e bërë publike të shtunën ngarkon Maduron dhe të tjerët se kanë bashkëpunuar me kartelet e drogës për të lehtësuar dërgesën e mijëra tonëve kokainë në SHBA.
Ata mund të përballen me burgim të përjetshëm nëse dënohen.
SHBA-ja ka kapur Maduron dhe gruan e tij gjatë një operacioni ushtarak të shtunën, në shtëpinë e tyre në një bazë ushtarake.
Trumpi ka thënë pas kapjes së tij se SHBA-ja do ta drejtojë Venezuelën përkohësisht.
Lajmi i mirë për Hungarinë
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë të hënën se operacioni ushtarak amerikan në Venezuelë që rrëzoi presidentin e vendit, Nicolas Maduro, është një "lajm i mirë" për Hungarinë, për shkak të efekteve të mundshme pozitive të këtij veprimi në tregjet botërore të energjisë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Budapest, Orban, një aleat i ngushtë i presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili urdhëroi sulmin ushtarak kundër Venezuelës, ka thënë se së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela mund të kontrollojnë 40% deri në 50% të rezervave globale të naftës.
"Amerikanët kanë nevojë për energji më të lirë për programin e politikave ekonomike të shpallur nga presidenti. Kjo kërkon çmime më të ulëta të energjisë se ato të sotmet. Dhe ky është një lajm i mirë për Hungarinë", ka thënë Orban.
"Unë shoh një shans serioz që, si rezultat i vënies nën kontroll të Venezuelës, një situatë më e favorshme globale e energjisë do të lindë edhe për Hungarinë. Dhe ky është një lajm i mirë”, ka shtuar ai.
Hungaria nën Orbanin ka mbetur shumë e varur nga nafta dhe gazi rus edhe pasi Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje në shkurt 2022, duke ngatërruar shumicën e partnerëve të saj në Bashkimin Evropian, të cilët kanë ulur ndjeshëm importet e tyre të energjisë ruse ose i kanë ndaluar ato plotësisht.
Kërcënimi i Trumpit dhe paralajmërimi i Petros
Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, ka paralajmëruar të hënën se do të “merrte armët në dorë” nëse SHBA-ja vendos ta sulmojë atë ose vendin e tij, pas një sërë kërcënimesh nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Në një postim në X, Petro ka nënvizuar përpjekjet e tij për të luftuar trafikun e drogës, gjë për të cilën Trumpi e ka kritikuar, teksa ka pretenduar se sulmet ushtarake amerikane kundër trafikantëve në Kolumbi do të rrezikonin vrasjen e fëmijëve dhe nxitjen e rekrutimit për grupet separatiste që kanë qenë në konflikt me shtetin për dekada.
“Dhe nëse arrestojnë një president që ka mbështetjen dhe respektin e një pjese të madhe të vendit, ata do të nisin një kryengritje popullore”, ka shtuar ai.
Petro, një ish-anëtar i grupit guerilas M19, ka thënë gjithashtu se ai vetë do të luftonte për të mbrojtur Kolumbinë.
“U betova se nuk do të prekja më një armë por për atdheun do të marr përsëri armët”, ka thënë ai.
Trumpi ka pasur fjalë të ashpra për Petron të dielën, duke e përshkruar atë si “një njeri të sëmurë që i pëlqen të bëjë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara, dhe se nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë”.
Kur një gazetar e pyeti nëse këto komente nënkuptonin se mund të kishte një “operacion” në Kolumbi në të ardhmen, Trump është përgjigjur: “Më duket mirë”.