Një grup prej 11 anëtarësh të Kongresit amerikan po viziton Danimarkën për të treguar mbështetje, ndërsa presidenti Donald Trump po kërkon që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën, territor gjysmë-autonom i Danimarkës në Arktik.
Gjatë vizitës, ata do të takohen me deputetët danezë, kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministrin e Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, raporton BBC.
Kjo vizitë vjen vetëm disa ditë pasi bisedimet e nivelit të lartë në Washington nuk arritën ta bindin Trumpin të heqë dorë nga planet e tij. Ai këmbëngul se Grenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së dhe se Danimarka nuk është në gjendje ta mbrojë atë nga kërcënime të mundshme nga Rusia ose Kina.
Si Danimarka ashtu edhe Grenlanda e kanë kundërshtuar hapur çdo ide për marrje nën kontroll nga SHBA-ja.
Grenlanda ka pak banorë, por është e pasur me burime natyrore. Pozicioni i saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën strategjikisht të rëndësishme për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve me raketa dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.
SHBA-ja tashmë ka mbi 100 trupa të stacionuara në bazën Pituffik, e cila funksionon që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-ja ka të drejtë të dislokojë sa trupa të dëshirojë në Grenlandë.
Megjithatë, Trump ka deklaruar se SHBA duhet ta zotërojë Grenlandën për ta mbrojtur siç duhet. Ai ka ofruar vazhdimisht ta blejë territorin, një ofertë e refuzuar nga Danimarka dhe Grenlanda. Presidenti amerikan madje ka përmendur edhe mundësinë e marrjes me forcë.
Danimarka ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak do të shënonte fundin e NATO-s, aleancës mbrojtëse transatlantike ku SHBA-ja është partneri më me ndikim. NATO funksionon mbi parimin e mbrojtjes së ndërsjellë dhe kurrë më parë nuk është përballur me një situatë ku një anëtar do të përdorte forcë kundër një tjetri.
Aleatët evropianë janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës. Ata kanë theksuar se Arktiku është po aq i rëndësishëm për ta dhe se siguria e rajonit duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e NATO-s, me përfshirjen e SHBA-së.
Disa shtete - përfshirë Francën, Gjermaninë, Suedinë, Norvegjinë, Finlandën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë dërguar një numër të kufizuar trupash në Grenlandë, në kuadër të një misioni zbulues.