Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe Bashkimi Evropian kanë akuzuar Uashingtonin për "shtrëngim dhe frikësim", pasi Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur një ndalim vizash për pesë figura të shquara evropiane që kanë qenë në zemër të fushatës për të futur ligje që rregullojnë gjigantët amerikanë të teknologjisë.
Ndalimet e vizave u vendosën të martën ndaj Thierry Breton, një ish-komisioner i BE-së dhe një nga arkitektët e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të bllokut, dhe katër aktivistëve kundër dezinformimit, përfshirë dy në Gjermani dhe dy në Mbretërinë e Bashkuar.
Masa shënjestroi gjithashtu Imran Ahmed, drejtorin ekzekutiv britanik të Qendrës për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale me bazë në SHBA, Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon të organizatës jofitimprurëse gjermane HateAid, dhe Clare Melford, bashkëthemeluese e Indeksit Global të Dezinformimit.
Duke justifikuar ndalimet e vizave, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shkruar në X se “për një kohë shumë të gjatë, ideologët në Evropë kanë udhëhequr përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të ndëshkojnë pikëpamjet amerikane kundërshtuese. Administrata Trump nuk do t’i tolerojë më këto akte të shëmtuara të censurës ekstraterritoriale.”
DSA-ja shihet nga Uashingtoni si një formë censure, ndërsa udhëheqësit evropianë thonë se rregulloret janë të nevojshme për të kontrolluar gjuhën e urrejtjes, por debati kërcënon të bëhet pjesë e një konflikti shumë më të gjerë kulturor dhe politik midis administratës së Donald Trumpit dhe Evropës.
Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë digjitale gjithmonë kanë pasur gjasa të bëhen një teatër i madh konfrontimi midis SHBA-së dhe Evropës, pasi këto teknologji bëhen gjithnjë e më qendrore për ushtrimin e pushtetit.
Macroni e ka dënuar ndalimin e lëvizjes.
“Këto masa përbëjnë frikësim dhe shtrëngim që synojnë minimin e sovranitetit dixhital evropian”, ka shkruar ai, gjithashtu në X.
"Rregulloret dixhitale të Bashkimit Evropian u miratuan pas një procesi demokratik dhe sovran nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli. Ato zbatohen brenda Evropës për të siguruar konkurrencë të drejtë midis platformave, pa synuar asnjë vend të tretë, dhe për të siguruar që ajo që është e paligjshme jashtë linje është gjithashtu e paligjshme në internet. Rregullat që rregullojnë hapësirën dixhitale të Bashkimit Evropian nuk kanë për qëllim të përcaktohen jashtë Evropës", ka shtuar Macroni.