Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lufta e shoqërisë civile në Evropë kundër të djathtës ekstreme

Viktor Orban

Partitë e krahut të djathtë në Evropë përmes metodave të ndryshme po synojnë t’i heshtin Organizatat e Shoqërive Civile, që po i kundërshtojnë ato

Pauline Voss, zëvendësredaktore e ”Nius”, një media e djathtë që po rritet shumë shpejt dhe që synon të bëhet “Fox News” i Gjermanisë, beson se grupet progresiste të shoqërisë civile në Gjermani janë të angazhuara në një fushatë të koordinuar për të “vepruar kundër popullsisë së tyre”.

Kjo mund të jetë arsyeja pse, sipas një studimi të këtij viti nga grupi progresist i presionit “Campact”, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) paraqiti 295 pyetje parlamentare që synonin OJQ-të me prirje të majta vitin e kaluar – më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2024.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pyetjet parlamentare në Gjermani janë një formë legjitime e kontrollit demokratik. Por aktivistët thonë se paraqitja e tyre në një numër kaq të madh, dhe të gjitha duke synuar të njëjtën gjë, se statusi i mbrojtur dhe financimi publik i OJQ-ve u japin atyre ndikim të padrejtë politik, përbën ngacmim, frikësim dhe “një përpjekje për të imponuar një narrativë politike”.

Dikur, shoqëria civile gjermane “shërbente për të kritikuar shtetin dhe institucionet e tij”, tha Voss shtatorin e kaluar.

“Sot, ajo vepron si një zgjatim i shtetit”, thotë ajo tani. Kjo, sipas saj, përbën një kërcënim për “diskursin e lirë demokratik”. Grupet e shoqërisë civile, në thelb, po “luftojnë” kundër popullit, sipas saj.

Shteti i së drejtës nuk varet vetëm nga një sistem drejtësie i pavarur dhe efektiv dhe nga një media e lirë dhe pluraliste, por edhe nga organizatat e shoqërisë civile të cilat janë të vendosura e të pandikuara, vlerëson “Civil Liberties Union for Europe” (Liberties).

“Institucione të pavarura që mbajnë qeveritë përgjegjëse, mundësia për të pasur qasje në informacion dhe për të sfiduar vendimet, dhe aftësia e shoqërisë civile për t’u organizuar”, janë fushat më shqetësuese në raportin e “Liberties” për shtetin e së drejtës për vitin 2026.

Në Hungari, ku Viktor Orban këtë muaj përballet me një betejë për të qëndruar në pushtet, këta mekanizma kontrolli janë dobësuar ndjeshëm. OJQ-të, ndoshta edhe ato me nivelet më të vogla të financimit të huaj, futen në lista të zeza, kontrollet tatimore të synuara, fushatat shpifëse në media dhe kurthet ligjore e bëjnë pothuajse të pamundur kundërshtimin. Marshimet në mbështetje të komunitetit LGBTQ+ janë ndaluar praktikisht.

Por taktika të ngjashme, shpesh të nxitura (edhe pse jo vetëm) nga partitë e ekstremit të djathtë në pushtet ose që janë në rritje sipas sondazheve, po përdoren tani në shumë vende të tjera të BE-së, përfshirë disa, si Gjermania, që kanë reputacion të fortë për shtetin e së drejtës.

AfD-ja nuk është e vetmja parti gjermane që synon grupet që kundërshtojnë agjendën e saj. Vetëm një ditë pasi CDU-ja e qendrës së djathtë e Friedrich Merzit fitoi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025, paraqiti kërkesë formale parlamentare për OJQ-të.

Kërkesa përmbante më shumë se 550 pyetje të detajuara mbi financimin e grupeve si “Greenpeace” dhe “Omas gegen Rechts” (Gjyshet kundër së djathtës), të cilat kishin protestuar gjatë fushatës zgjedhore kundër asaj që e përshkruanin si zhvendosje e CDU-së drejt së djathtës.

“Ishim pa fjalë dhe të zemëruar”, tha Kerstin Neurohr nga “Gjyshet kundër së djathtës” për mediat gjermane në atë kohë. “Dhe secili prej nesh e kuptoi: puna jonë do të mbetet e nevojshme në të ardhmen e parashikueshme sepse në njëfarë mënyre, gjërat po bëhen vetëm më keq”.

Kritikët thanë se kjo kërkesë u ngjante veprimeve represive kundër shoqërisë civile në Hungari dhe Sllovaki, të dyja të qeverisura nga qeveri nacionaliste dhe autoritare.

OJQ-të e apostrofuara folën me shqetësim se mund ta humbnin benefitin që të mos paguajnë taksa,  nëse puna e tyre konsiderohej shumë politike.

Paralelisht me presionin politik në rritje ndaj organizatave të shoqërisë civile, dhe në përputhje me vende të tjera në Evropë, Gjermania ka vendosur gjithashtu ato që “Liberties” i quan “kufizime masive mbi lirinë e shprehjes dhe tubimit”, duke prekur veçanërisht protestat për klimën dhe solidaritetin me Palestinën.

Grupet kritike ndaj mbështetjes së qeverisë për Izraelin dhe luftën në Gazë kanë denoncuar ato që i quajnë taktika të ashpra në kufizimin e të drejtës për protestë, me përplasje mes policisë dhe demonstruesve në tubimet pro-palestineze që janë të zakonshme në Berlin.

Autoritetet kanë akuzuar aktivistët për krijimin e një “atmosfere agresive”, por pjesëmarrësit dhe vëzhguesit kanë dënuar vazhdimisht ato që i konsiderojnë si sulme të tepruara dhe të paprovokuara ndaj protestuesve nga policia, duke përdorur sprej piperi, topa uji, shkopinj dhe teknika kapjeje të qëllimshme për të shkaktuar dhimbje.

Gjendja në Itali

Një tablo e ngjashme shfaqet në Itali, ku koalicioni qeverisës i Giorgia Meloni ka bërë rikthimin e “ligjit dhe rendit” prioritet që nga marrja e pushtetit në tetor 2022. Në prill të vitit të kaluar, Qeveria miratoi me dekret, duke anashkaluar debatin politik dhe teknik, një projektligj të ashpër sigurie që prezanton një sërë veprash të reja penale që prekin aktivistët, minoritetet dhe kundërshtarët e tij.

Dispozitat e ligjit, të zbatuara për herë të parë dy muaj më vonë, kundër punëtorëve të çelikut që protestonin në Bolonjë, kriminalizojnë më tej forma të ndryshme të protestës paqësore dhe rezistencës pasive, duke përfshirë, për shembull, aktivistët ambientalë që bllokojnë rrugët dhe demonstruesit që rezistojnë ndaj policisë.

Një projektligj i dytë sigurie, i hartuar pas përplasjeve të dhunshme në Torino për dëbimin e një qendre sociale të majtë dhe i miratuar pikërisht në kohë për Lojërat Olimpike Dimërore, lejon policinë të ndalojë persona të dyshuar si nxitës të mundshëm për deri në 12 orë, madje para se protesta të fillojë.

Në fund të vitit të kaluar, partia e ekstremit të djathtë “Lega” e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini paraqiti edhe një tjetër projektligj sigurie (të tretin), me 14 dispozita të tjera që kriminalizojnë më tej protestën dhe kundërshtimin. Ai përfshinte edhe një propozim për të kërkuar një depozitë nga organizatorët e demonstratave për të mbuluar dëmet e mundshme.

Riccardo Magi, president i partisë së majtë “Piu Europa” (Më shumë Evropë), tha se trendi i përgjithshëm tregon qartë “një zhvendosje drejt joliberalizmit”. Angelo Bonelli, deputet i “Aleancës së Gjelbër-Të Majtë (AVS)”, tha se kjo përfaqëson “një shkelje serioze të së drejtës kushtetuese për të protestuar”.

Qeveria e Melonit, e udhëhequr nga partia e saj “Fratelli d’Italia”, e cila ka rrënjë neofashiste, ka ndërmarrë gjithashtu veprime kundër grupeve të shoqërisë civile dhe OJQ-ve, veçanërisht ndaj atyre që operojnë si anije kërkim-shpëtimi në Mesdhe.

Një seri dekretesh qeveritare ka çuar në “ndalimin administrativ” të anijeve të shpëtimit dhe avionëve mbështetës, si dhe në sanksione të rënda ekonomike ndaj grupeve që i operojnë ato. Në korrik të vitit të kaluar, 32 OJQ të kërkim-shpëtimit thanë se kjo ka bërë që që nga viti 2023, ato të kenë kaluar gjithsej “960 ditë në port, në vend që të shpëtonin jetë në det”.

Për shkak të masave të Romës, shumë pak OJQ operojnë tani në Mesdhe. Por ndërsa këto politika kanë çuar në uljen e numrit të njerëzve që mbërrijnë në Itali me anije, numri i vdekjeve në det mbetet i lartë.

Dobësim kontrolli në Francë

Mekanizmat e kontrollit dhe balancës janë dobësuar gjithashtu në Francë. Në korrik, më shumë se 30 OJQ kryesore, përfshirë “Greenpeace” dhe “Oxfam”, nënshkruan një letër të hapur duke paralajmëruar për një trend “shqetësues”, ku grupet e shoqërisë civile u nënshtrohen rregullisht “kërcënimeve, mbikëqyrjes dhe shpifjes” në një fushatë frikësimi.

“Shpërbërjet administrative”, një masë që u krijua në vitet 1930 për të luftuar fashizmin, u përdorën ose u kërcënuan të përdoren nga qeveria franceze në vitin 2025 kundër disa lëvizjeve qytetare, si aktivistët e mjedisit dhe një grup pro-palestinez.

Kufizimet e njerëzve në rrugë ose ndalimet e plota të protestave, dhuna policore - një problem i kahershëm në Francë, dhe heqja e subvencioneve publike, po kontribuojnë të gjitha në “një kufizim të rrezikshëm të hapësirës qytetare”, shkruajë  nënshkruesit e letrës.

Polonia, ndërkohë, e cila përjetoi tetë vjet qeverisje nacionaliste nga qeveria e mëparshme e “Ligj dhe Drejtësi (PiS)”, shërben si kujtesë për sa e rëndësishme është një shoqëri civile e gjallë.

E vendosur mes luftës në Ukrainë, rritjes së mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë dhe një presidenti armiqësor me të drejtë vetoje, qeveria e Donald Tuskut ka marrë disa vendime të cilat kanë nxitur debat. Por organizatat e shoqërisë civile, sipas “Liberties”, “ruajnë standardet dhe japin alarmin”.

Siç e shprehën autorët e letrës franceze, ato janë “zemra që rreh e demokracive tona. Ato rrisin ndërgjegjësimin, mbrojnë dhe mbështesin interesin publik”.

Përballë një tendence në mbarë Evropën drejt “normalizimit të represionit”, ku “mbrojtja e të drejtave të njeriut po barazohet gjithnjë e më shumë me ekstremizmin”, është koha, thanë ata, “të ngremë kokën dhe të rezistojmë, së bashku”.