Botë

Në ditën e gjashtë të luftimeve me Izraelin, Irani kërcënon SHBA-në

Khamenei

Foto: Associated Press

Dita e gjashtë e konfliktit:

Lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar në rrjete sociale duke shkruar shkurt: Beteja nis. Disa orë më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, e quajti liderin suprem “cak të lehtë”, dhe u shpreh se SHBA-ja po e humb durimin me të. Ai po ashtu i bëri thirrje për dorëzim.

Trumpi po mendon për opsionet: Trumpi po mendon të përdorë asetet ushtarake amerikane për të goditur caqet iraniane dhe po heziton ndaj idesë për zgjidhje diplomatike, sipas dy zyrtarëve që kanë folur për CNN-in. Por kjo mund të ndryshojë nëse Irani bën lëshime.

Në terren, Izraeli ka thënë se ka goditur zonën e centrifugave në Teheran dhe fabrikat e armatimit si pjesë të sulmeve të natës. Irani ka lëshuar sulmet ndaj Izraelit, ndërsa sirenat janë lëshuar dy herë.  

Macroni nis iniciativën evropiane për të negociuar përfundimin e konfliktit Izrael – Iran

1 muaj më parë / 18 qer 2025 23:31
Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka udhëzuar ministrin e Jashtëm, Jean-Noel Barrot, që të punojë me partnerët evropianë mbi një propozim të negociuar për t’i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Iranit

Macroni të mërkurën ka mbledhur Këshillin e sigurisë dhe të mbrojtjes për të diskutuar për situatën në Iran, thuhet në deklaratën e zyrës së tij.

“Është e nevojshme që urgjent t’u jepet fund këtyre operacioneve ushtarake, që bartin kërcënime të rënda për sigurinë rajonale”, ka thënë ai.

Ministria e Jashtme franceze, ashtu si shumë shtete të tjera, po ndërmjetëson lëvizjen e shtetasve francezë jashtë nga Izraeli dhe Irani.

Raportohet se televizioni shtetëror iranian është hakuar

1 muaj më parë / 18 qer 2025 23:17
tv iran

Televizioni shtetëror iranian ka paralajmëruar popullin për një video përmes së cilës po i bëhet thirrje që të “ngritën” kundër qeverisë.

“Nëse vëreni mesazhe jorelevante derisa shikoni televizion është për shkak se armiku po pengon sinjalet satelitore”, thuhet në deklaratën e televizionit, raportoi BBC. 

Videoja, e cila është shpërndarë edhe në rrjetet sociale, akuzon udhëheqësinë iraniane se po “e zhgënjen” popullin e vet dhe u bën thirrje shikuesve që të marrin “nën kontroll të ardhmen tuaj”. Burimi i videos dhe pretendimi se televizioni është hakuar ende nuk dihen.

Një logo luani duket në qoshe të videos, po ashtu imazhe të komandantëve iranianë të vrarë gjatë ofensivës izraelite më 13 qershor.

Në video ishin edhe pjesë nga protestat masive të vitit 2022, të nxitura nga vdekja e Mahsa Aminit derisa po mbahej nga policia.

Irani kërcënon SHBA-në, Trumpi i pavendosur për ndërhyrje ushtarake

1 muaj më parë / 18 qer 2025 23:05 Nga: The Guardian
Izraeli paralajmëron Iranin: Kaluat vijat e kuqe duke sulmuar qendrat civile

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk ka vendosur ende nëse dëshiron që vendi i tij të bëhet pjesë e konfliktit më të ri të Izraelit, përderisa lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, të mërkurën është shprehur se SHBA-ja do të përballet me “dëme të pariparueshme” nëse vendos në favor të ndërhyrjes ushtarake. 

Khamenei ka shtuar se Izraeli ka bërë një “gabim shumë të madh” për sa i përket nisjes së luftës, në komentet e tij të para që nga e premtja e javës së kaluar, kur nisi konflikti. 

“Amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre do të shoqërohet pa asnjë dyshim nga dëme të pariparueshme”, kishte thënë lideri suprem përmes një njoftimi të lexuar nga një prezantuese në televizionin shtetëror.

Bazuar në raportimin e “New York Times”, Teherani zyrtar ishte duke përgatitur raketa dhe pajisje të tjera për t’i sulmuar bazat amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme në rast se Washingtoni i bashkohet luftës. 

Trumpi ka bërë të ditur se zyrtarët e lartë iranianë kishin bërë kërkesë për t’u takuar, si dhe kishin propozuar njashtu vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan u deklarua para gazetarëve të mbledhur në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë se tashmë “është shumë vonë për të biseduar”, porse s’kishte marrë ende vendim për t’u inkuadruar në luftë. 

“Mund ta bëjë, mund edhe të mos e bëjë. Askush nuk e di se çfarë do të bëjë”, ka thënë ai.

Mes tjerash, presidenti amerikan ka thënë se e ka inkurajuar gjithashtu kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që të vazhdojë me fushatën ushtarake në Republikën Islamike të Iranit.

“I thashë, vazhdo përpara”, është shprehur Trumpi kur është pyetur rreth mesazhit të tij për liderin izraelit në mes të tensioneve në rritje në rajonin e Lindjes së Mesme.

“Flas me të çdo ditë, ai është burrë i mirë, po bën punë të madhe”, ka shtuar presidenti amerikan.
“The Guardian” ka shkruar se kjo mungesë qartësie se çfarë ndodh më pas, mund ta ndikojë vetë presidentin amerikan, i cili është ende në fazën e diskutimeve për të arritur marrëveshje. Sipas ekspertëve, SHBA-ja po mundohet t’i mbajë të gjitha opsionet e hapura për të ushtruar sa më shumë presion ndaj Teheranit.

Amerika po lëviz avionë për furnizim me karburant në ajër në Spanjë dhe Greqi, ku ato mund të përdoren për të furnizuar bombarduesit B-2 në një udhëtim të gjatë nga baza ajrore Whiteman në Missouri për në Iran.

Siç raportohet, nuk është bërë ende asnjë kërkesë ndaj Britanisë së Madhe për përdorimin e bazës ajrore Diego Garcia në Oqeanin Indian për një sulm me avionin B-2, as për përdorimin e bazës ajrore Akrotiri në Qipro për avionët mbushës me karburant, megjithëse kjo e fundit konsiderohet e mundshme.

Asete të tjera të ushtrisë amerikane janë rrugës. Pentagoni ka urdhëruar aeroplanmbajtësen USS Nimitz që të lundrojë prej Singaporit në Lindje të Mesme, ku pritet të mbërrijë për pesë ose shtatë ditë. USS Carl Vinson veçse është në detin e Arabisë.

Sipas raportimeve të mediumit “The Jerusalem Post”, Katari dhe Omani po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim, disa orë pasi një avion i afërt me Qeverinë iraniane fluturoi për në Muskat të Omanit. 

Autoritetet iraniane kanë dhënë sinjale se janë të gatshme të negociojnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, mirëpo pritshmëritë janë që Izraeli ta “relaksojë situatën”, ka bërë të ditur një burim i “The Jerusalem Post”.

Aludimi i Trumpit se iranianët i propozuan atij takim në Shtëpinë e Bardhë u shoqërua me kundërpërgjigjen e misionit të Iranit në Kombet e Bashkuara. 

“Asnjë zyrtar iranianë s’ka kërkuar të gjunjëzohet në portat e Shtëpisë së Bardhë”, thuhet në postimin e misionit në rrjetet sociale.

Administrata e Trumpit ishte distancuar paraprakisht nga konflikti, duke thënë se Izraeli kishte vepruar i vetëm, mirëpo në ditët e fundit vërehet se ka ndryshim të retorikës, si dhe rritje të pranisë ushtarake në Lindjen e Mesme. 

Edhe nëse SHBA-ja vendos të mos i bashkohet luftës, Izraeli ka prapëseprapë opsione ushtarake, mirëpo ato do të ishin më të rrezikshme dhe më të komplikuara. Mund të transportojë trupa për operacione speciale tokësore, si ai që pati cak një fabrikë raketash në Siri vitin e kaluar, ose të çaktivizojë zonën kyç bërthamore Fordow duke sulmuar sistemet mbështetëse, si furnizimi me energji elektrike.

Zyrtarët e lartë izraelitë pretendojnë se lufta ka filluar për vetëmbrojtje dhe për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, por Netanyahu dhe disa ministra nga kabineti i tij tashmë e kanë bërë sekret publik dëshirën e tyre për ndryshim të regjimit në Iran.

Sipas raportimeve, Trumpi e ka kundërshtuar një plan të Izraelit për ta vrarë liderin suprem të Iranit, përderisa kritikët kanë vendosur në pikëpyetje bombardimet izraelite mbi institucionet civile, sikurse rasti me sulmin mbi ndërtesën e transmetuesit publik iranian.

Të mërkurën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se Izraeli është duke bombarduar “simbolet e pushtetit” në Iran, teksa sugjeroi se regjimi i klerikëve fetarë i ka ditët e numëruara.
“Një tornado po kalon nëpër Teheran”, kishte shkruar ai në rrjetin social X. “Simbolet e pushtetit janë duke u bombarduar dhe po rrëzohen, nga autoriteti i transmetimit dhe së shpejti nga objektiva të tjera, dhe turma të mëdha banorësh po ikin. Kështu rrëzohen diktaturat”.

Konflikti në përshkallëzim e sipër ka nxitur shqetësime dhe reagime të mbarë komunitetit ndërkombëtar. Presidenti rus, Vladimir Putin, u shpreh i gatshëm për të ndërmjetësuar një marrëveshje ndërmjet Iranit dhe Izraelit, pasi që njëri nga diplomatët e tij kryesorë e alarmoi Washingtonin që të mos  konsiderojë ‘opsione spekulative’ për ndërhyrje.

“Të thuash se nuk janë përfshirë më herët dhe do të përfshihen tani – mendoj se kjo do të ishte e pasaktë. Është tjetër gjë çfarë ata konsiderojnë për sa i përket ndihmës ushtarake të drejtpërdrejtë për Izraelin. Ne e paralajmërojmë Washingtonin: mos guxoni as të mendoni për këtë. Një veprim i tillë do ta destabilizonte në mënyrë radikale të gjithë situatën”, ka thënë Sergey Ryabko.

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka deklaruar të mërkurën se është “thellësisht i shqetësuar se operacioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit ka shkaktuar një përshkallëzim të papritur të tensioneve në Lindje të Mesme”.

Në natën e gjashtë të sulmeve, Ushtria izraelite bombardoi një vend ku prodhohen centrifuga të uraniumit dhe gjithashtu pretendoi se kishte synuar një fabrikë të raketave, krahas shkatërrimit të pesë helikopterëve sulmues.

Nga ana tjetër, forcat ushtarake të Iranit kanë pësuar goditje të rënda, ndonëse nuk janë shkatërruar plotësisht. Një dron izraelit u rrëzua të mërkurën, pavarësisht aludimeve se Izraeli ka nën kontroll hapësirën ajrore në Iranin perëndimor dhe në Teheran. Brenda natës, Irani lëshoi afro 15 raketa në drejtim të Izraelit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) kishte konfirmuar se sulmet izraelite goditën dy fabrika prodhimi të centrifugave në Iran, një në kryeqytet dhe një tjetër në periferi të tij.

Në Iran është raportuar se të paktën 224 persona kanë humbur jetën nga sulmet e Izraelit, kryesisht civilë, megjithëse këto shifra nuk janë përditësuar që disa ditë. Pavarësisht shifrave të ofruara nga autoritetet, një organizatë për të drejtat e njeriut në Iran ka bërë të ditur se të paktën 585 persona kanë mbetur të vdekur, teksa më shumë se 1,300 janë lënduar.

Deri më tani, sulmet iraniane në Izrael kanë vrarë të paktën 24 persona, të gjithë civilë. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit kanë shkatërruar apo rrëzuar shumicën e 400 raketave të lëshuara nga Teherani, përderisa vetëm 10 përqindëshi i këtyre raketave ka arritur të godasë objektivat brenda vendit. 

Izraeli mund të bëhet më i cenueshëm nëse lufta vazhdon për një kohë më të gjatë, pasi që furnizimet e raketave të tij më efektive për mbrojtjen ajrore po shterojnë, ka raportuar “Wall Street Journal”, tek ka cituar një zyrtar amerikan.

Megjithëse SHBA-ja e ka mbështetur mbrojtjen e Izraelit me sistemet tokësore Thaad, ndërhyrjet e avionëve “F-16” dhe raketat e nisura nga marina, ajo nuk ka furnizime të pakufizuara të këtyre sistemeve mbrojtëse.

Mendohet se Irani ende ka një pjesë të konsiderueshme të rreth 2,000 raketave që kishte në arsenalin e tij në fillim të luftës. Sulmet izraelite janë përqendruar në sistemet e nisjes së raketave që nevojiten për t’i lëshuar ato.

Ushtria izraelite detekton raketa të lëshuara nga Irani

1 muaj më parë / 18 qer 2025 19:10
iran-izrael

Në Ushtrinë izraelite njoftuan të mërkurën se kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Republika Islamike e Iranit dhe se sistemet e mbrojtjes së vendit po punojnë për të “parandaluar kërcënimin”, ka raportuar CNN.

Mes tjerash, përmes njoftimit u kumtuan edhe udhëzime për qytetarët izraelitë që të strehohen nëpër hapësira të mbrojtura, si dhe të qëndrojnë aty deri në lajmërimin e radhës. 

Sipas Ushtrisë, qytetarët mund të largohen nga hapësirat e mbrojtura vetëm pas një “urdhri të drejtpërdrejtë”.

Në ndërkohë, bazuar në raportimin e medias iraniane Mehr, sistemi i mbrojtjes së Iranit gjithashtu është “duke shkatërruar objektiva armiqësore” mbi Teheran.
 

Trumpi e inkurajon Netanyahun t’i vazhdojë sulmet në Iran

1 muaj më parë / 18 qer 2025 17:57
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të mërkurën para gazetarëve se e ka inkurajuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu që të vazhdojë me fushatën ushtarake në Republikën Islamike të Iranit, raporton CNN.

“I thashë, vazhdo përpara”, është shprehur Trumpi kur u pyet rreth mesazhit të tij për liderin izraelit në mes të tensioneve në rritje në rajonin e Lindjes së Mesme.

“Flas me të çdo ditë, ai është burrë i mirë, po bën punë të madhe”, ka vazhduar presidenti amerikan.

Biseda e fundit e njohur e Trumpit me Netanyahun u zhvillua dje (të martën), teksa presidenti amerikan po e konsideron t’i bashkohet përpjekjeve të Izraelit kundër Iranit.

I pyetur nëse i kishte dhënë Netanyahut ndonjë shenjë se mund ta ndihmonte shtetin hebraik përtej asaj që ka bërë tashmë, Trumpi ka thënë se nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Jo. Deri më tani, ai ka bërë një punë të mirë. Ai është trajtuar shumë padrejtësisht”, ka deklaruar Trumpi. “Ai është një president në kohë lufte dhe po kalon nëpër këtë marrëzi, është qesharake”.

Trump: S’mund ta them nëse SHBA-ja do ta sulmojë Iranin

1 muaj më parë / 18 qer 2025 17:43
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, iu ka përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të mërkurën mbi dilemën se a do t’i sulmojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës bazat nukleare të Iranit, teksa bëri të ditur njëkohësisht se zyrtarët e lartë iranianë kanë propozuar bisedime të reja porse, sipas tij, “tashmë është vonë për të folur”. 

“Ka një dallim të madh midis tani dhe një jave më parë”, ka thënë Trumpi para gazetarëve në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë. “Askush nuk e di se çfarë do të bëj”.

Ai ka theksuar se Republika Islamike i ka propozuar SHBA-së bisedime të reja në Shtëpinë e Bardhë, mirëpo nuk ka ofruar detaje. 

Më tutje, Trumpi e ka kualifikuar Iranin si krejtësisht të pambrojtur, pa ndonjë sistem të mbrojtjes ajrore, raporton Reuters.

Kur u pyet mbi deklaratat e liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, i cili u shpreh më herët gjatë ditës se Irani s’do të dorëzohet deri në fund, presidenti amerikan u përgjigj duke i uruar fat homologut të tij.

Izraeli do të lehtësojë kufizimet e brendshme si "mesazh fitoreje" ndaj Iranit

1 muaj më parë / 18 qer 2025 14:48
Israel Katz

Photo: Associated Press

Izraeli ka miratuar rekomandimet nga ushtria e tij për të lehtësuar kufizimet e brendshme, një ndryshim që ministri i Mbrojtjes, Israel Katz e ka përshkruar të mërkurën si një "mesazh fitoreje" ndaj Iranit.

Pas një takimi me Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe Komandën e Frontit të Brendshëm (HFC), Katz ka njoftuar se kufizimet do të lehtësohen nga mbrëmja e së mërkurës, raporton CNN.

"Krahas luftës së intensifikuar kundër Iranit për të larguar kërcënimet, ne do ta rihapim ekonominë, do ta lirojmë gradualisht publikun dhe do ta kthejmë Izraelin në një rrugë aktiviteti dhe sigurie", ka thënë Katz.

Katz ka shtuar se vendimi për të rihapur ekonominë ishte "një mesazh fitoreje ndaj armikut iranian”.

Vendimi i Katzit ka ardhur pasi Irani ka lëshuar rreth 30 raketa drejt Izraelit gjatë natës, si të hënën ashtu edhe të martën.

Këto breshëri më të vogla kanë bërë që disa analistë ushtarakë të spekulojnë se sulmet e Izraelit në vendet e lëshimit të raketave balistike të Iranit dhe në rezervat e tyre kanë penguar aftësinë e regjimit për t'u kundërpërgjigjur.

Instituti për Studimin e Luftës, një organizatë kërkimore në Uashington, ka thënë në një raport të martën se Izraeli "ka të ngjarë të ketë degraduar aftësinë e Iranit për të kryer sulme me raketa balistike".

Dilema e Trumpit për Iranin zbulon përçarjen e thellë në rrethin e tij

1 muaj më parë / 18 qer 2025 14:30
Donald Trump

Photo: Associated Press

Dilema nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i bashkohen Izraelit në një sulm ndaj Iranit apo të qëndrojnë jashtë, ka krijuar ndarje midis mbështetësve të presidentit amerikan Donald Trump, raporton “BBC”. 

Presidenti republikan raportohet se po e shqyrton mundësinë e ndihmës për t’i goditur objektet bërthamore të Republikës Islamike të Iranit, pas një takimi me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare që e pati të martën.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trumpi shpesh kritikonte “luftërat e pafundme dhe të pakuptimta” në Lindjen e Mesme, por gjithashtu theksonte se Irani “nuk mund të ketë një armë bërthamore”.

Mundësia që ai ta tërheqë SHBA-në në një tjetër ndërhyrje të huaj ka vënë përballë njëra-tjetrës me ashpërsi krahun izolacionist dhe atë përkrahës të ndërhyrjes ushtarake, brenda partisë së tij.

Të martën, kongresisti republikan konservator Thomas Massie nga Kentucky u bashkua me demokratët për të paraqitur një projektligj që do t’i ndalonte Trumpit t’i angazhonte forcat amerikane në sulm kundër Iranit pa miratimin paraprak nga Kongresi.

“Kjo nuk është lufta jonë. Edhe nëse do të ishte, Kongresi duhet të vendosë për çështje të tilla sipas Kushtetutës sonë”, ka shkruar Massie në rrjetin social “X”.

Disa përkrahës të doktrinës së Trumpit, “Amerika e Para”, theksuan se ai kishte premtuar ta mbante SHBA-në larg “luftërave të pafundme”, si ato që çuan në vdekjen e mijëra trupave amerikane në Afganistan dhe Irak.

Ish-prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson, ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë jashtë konfliktit me Iranin.

Në podkastin e tij, ai kritikoi ashpër “luftënxitësit” republikanë, gjë që nxiti një reagim nga Trumpi, i cili e quajti Carlsonin “të çmendur”.

Kongresistja nga Georgia dhe mbështetësja besnike e Trumpit, Marjorie Taylor Greene, i doli në mbrojtje Carlsonit në një distancim të pazakontë nga presidenti.

Ajo ka thënë se kushdo që mbështet një ndërhyrje të tillë nuk është pjesë  e “Amerika e Para”.

Tensionet shpërthyen në një debat me tone të larta të martën, gjatë një interviste mes Carlson dhe senatorit nga Teksasi, Ted Cruz, që mbështet ndërhyrjen ushtarake amerikane në Iran.

Cruz u vu në mbrojtje kur u pyet nëse e dinte popullsinë dhe përbërjen etnike të Iranit.

“Ti je një senator që po bën thirrje për përmbysjen e qeverisë dhe nuk di asgjë për vendin!” – i tha atij Carlson.

Ndërsa Cruzi iu përgjigj duke i thënë Tucker Carlsonit se “jo, ti nuk di asgjë për vendin!”

Steve Bannon, ish-strategu politik i Trumpit, argumentoi në podkastin e Carlsonit se aprovimi për ta futur SHBA-në në një luftë me Iranin do ta “shkatërronte” koalicionin e mbështetësve të Trumpit.

“Nëse përfshihemi në këtë luftë, e cila duket se po afrohet në mënyrë të pashmangshme në aspektin ushtarak, nuk do të shkatërrojë vetëm koalicionin, por edhe do ta pengojë gjënë më të rëndësishme — dëbimin e pushtuesve të paligjshëm që ndodhen këtu”, ka thënë ai.

Senatori i Kentuckyt, Mitch McConnell, ka shtuar se kjo ka qenë “një javë disi e keqe për izolacionistët” brenda partisë.

“Ajo që po ndodh këtu është se disa nga izolacionistët, të udhëhequr nga Tucker Carlson dhe Steve Bannon, janë të shqetësuar që mund t’i ndihmojmë izraelitët t’i mundin iranianët”, ka thënë McConnelli për CNN-in.

Përkrahësit e tjerë të ndërhyrjes ushtarake, po e shtyjnë Trumpin ta godasë Iranin.

Senatori i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, ka thënë se ishte në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së që të parandalohet Irani nga zhvillimi i një bombe bërthamore. Teherani pohon se programi i tij bërthamor është krejtësisht për qëllime paqësore dhe civile.

“Presidenti Trump kupton kërcënimin që Ayatollahu (lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei) na paraqet jo vetëm neve, por edhe Izraelit, dhe se në fund të fundit ai do t’i ndihmojë izraelitët të përfundojnë punën”, ka thënë Graham për transmetuesin amerikan “Fox News”.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, duke kërkuar të mbajë një urë midis palëve, ka shkruar në një postim në rrjetet sociale se Trumpi “mund të vendosë që duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të ndalur pasurimin e uraniumit nga ana e Iranit”.

“Vendimi në fund i takon presidentit”, ka shtuar ai. “Dhe natyrisht, njerëzit kanë arsye të shqetësohen për ndërhyrjet në 25 vjetët të fundit”.

Një sondazh i fundit tregon se votuesit e Trumpit do ta mbështesnin në masë të madhe ndihmën e SHBA-së për Izraelin në sulmin ndaj Iranit.

Studimi nga instituti “Gray House” ka zbuluar se 79% e të anketuarve do të mbështesnin furnizimin e Izraelit me armë sulmuese për t’i goditur objektivat ushtarake iraniane. Ndërkohë, rreth 89% ishin të shqetësuar për zhvillimin e bombave atomike nga Irani.

Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë në shtator, Trump kishte premtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rikthenin paqen dhe stabilitetin në rajonin e Lindjes së Mesme.

Me konfliktin Iran-Izrael në një pikë kritike, pyetja nëse presidenti amerikan është izolacionist apo intervenues mund të marrë përgjigje më shpejt sesa pritej.

Çfarë ka ndodhur ditë pas dite në luftimet Iran-Izrael

1 muaj më parë / 18 qer 2025 14:28
Çfarë ka ndodhur ditë pas dite në luftimet Iran-Izrael

Photo: Associated Press

Janë bërë gjashtë ditë qëkur Izraeli ka nisur ofensivën në Iran. Teherani është kundërpërgjigjur me sulme, duke bombarduar Izraelin.

Izraeli nisi sulmet me pretendimin se po ndal Iranin nga bërja e armës bërthamore. Këtë pretendim e ka hedhur poshtë Irani. Luftimet janë përshkallëzuar dhe deri tash ka qindra të vdekur, ndërsa kërcënimet janë rritur. Qytetarë të shumtë po braktisin Iranin pas thirrjeve për evakuim.

Çfarë ka ndodhur ditë pas dite, qëkur nisi konflikti:

Të premten, Izraeli goditi disa qendra në Iran, përfshirë fabrika nukleare e zona banimi në Teheran, duke vrarë një sërë komandantësh të lartë të Gardës Revolucionare Iraniane, shkencëtarë bërthamore e civilë. Irani më pas u hakmor duke nisur disa valë dronësh e raketash në qendrat ushtarake dhe bazat ajrore në Izrael.

Në fundjavë, sulmet vazhduan dhe u godit infrastruktura e naftës. Izraeli ka thënë se të paktën 20 persona janë vrarë në disa sulme deri të hënën. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se 224 persona janë vrarë e mbi 1200 janë lënduar deri të dielën në mbrëmje.

Të hënën, Izraeli urdhëroi evakuimin e pjesës veriore të Teheranit. Më vonë atë ditë, presidenti amerikan, Donald Trump, postoi në rrjete sociale duke thënë se “të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”.

Të martën, mijëra njerëz u panë duke u larguar nga Teherani që ka 10 milionë banorë. U raportua për kolona të shumta. Ndaras, Trumpi ka shkruar në rrjete sociale se lideri suprem iranian, Ali Khamenei, është “shënjeshtër e lehtë”, por se “nuk do ta heqin qafe” edhe për pak kohë.

Të mërkurën, Khamenei u përgjigj duke kërcënuar edhe SHBA-në nëse i bashkohet Izraelit në luftime. E në mediat amerikane zyrtarë amerikanë janë cituar tek kanë thënë se Trumpi megjithatë po e mendon ndërhyrjen e tij.

Mbi 400 qytetarë evropianë evakuohen nga Izraeli

1 muaj më parë / 18 qer 2025 14:09 Nga: Ideal Zhubi
BE

Bashkimi Evropian ka ndihmuar në evakuimin e rreth 400 qytetarëve të tij nga Izraeli përmes Jordanisë dhe Egjiptit, si pjesë e përpjekjeve për të koordinuar reagimin emergjent ndaj konfliktit brenda 27 vendeve anëtare të bllokut, raporton AP.

“Deri më tani, kemi një vlerësim që mbi 400 qytetarë të BE-së janë riatdhesuar përmes këtij mekanizmi të mbrojtjes civile të BE-së”, ka thënë Eva Hrncirova në Bruksel të mërkurën.

Ajo ka deklaruar se BE-ja po shqyrton kërkesat nga Sllovakia, Lituania, Greqia dhe Polonia për ndihmë në evakuimin nga Lindja e Mesme.

“Vendet anëtare koordinojnë listën dhe ne bashkëfinancojmë këto fluturime deri në 75 për qind të kostove të transportit”, ka shtuar ajo.

Si ia doli Irani të depërtonte në sistemin “e përsosur” të Izraelit

1 muaj më parë / 18 qer 2025 13:44
Iron Dome

Photo: Associated Press

Konflikti i Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e gjashtë të mërkurën dhe shtetet po vazhdojnë të këmbejnë sulme të ashpra ajrore. Konflikti nisi kur Izraeli sulmoi zonat bërthamore në Iran. Izraeli ka thënë se Irani në mënyrë të fshehtë po zhvillon armë bërthamore, ndërsa Teherani zyrtar vazhdimisht e ka mohuar. Qindra persona dyshohet të kenë vdekur nga sulmet.

“Iron Dome” apo “Kupola e Hekurt” është sistem i mbrojtjes nga toka në ajër i cili përcjell dhe ndal projektilët drejtuar zonave të populluara në Izrael. Ka qenë vazhdimisht i suksesshëm dhe në të kaluarën izraelitët kanë arritur të shohin në disa raste se si kjo kupolë ka ndalur me sukses sulmet ajrore.

Zyrtarët izraelitë kanë pranuar se “Iron Dome” megjithatë nuk është 100 për qind efektiv.

Marion Messmer, hulumtuese për studime të sigurisë në Chatham House, ka thënë se kjo kupolë mund të mos jetë efektive aq sa mendohet.

“Për shumë kohë, ‘Iron Dome’ ka pasur më shumë marketing sesa që është garanci”, ka thënë ajo për “The Independent”. “Në fund të ditës, është një sistem i mbrojtjes ajrore. Është shumë sistem efikas. Por asnjë mbrojtje ajrore nuk është tërësisht e pathyeshme”.

Duke marrë për bazë shkallën e sulmeve të Iranit mbi Izrael – Messmer ka thënë se nuk është befasi që disa raketa kanë depërtuar.

Raketat e Iranit – sfidë e re

Ekspertët besojnë që Irani po ashtu ka mundësi që ka përdorur pajisje hipersonike, që mund të manovrojnë dhe të fluturojnë me shpejtësi hipersonike, duke e bërë më të vështirë kapjen e tyre.

“Nëse keni diçka që mund të manovrojë, atëherë padyshim që mund të programoni një fluturim jo të rregullt dhe ta ndryshoni nëse shihni se ka raketa penguese. Kjo e bën më të lehtë shmangien e çdo ndalese”, ka shpjeguar Messmer.

Messmer ka thënë se megjithatë niveli i suksesit i “Iron Domet” është “jashtëzakonisht impresiv”, por ka shtuar se “numri i raketave të hedhura poshtë më herët nga sistemi, ishin më të vogla dhe me rrugë të parashikuara e me caqe të njohura”. Këto kryesisht hidheshin nga militantët e Hamasit në Gaza.

“Asnjë sistem i mbrojtjes ajrore nuk është i pathyeshëm”, ka thënë Marina Miron, hulumtuese në departamentin për studime të luftës në King’s College London.

Mbingarkesa e sistemit

Garda revolucionare e Iranit ka thënë të hënën se ka funksionuar me një metodë të re që bëri që sistemi shumështresor i mbrojtjes të luftojë mes vete dhe t’ia mundësonte Iranit goditjen e më shumë shënjestrave.

Miron ka pretenduar se kjo mund të jetë bërë duke pozicionuar “dronë mashtrues” afër raketave mbrojtëse të Izraelit. Mironi ka vlerësuar se Irani ka dërguar numër të madh karremesh “për t’i hapur rrugë vetes”. Por sipas saj, dështimi më i madh i “Kupolës së Hekurt” ka qenë falë “mbingarkesës” së raketave iraniane.

Imazhet satelitore tregojnë dëmet në objektet kryesore ushtarake të Iranit

1 muaj më parë / 18 qer 2025 13:43
Maxar - foto

Imazhet satelitore të siguruara nga CNN, tregojnë dëme të konsiderueshme në bazën e raketave Tabriz të Iranit dhe në aeroportin në Mashhad.

Imazhet para dhe pas, të kompleksit të raketave Tabriz në veriperëndim të Iranit, të publikuara nga kompania satelitore “Maxar”, shfaqin ndërtesa të tëra të maganizimit të rrafshuara dhe kratere të mëdha në rrugët rreth objektit. Imazhet e reja satelitore u publikuan të martën. Disa tunele automjetesh u goditën gjithashtu dhe u dëmtuan rëndë, sipas fotografive. 

Në aeroportin e Mashhadit, në verilindje të Iranit, një avion tanker iranian u godit dhe u shkatërrua plotësisht, zbulojnë imazhet. Vetëm bishti i aeroplanit është i dukshëm mes mbeturinave të djegura. Fotoja e re gjithashtu u publikua më 17 qershor. 

Izraeli nisi një valë të re sulmesh të martën ku u përfshin 50 avionë ushtarakë. U shënjestruan vendet e prodhimit të centrifugave dhe raketave në Iran. 

E agjencia iraniane e lajmeve “Mehr” tha se Irani gjatë natës nisi raketa hipersonike Fattah drejt Izraelit. 


 

Rusia kërcënon SHBA-në: Mos e ndihmoni ushtarakisht Izraelin

1 muaj më parë / 18 qer 2025 13:42
Putin Trump

Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të përmbahen nga çdo formë ndihme ushtarake direkte për Izraelin – madje edhe nga deklaratat spekulative në këtë drejtim. Deklarata u bë nga zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Ryabkov, për agjencinë ruse Interfax.

“Shtetet e Bashkuara janë vazhdimisht në epiqendër të të gjitha proceseve. Të thuash se nuk janë përfshirë më herët dhe do të përfshihen tani – mendoj se kjo do të ishte e pasaktë”, deklaroi ai.

Ai paralajmëroi ashpër kundër çdo ideje për përfshirje direkte ushtarake amerikane.

“Është tjetër gjë çfarë ata konsiderojnë për sa i përket ndihmës ushtarake të drejtpërdrejtë për Izraelin. Ne e paralajmërojmë Washingtonin: mos guxoni as të mendoni për këtë. Një veprim i tillë do ta destabilizonte në mënyrë radikale të gjithë situatën”, theksoi Ryabkov.

Natën e 13 qershorit, Izraeli kreu sulme të gjera ndaj Iranit. Preteksti zyrtar i operacionit ishte neutralizimi i programit bërthamor të Teheranit. Si kundërpërgjigje, Irani nisi sulme ndaj territorit izraelit. Qe pesë ditë, të dyja vendet gjuhen me raketa mes vete, ku janë regjistruar qindra viktima.

Erdogan: Irani ka të drejtë legjitime të vetëmbrohet

1 muaj më parë / 18 qer 2025 12:59
Recep Tayyip Erdogan

Recep Tayyip Erdogan

Photo: Associated Press

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Irani ka të drejtë legjitime për ta mbrojtur veten përballë fushatës së bombardimeve të Izraelit.

Kështu u shpreh ai një ditë pasi iu referua kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu si kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit, raportoi të mërkurën “The Guardian”.

“Është një e drejtë shumë e natyrshme, legjitime dhe ligjore për Iranin që të mbrohet nga banditizmi dhe terrorizmi shtetëror i Izraelit. Izraeli, i cili zotëron armë bërthamore dhe nuk njeh asnjë rregull ndërkombëtar… nuk priti që negociatat të përfundonin, por kreu një akt terrorist pa pritur rezultatin. Po i ndjekim nga afër sulmet terroriste të Izraelit ndaj Iranit. Të gjitha institucionet tona janë në gatishmëri të lartë në lidhje me efektet e mundshme të këtyre sulmeve ndaj Turqisë”, ka thënë udhëheqësi turk.

Erdogan ka shtuar se po përgatiten për çdo lloj skenari. 

Të hënën, Erdogani ka thënë se e ka urdhëruar industrinë e mbrojtjes të rrisë prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi për të “rritur nivelin e parandalimit” në dritën e luftës ajrore midis Izraelit dhe Iranit.

Khamenei: Izraeli do të paguajë për gabimet e veta, Irani nuk dorëzohet

1 muaj më parë / 18 qer 2025 12:43
Khamenei

Photo: Associated Press

Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, në një paraqitje televizive të mërkurën ka thënë se Izraeli do të paguajë për gabimet e veta, duke shtuar se Irani është i vendosur “kundër një lufte të imponuar, ashtu siç qëndron i vendosur kundër paqes së imponuar”.

Ai ka thënë se populli iranian “nuk dorëzohet përballë asnjë imponimi”.

Lideri iranian ka komentuar edhe deklaratat e fundit të presidentit amerikan që i ka kërkuar dorëzim.

“Njerëzit e mençur që e njohin Iranin e popullin e tij, dhe historinë, nuk flasin kurrë në drejtim të këtij populli me gjuhë kërcënimi, sepse iranianët nuk janë ata që dorëzohen”, thuhet në deklaratën e Khameneit.

Siç ka raportuar BBC, Khamenei nëpërmjet një deklarate të lexuar nga një prezantues televiziv ka thënë se “çfarëdo forme e ndërhyrjes ushtarake amerikane do të përballet padyshim me dëm të pariparueshëm”.

Është hera e dytë që Khamenei ka folur publikisht qëkur Izraeli nisi sulmet ndaj shtetit të Iranit javën e shkuar.

Zona bërthamore Fordow, e ndërtuar brenda një mali dhe e forcuar kundër bombave që shkatërrojnë bunkerin

1 muaj më parë / 18 qer 2025 11:24
Zona Fordow

Pesë tunele të ndërtuara brenda një vargmali një strukturë e madhe mbështetëse dhe një perimetër i gjerë sigurie. Kjo është e gjitha që mund të shihni nga zona misterioze e pasurimit të uraniumit Fordow në Iran. Imazhet e fundit satelitore tregojnë këtë, raporton "CNN". 

Kompleksi sekret dhe i ruajtur fortë, i ndërtuar pranë qytetit të shenjtë të Qomit, ka nxitur spekulime për natyrën e vërtetë dhe madhësinë që kur së pari u bë publik në vitin 2009. 

Një pjesë e asaj që dihet për të, vjen nga një grumbull dokumentesh iraniane të vjedhura vite më parë nga inteligjenca izraelite.

Sallat kryesore janë 80 deri 90 metra nëntokë – të sigurta nga çdo bombë ajrore që e zotëron Izraeli -  duke e bërë shkatërrimin e objektit nga ajri një detyrë pothuajse të pamundur. 

Ndërsa udhëheqja e Iranit është tronditur nga një seri sulmesh shkatërruese izraelite, disa analistë thonë se është në Fordow aty ku Irani mund të nxitojë t’i shndërrojë rezervat e uraniumit të pasuruar në një bombë bërthamore. 

Izraeli ka shënjestruar objektin ditëve të fundit, por sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), deri tash ose nuk ka qenë i gatshëm – ose ishte i paaftë – ta dëmtojë atë. 

Teherani ka mbajtur prej kohës qëndrimin se objektivat e programit të tij bërthamor janë paqësore, por Fordow ka qenë në qendër të shqetësimeve për ambiciet e Iranit. 

“Madhësia dhe konfigurimi i këtij objektit është në shpërputhje me një program paqësor”, kishte thënë në vitin 2009 presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, ndërsa përkrah presidentit të atëhershëm francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit të atëhershëm britanik Gordon Brown, zbuluan ekzistencën e Fordowit. 

Vetëm disa ditë para njoftimit, iranianët, me sa duket duke qenë në dijeni se inteligjenca perëndimore kishte mësuar për objektin, i thanë IAEA-së për dëshirën e tyre për ta ndërtuar një objekt të ri për pasurim të karburantit. Në atë pikë, ndërtimi në Fordow kishte qenë në proces prej vitesh. 

Teherani i kundërshtoi akuzat, por dënimi edhe nga aleatja Rusia dhe shqetësimet nga Kina, lanë pak hapësirë për të manovruar.

Ndërtimi nisi në fillim të viteve 2000

SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk kanë dhënë shumë detaje se kur filloi ndërtimi i Fordowit, por imazhet satelitore në dispozicion publik tregojnë se puna kishte nisur që nga viti 2004, me fotografi që zbulojnë dy struktura katrore të bardha ku ndodhen hyrjet e tunelit sot. 

IAEA thotë se ka imazhe shtesë se tregojnë se ndërtimi nisi nga viti 2002. 

“Fordow është në fakt një projekt që nisi në fillim të viteve 2000”, thotë David Albright, kreu i Institutit për Shkencë dhe Siguri Kombëtare me seli në Washington, një institucion jopartiak me synim për ta ndalur përhapjen e armëve bërthamore. “Ideja ishte që ata (iranianët) të prodhonin uranium të nivelit të armëve në atë uzinë dhe ta merrnin uraniumin të pasuruar dobët nga programi bërthamor civil në Iran”.

Në vitin 2009, një strukturë e madhe mbështetëse e jashtme ishte ndërtuar plotësisht dhe gërmimet po vazhdonin për atë që ekspertët besojnë se ishte një bosht ventilimi, thelbësor për të lejuar qarkullimin e ajrit në objekt. Ai bosht u fsheh dhe u kamuflua më vonë, tregojnë edhe imazhet e fundit satelitore. 

Teherani ia shpjegoi IAEA-së në një letër, që daton nga tetori i vitit 2009, se vendimi për të ndërtuar objektin nëntokësor ishte rezultat i “kërcënimeve për sulme ushtarake kundër Iranit”, duke shtuar se Fordow do të shërbente si një eventualitet për uzinën e afërt Natanz, e cila, sipas pretendimit të tij “ishte ndër objektet e kërcënuara nga sulmet ushtarake”. 

Irani i tha IAEA-së se objekti mund të mbante deri në 3000 centrifuga.

Marrëveshja bërthamore dhe akuzat izraelite

Rreziqet e paraqitura nga Fordow u ulën kryesisht si rezultat i Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) e ashtuquajtur “marrëveshje bërthamore e Iranit”, që kërkonte që Irani të hiqte dy të tretat e centrifugave që gjendeshin brenda objektit, së bashku me të gjithë materialin bërthamor, pasi objektit iu ndalua çdo punë e tillë. 

Ky proces u përmbys ngadalë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, në mandatin e tij të parë. 

Detaje të mëtejshme rreth objektit u bën publike nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në vitin 2018, pasi shërbimet e inteligjencës së Izraelit sekuestruan më shumë se 55 mijë dokumente nga ajo që Izraeli e quajti “arkiv atomik” i Iranit. 

Mes dokumenteve ishin skica të detajuara të Fordowit dhe informacione mbi objektivat e tij. Sipas dokumenteve, objektivi ishte të prodhonte uranium të nivelit të armëve, si pjesë e programit të armëve bërthamore të Iranit, për të paktën një ose dy armë bërthamore në vit.

“Ne kurrë nuk pamë ndonjë mospërputhje”, tha Albright, që ka shqyrtuar dokumentet, për përpjekjen e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. “Janë qindra e mijëra faqe. Dua të them, thjesht nuk mund të shpikësh kaq shumë gjëra. Nuk mendoj se dikush e kundërshton atë, dhe kjo është ndoshta arsyeja pse ekziston një rezolutë e Bordit të Guvernatorëve (IAEA) kundër Iranit”. 

Në atë kohë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Abbash Araghchi, i quajti zbulimet dhe komentet e Netanyahut “fëmijërore” dhe “qesharake”. 

Sekretari i atëhershëm i shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, tha se SHBA-ja e kishte ditur për materialet prej kohësh dhe besonte se dokumentet ishin origjinale.

I mbrojtur edhe nga bombat më të mëdha

Raportet e fundit të IAEA-së sugjeruan se Irani kishte rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar në një nivel prej 60 për qind në objektin Fordow, i cili, sipas ekspertëve dhe IAEA-së, tash përmban 2700 centrifuga. 

“Rritja e konsiderueshme e prodhimit dhe akumulimit të uraniumit shumë të pasuruar nga Irani, i vetmi shtet jobërthamor që prodhon material të tillë bërthamor, është shqetësim serioz”, tha IAEA në një raport më 31 maj.

“Një nga gjërat që rriti tensionin ishte se ata nuk kanë asnjë arsye për ta bërë këtë, përveçse të jenë në gjendje të kalojnë hapin tjetër dhe ta shndërrojnë atë në uranium të gradës së armëve”, tha Albright. 

“U interpretua sikur po përgatiten për të qenë në gjendje ta bëjnë këtë nëse r vendosin. Dhe nëse je 60 për qind, mund ta shndërrosh shumë shpejt atë në uranium të shkallës së armëve”, tha Albright. 

Sipas grupit të ekspertëve të Institutit për Shkencë dhe Siguri Kombëtare me seli në Washington,

“Irani mund ta shndërrojë stokun e tij aktual të uraniumit të pasuruar 60 për qind në 233 kg uranium të nivelit të armëve dhe atë brenda tre javësh në uzinën e pasurimit në Fordow”. Është mjaftueshëm për nëntë armë bërthamore, siç thonë ekspertët. 

Kjo është arsyeja pse Fordow është një fokus kryesor i përpjekjeve të Izraelit për ta degraduar dhe shkatërruar programin bërthamor të Iranit. Por, a është kjo e realizueshme?

SHBA-ja është vendi i vetëm që zotëron llojin e nevojshëm të bombave që mund ta godasë zonën bërthamore Fordow në Iran, tha ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, në një intervistë për “Merit TV” të hënën. 

“Për ta shkatërruar Fordowin me një bombë nga qielli, vendi i vetëm në botë që e ka atë lloj bombe është SHBA-ja. Dhe ky është një vendim që SHBA-ja duhet ta marrë, pavarësisht nëse zgjedh apo jo ta ndjekë atë kurs”, tha Leiter. 

Por, ai shtoi, se nuk është opsioni i vetëm. 

“Ka mënyra tjera për t’u marrë me Fordowin”, tha Leiter. 

Shkatërrimi i Fordowit nga ajri do të ishte pothuajse i pamundur për Izraelin, sipas një raporti të bërë në mars nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) me seli në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të kërkonte fuqi zjarri dhe ndihmë të konsiderueshme nga SHBA-ja. 

Nuk do të ishte i arritshëm as nga bombat masive depërtuese GBU-57 të SHBA-së, që arrijnë vetëm rreth 60 metra në thellësi, sipas RUSI-t. Dhe GBU-57 mund të hidhen atje vetëm nga bombarduesit e fshehtë B-2 të Forcave Ajrore të SHBA-së, aeroplan që Izraeli nuk i ka, edhe nëse SHBA-ja vendos t’ia japë bombat forcave izraelite. 

“Edhe GBU-57/B ka të ngjarë të kërkojnë ndikime të shumëfishta në pikën e njëjtë të synimit, për të pasur mundësi që të depërtojnë në objekt”, thuhet në raport. 

Analistët pajtohen, duke thënë se nëse SHBA-ja tenton ta godasë Fordowin, një gjë e tillë s’mund të arrihet me një bombë. 

“Do të duheshin sulme të përsëritura kundër Fordowit”, ka thënë analisti ushtarak i CNN-it, Cedric Leighton, ish-kolonel i Forcave Ajrore të SHBA-së. 

Albright thotë se mund të ketë mënyra tjera për ta çaktivizuar Fordowin. 

“Izraeli ndoshta mund ta shkatërrojë hyrjen në tunele nga një pozicion i largët dhe sigurisht ta shkatërrojë sistemin e ventilimit. Nëse do të shkatërroheshin tunelet dhe furnizimi me energji elektrike, do të duheshin muaj para se ato të mund të funksionin vërtetë”, tha ai. 

Pavarësisht rolit vendimtar të tij në programin bërthamor të Iranit, Albright beson se Fordow është vetëm një pjesë e enigmës. 

“Nëse e shkatërroni, nuk është fundi, sepse pastaj kaloni te kërcënimi tjetër, i cili është, sa centrifuga ka prodhuar Irani që nuk i vendosi në Fordow dhe Natanz? Dhe ku janë ato?” – thotë Albright.

Vendet që e përkrahin Iranin në luftën me Izraelin

1 muaj më parë / 18 qer 2025 11:22
Irani

Irani ka luajtur gjithmonë një rol të fuqishëm dhe të diskutueshëm në Lindjen e Mesme dhe në politikën globale. 

Irani ka mbështetje të fortë nga shumë vende në mbarë botën, pavarësisht se i nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare dhe ka konflikte të rregullta me vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Këto vende shpesh e mbështesin Iranin në luftëra ose mosmarrëveshje diplomatike sepse kanë interesa të ngjashme politike, fetare, strategjike ose rajonale.

Ndërsa konflikti midis Iranit dhe Izraelit tërheq vëmendjen ndërkombëtare, shumë nga aleatët e hershëm të Iranit kanë dalë publikisht ose diplomatikisht për të mbështetur Teheranin. 

Pakistani, Turqia, Palestina, Siria dhe Libani janë ndër vendet që kanë treguar mbështetje për Iranin, veçanërisht pas sulmeve ajrore të Izraelit dhe hakmarrjes ushtarake të Iranit. Kina gjithashtu ka dalë në mbështetje të Iranit, duke dënuar sulmin e Izraelit. Këto vende mbështesin të drejtën e Iranit për vetëmbrojtje dhe shpesh denoncojnë veprimet e Izraelit.

Përveç këtyre, kombe si Jemeni, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti kanë ofruar mbështetje në mënyra të ndryshme, duke përfshirë përmes njoftimeve për media, ofertave për ndërmjetësim ose duke avokuar për paqe rajonale. Marrëdhëniet me Iranin janë të ndryshme për secilin prej këtyre kombeve, varësisht nga faktorë si feja, politika rajonale ose bashkëpunimi i mëparshëm.

Vendet që mbështesin vazhdimisht Iranin dhe si secili prej tyre reagoi ndaj konfliktit të fundit Iran-Izrael.

Foto: AP

1. Pakistani

Gjeografikisht, fetarisht dhe politikisht, Pakistani dhe Irani kanë lidhje shumë të ngushta. Islamabadi ka denoncuar sulmet izraelite në territorin iranian në shumë raste, duke i përshkruar ato si "shkelje të rënda" të sovranitetit të Iranit dhe duke paralajmëruar se ato mund të rrezikojnë paqen rajonale në Azinë Jugore. Kohët e fundit, Irani pretendoi se nëse Izraeli vazhdon t'i dëmtojë ata, atëherë Pakistani do të sulmojë Izraelin me armë bërthamore. Megjithëse Pakistani përsëriti mbështetjen e tij për stabilitetin dhe diplomacinë për Iranin, Islamabadi mohoi zyrtarisht pretendimet e fundit iraniane se Pakistani do të hakmerrej në rast të agresionit bërthamor.

2. Turqia

Irani dhe Turqia kanë punuar së bashku në fushat e energjisë, diplomacisë dhe sigurisë rajonale. Turqia ka shprehur mbështetje të fortë për Iranin dhe Palestinën nën drejtimin e presidentit Erdogan, ka kritikuar mbështetjen perëndimore për Izraelin dhe është ofruar të ndërmjetësojë në konflikt. Për më tepër, Putini dhe Erdogani kanë bërë thirrje për dialog dhe kanë denoncuar sulmet ajrore izraelite si përshkallëzuese.

3. Palestina

Teksa sulmet izraelite ndaj Iranit shihen si shkelje e së drejtës ndërkombëtare, udhëheqja zyrtare palestineze mbështet qëndrimin e Iranit. Zyrtarët palestinezë kanë përsëritur thirrjet për moderim dhe i kanë cilësuar veprimet e Izraelit si pjesë të luftës së tij të gjatë, pavarësisht se nuk është një aleat formal si Hamasi.

4. Siria

Aleati i ngushtë i Iranit, Siria, ka deklaruar solidaritetin e saj të plotë me Teheranin, duke pretenduar se veprimet e Iranit ishin vetëmbrojtje e justifikuar. Damasku mbështet përgjigjen ushtarake të Iranit dhe i sheh sulmet e Izraelit si agresion të paligjshëm.

5. Iraku

Iraku ka shprehur solidaritet me Teheranin, duke i parë sulmet e Izraelit si agresion të pajustifikuar. Bagdadi mbështet të drejtën e Iranit për vetëmbrojtje, duke theksuar nevojën për stabilitet rajonal dhe duke dënuar veprimet që përshkallëzojnë tensionet në Lindjen e Mesme.

6. Arabia Saudite

Arabia Saudite ka dënuar sulmet izraelite ndaj Iranit, pavarësisht marrëdhënies së tyre të tensionuar prej kohësh, dhe ka paralajmëruar për një përshkallëzim rajonal. Riadi bën thirrje për zgjidhje diplomatike.  Emiratet e Bashkuara Arabe denoncuan sulmet e Izraelit në territorin iranian dhe bënë thirrje për "përmbajtje maksimale", duke arritur një ekuilibër midis marrëdhënies së saj me Iranin dhe lidhjeve të saj me Perëndimin. Ajo favorizon zgjidhjen diplomatike dhe i frikësohet paqëndrueshmërisë.

7. Kina

Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ka thënë se vendi i tij është "thellësisht i shqetësuar" nga "përshkallëzimi i papritur" i tensioneve në Lindjen e Mesme, i shkaktuar nga veprimi ushtarak i Izraelit kundër Iranit, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua e Kinës. Në komentin e tij të parë publik mbi konfliktin Iran-Izrael që nga shpërthimi i tij të premten, Xi ka thënë se Kina, një mbështetëse kryesore diplomatike dhe ekonomike e Iranit, kundërshton "çdo akt që cenon sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial" të vendeve të tjera.

8. Egjipti

Edhe pse Egjipti dhe Izraeli kanë një paqe formale, ai është i shqetësuar për përshkallëzimin rajonal. Kajro ka paralajmëruar kundër përhapjes së luftës dhe ka shprehur "shqetësim të thellë" për sulmet izraelite që ndikojnë në Iranin. Egjipti promovon qetësinë ndërsa ruan lidhjet diplomatike me Teheranin.

9. Libani

Hezbollahu i Libanit, vendi i Lindjes së Mesme, i mbështetur nga Irani, vlerësoi përgjigjen e Iranit ndaj agresionit izraelit si "të guximshme" dhe tha se Teherani ishte brenda të drejtave të tij. Qeveria libaneze gjithashtu dënoi sulmet, duke i quajtur ato përshkallëzuese dhe të paligjshme.

10. Jemeni

Rebelët Huthi në Jemen, të cilët janë pjesë e rrjetit rajonal të Iranit, mbështesin qëndrimin e Teheranit. Sulmet e tyre të përsëritura ndaj anijeve të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq demonstrojnë solidaritetin e tyre me Iranin, megjithëse indirekt, dhe tregojnë se ata ndajnë rezistencën.

Irani po përgatitet të sulmojë bazat amerikane

1 muaj më parë / 18 qer 2025 11:07
iran

Irani po përgatitet për sulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme në rast se Washingtoni bashkohet me Izraelin në fushatën kundër objekteve bërthamore iraniane, kanë thënë zyrtarë iranianë për New York Times.

Sipas dy zyrtarëve të lartë në Teheran, sulmet fillestare do të shënjestrojnë forcat amerikane në Irak, ndërsa më pas do të shtrihen në vendet e tjera arabe që strehojnë baza amerikane.

Këto paralajmërime vijnë në kohën kur presidenti Donald Trump po shqyrton mbështetjen për një sulm izraelit ndaj objektit bërthamor iranian të nëndheshëm në Fordow – një vend që deri tani ka shpëtuar pa u dëmtuar.

Zyrtarët iranianë gjithashtu kanë sinjalizuar se Irani mund të minojë Ngushticën e Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë – gjë që mund të shkaktojë ndërprerje të qarkullimit detar dhe rritje të çmimeve globale të energjisë.

Po ashtu, pritet që rebelët Houthi, të armatosur nga Irani, të rifillojnë sulmet me raketa ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Ndërkohë, avionë transportues ushtarakë amerikanë janë vërejtur duke kaluar përmes Atlantikut, duke sinjalizuar intensifikim të operacioneve logjistike nga ana e SHBA-së.

SHBA-ja ka rrëzuar qeveri iraniane në të kaluarën. Si ndodhi?

1 muaj më parë / 18 qer 2025 10:56
Forcat ushtarake pas tentimpuçit kundër Mohammad Mossadequt, gusht 1953.

Forcat ushtarake pas tentimpuçit kundër Mohammad Mossadequt, gusht 1953.

Photo: Associated Press

Qëkur Izraeli nisi sulmet në Iran, thirrjet për ndërrim të regjimit janë shpeshtuar. Presidenti amerikan, Donald Trump, e kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë përmendur mundësinë që cak të jetë lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Për Iranin, nuk është hera e parë që përballet me nxitje amerikane për ndryshim të regjimit në shtet.

Kur ka ndodhur dhe si:

Më 1953, SHBA-ja ndihmoi në një puç për të hedhur poshtë kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike në Iran, Mohammad Mossadegh.

Ai pati bërë thirrje për shtetëzim të rafinerive të naftës – lëvizje që SHBA-ja dhe Britania e Madhe e patën përjetuar si goditje të rëndë, për shkak të varësisë mbi naftën në Lindjen e Mesme.  

Kulmi i luftës së ftohtë: Lëvizja për shtetëzim ishte parë si popullore në Iran dhe fitore për Bashkimin Sovjetik të atëhershëm.

Forcimi i sundimit të Shahut: Qëllimi i puçit ishte të përkrahej monarku i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, në sundim si Shah i Iranit, dhe të zgjidhej kryeministri i ri – gjenerali Fazlollah Zahedi.

Puçi: Para puçit, CIA, krahas shërbimit sekret inteligjent britanik ndihmuan në nxitjen anti-Mossadegh nëpërmjet propagandës. Më 1953, CIA dhe SIS-i ndihmuan forcat pro-Shah dhe organizuan protesta të mëdha kundër Mossadeghut.

Paraja amerikane: Për të mbështetur Zahedin, kryeministrin e ri të Iranit, me stabilitet, CIA i vuri në dispozicion rreth 5 milionë dollarë tinëz për dy ditë pas marrjes së pushtetit, sipas dokumenteve.

Inteligjenca amerikane: Më 2013, dokumentet e deklasifikuara të CIA-s u publikuan, duke konfirmuar për herë të parë përfshirjen e agjencisë. Por për rolin amerikan veçse dihej: Ish-presidenti amerikan Barack Obama, pranoi më 2009 përfshirjen në puç.

Efekt të kundërt: Pas rrëzimit të Mossadeghut, SHBA-ja rriti mbështetjen për Pahlavin si sundimtar. Iranianët e kundërshtuan ndërhyrjen e huaj, duke nxitur sentimentin anti-amerikan në shtet për dekada.

Revolucioni Islamik: Shahu u bë aleat i afërt i SHBA-së. Por në fund të të ’70-ave, miliona iranianë dolën rrugëve kundër regjimit të tij, të cilin e shihnin si të korruptuar dhe jolegjitim. Protestuesit sekularë ishin kundër autoritarizmit të tij, ndërsa protestuesit islamistë kundërshtonin agjendën e modernizimit.

Shahu u rrëzua më 1970 nga revolucioni, që i dha fund monarkisë së mbështetur nga Perëndimi dhe nxiti nisjen e Republikës Islamike dhe sundimit klerik.

Irani ka plan strategjik për ta eliminuar Izraelin, thotë ministri i Jashtëm izraelit

1 muaj më parë / 18 qer 2025 10:55
Gideon Sa’ar

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar i ka dërguar një letër Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me pretendimin se Irani ka një "plan strategjik" për të eliminuar vendin e tij, duke thënë se Izraeli është i vendosur të mbrohet.

"Irani ka një plan strategjik për të eliminuar Izraelin. Izraeli nuk mund dhe nuk do ta pranojë kërcënimin e shfarosjes!", ka shkruar Sa’ar në X kur duke ndarë një kopje të letrës, raporton CNN.

Sulmi i Izraelit ndaj Iranit, ka shkruar ai në letrën e tij, "u nis pas një zhvillimi kritik në programin e armëve bërthamore të Iranit dhe synonte gjithashtu pengimin e kërcënimit të menjëhershëm të sulmeve të tjera raketore dhe të ndërmjetme iraniane".

Vendimi për të sulmuar është marrë "si një masë e fundit", thuhej më tej në letër.

Izraeli ka nisur në orët e para të së premtes sulmet ajrore ndaj Iranit, teksa Irani është kundërpërgjigjur deri tani me 400 raketa dhe qindra dronë ndaj Izraelit. 

Të paktën 24 persona janë vrarë nga sulmet e Iranit mbi Izrael, teksa sipas autoriteteve iraniane, të paktën 224 persona kanë mbetur të vdekur në Iran. 

Irani ka rrëzuar një dron të fuqishëm izraelit, raporton media shtetërore

1 muaj më parë / 18 qer 2025 09:34
Droni Hermes

Photo: Associated Press

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se forcat e mbrojtjes ajrore të ushtrisë kanë rrëzuar një dron të përparuar Hermes herët këtë mëngjes në provincën qendrore të Isfahanit.

Një korrespondent në vendngjarje, duke qëndruar pranë rrënojave, ka thënë se droni është kapur afërsisht në orën 05:00 sipas orës lokale, raporton BBC.

Ai ka thënë se droni është shkatërruar para se të mund të lëshonte ndonjë armë, duke theksuar atë që ai e quan efektivitet të sistemeve të zbulimit dhe reagimit të hershëm të Iranit.

“Shkatërruesi i bunkerëve”, bomba amerikane që mund ta ndryshojë lojën me Iranin

1 muaj më parë / 18 qer 2025 09:12
Bomba amerikane GBU-57, e njohur si “shkatërruese e bunkerave”

Bomba amerikane GBU-57, e njohur si “shkatërruese e bunkerave”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Iranit përfshirjen aktive të Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt. Arsyeja kryesore për këtë kërkesë të Tel Avivit, sipas Washington Post, është bomba amerikane GBU-57, e njohur si “shkatërruese e bunkerave”.

Kjo bombë jashtëzakonisht e fuqishme është shtysa kryesore e kërkesave të Netanyahut drejtuar Washingtonit, pasi mund të përdoret për të goditur objektivat bërthamore iraniane të ndodhura në thellësi të tokës.

Bomba GBU-57 – armë me peshë 13.6 tonë, e njohur edhe si MOP (Massive Ordnance Penetrator) - ka aftësinë të depërtojë në tokë dhe të shpërthejë me prezicion të lartë.

Megjithëse është bomba më e rëndë konvencionale në arsenalin amerikan, nuk është projektuar për të shkaktuar dëme në një zonë të gjerë. Komandantët ushtarakë mbështeten në saktësinë e saj të drejtuar përmes GPS-it për të goditur objektiva specifikë, të mbrojtur mirë, dhe për të shkatërruar ato që bombat normale konvencionale nuk arrijnë dot. Sipas ekspertëve, nuk ka të dhëna publike që kjo bombë të jetë përdorur ndonjëherë në luftime reale.

VIDEO:

Zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes kanë deklaruar se MOP-i është në gjendje të depërtojë deri në 60 metra thellësi, por besohet se pas zhvillimeve të mëvonshme gjatë dy dekadave të fundit, kjo aftësi është përmirësuar edhe më tej, ka thënë Trevor Ball, një ish-teknik amerikan për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.

Edhe pse Izraeli është mbështetur në armatimin amerikan gjatë fushatave ajrore shkatërruese në Gaza, Liban dhe Iran, avionët luftarakë izraelitë nuk kanë kapacitetin për të mbajtur MOP-in. B-2 Spirit, një bombardues i padukshëm amerikan, është i vetmi avion i Forcave Ajrore të SHBA-së që mund ta përdorë këtë bombë.

Sipas Forcave Ajrore amerikane, aktualisht janë në funksion 19 avionë B-2. Edhe pse fluturon me shpejtësi nënsonike, B-2 mund të furnizohet me karburant gjatë fluturimit, çka i mundëson atij të përshkojë distanca të jashtëzakonshme.

Aeroplanën B-2 u përdorën edhe gjatë luftës në Kosovë. Pilotët e B-2 fluturonin për dhe nga baza ajrore Whiteman në Missouri deri në Kosovë për të goditur objektiva.

Në vitin 2017, dy avionë B-2 fluturuan për 34 orë për të goditur kampet e Shtetit Islamik në Libi.

Së fundmi, janë bërë përmirësime në MOP për të adresuar “çështje integrimi” me avionin B-2, njoftuan Forcat Ajrore vitin e kaluar. Po ashtu, ato kanë thënë se po testojnë teknologji që mund të ndihmojë në shkatërrimin e objektivave edhe kur informacioni për strukturat nëntokësore është i kufizuar.

Sipas Ball, kjo bombë është në gjendje të zbulojë vendet sekrete  – si dhoma apo kate – dhe të shpërthejë në momentin më të përshtatshëm.

Irani ka lëshuar mbi 400 raketa drejt Izraelit që nga e premtja, thotë zyra e Netanyahut

1 muaj më parë / 18 qer 2025 09:10
Iran

Photo: Associated Press

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur të mërkurën se Irani ka lëshuar më shumë se 400 raketa drejt Izraelit që nga e premtja.

“Që kur Izraeli ka nisur sulmet ndaj Iranit të premten e kaluar, Irani ka lëshuar më shumë se 400 raketa dhe qindra dronë drejt Izraelit”, ka njoftuar zyra e kryeministrit Netanyahu, raporton CNN.

Sulmet kanë goditur 40 vende në të gjithë Izraelin, ka thënë zyra, duke rezultuar në gati 19,000 kërkesa për dëmshpërblim të paraqitura në autoritetin tatimor.

Deri më tani, 24 persona janë vrarë në Izrael, më shumë se 800 janë plagosur dhe mbi 3,800 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ka njoftuar zyra.

Ndërkohë, të paktën 224 persona janë vrarë në Iran që nga e premtja, sipas autoriteteve iraniane.

“Çka nëse raketat e Izraelit na godasin në autostradë?”

1 muaj më parë / 18 qer 2025 09:02
Kolona ne Teheran

Foto: Rrjete sociale

Teksa Farhadi dhe miqtë e tij po largohen nga Teherani, kanë mjaftueshëm kohë për të parë me sy shkatërrimin. Tymi del nga ndërtesat që i kalojnë nëpër korridorin me trafik kilometërsh për t’iu ikur sulmeve të Izraelit në drejtim të kryeqytetit iranian.

Edhe pse u zgjua herët në mëngjes të martën, Farhadit iu deshën gjashtë orë për të arritur në fshatin e tij, një udhëtim që zakonisht nuk zgjat më shumë se dy orë e gjysmë.

“Fëmijë të vegjël, të moshuar e gjyshër të sëmurë. Të gjithë i gjeni rrugëve”, ka thënë studenti 22-vjeçar për “The Guardian”.

Një tjetër banor i Teheranit, e ka përshkruar rrugën 10-orëshe teksa raketat izraelite i kalonin mbi kokë.

“Gjatë gjithë rrugës isha e bllokuar në trafik. Po frikësoheshim se çka nëse sulmet na godasin në autostrada? Çka nëse ka fabrika sekrete përreth nesh? Frika e mosdijes shkakton ankth të madh”, ka thënë 24-vjeçarja Mina.

Mijëra banorë të Teheranit kanë lëshuar Iranin që nga nisja e sulmeve të Izraelit të premten, që ka thënë se e ka synim që ta ndalë Iranin nga bërja e armëve bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me raketa e dronë në drejtim të Izraelit. Sot është dita e gjashtë e luftimeve të pandërprera.

Për dallim nga Izraeli, Teherani nuk ka qendra strehimi nga bombat. Autoritetet kanë hapur metrotë si një bunker ad-hoc e të tjerët janë drejtuar drejt xhamive.

Të hënën, Izraeli urdhëroi njerëzit të largohen nga pjesë të shumta të Teheranit, duke i paralajmëruar se shumë shpejt do ta sulmojë “infrastrukturën ushtarake”. Mesazhi, i publikuar përmes platformës X, ngjante me alarme të njëjta si në Gaza, Liban e Jemen. X megjithatë është i ndaluar në Iran dhe shumë njerëz nuk kanë mundur të marrin urdhrat e evakuimit.

Më vonë, presidenti amerikan Donald Trump kërkoi nga të gjithë që të largohen nga Teherani.

E një pjesë e madhe e qytetarëve të Teheranit përballet me krizë ekonomike dhe e kanë të vështirë ikjen.

 

Çfarë është një vend prodhimi centrifuge?

1 muaj më parë / 18 qer 2025 08:45
Centrifuga

Centrifugat janë makina që pasurojnë uraniumin, i cili mund të përdoret për të bërë karburant për termocentralet, por edhe për armët bërthamore.

Centrifugat janë gjithashtu makina të brishta dhe të balancuara imët, të cilat rrotullojnë gazin heksafluorid të uraniumit me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë duke përdorur rotorë. 

Një problem i vogël, siç është ndërprerja e energjisë, mund ta nxjerrë një centrifugë jashtë kontrollit, me pjesë që përplasen me njëra-tjetrën dhe dëmtojnë një kaskadë të tërë.

Por sipas njoftimit të ushtrisë izraelite, duket se ajo ka goditur një vend ku prodhohen vetë centrifugat - në krahasim me centrifugat operative.

"Si pjesë e përpjekjes së gjerë për të prishur programin e zhvillimit të armëve bërthamore të regjimit iranian, një vend prodhimi centrifuge në Teheran u sulmua, që synonte t'i mundësonte regjimit iranian të zgjeronte fushëveprimin dhe ritmin e pasurimit të uraniumit për zhvillimin e armëve bërthamore”, thuhej në njoftimin e ushtrisë.

Lideri Suprem i Iranit: Beteja fillon

1 muaj më parë / 18 qer 2025 08:28
Khamenei

Photo: Associated Press

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka lëshuar një paralajmërim në agim në mediat sociale, duke i thënë Izraelit: "Beteja fillon". 

Orë më parë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka quajtur udhëheqësin suprem një "shënjestër të lehtë" dhe ka shtuar se "durimi i Amerikës po shteron". Ai gjithashtu ka kërkuar "dorëzimin pa kushte" të Iranit.

Trumpi po bëhet gjithnjë e më i gatshëm për përdorimin e aseteve ushtarake amerikane për të goditur objektet bërthamore iraniane dhe po heziton për idenë e një zgjidhjeje diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit, kanë thënë dy zyrtarë për CNN-in. 

Qëndrimi i ashpër përfaqëson një ndryshim në qasjen e Trumpin, megjithëse burimet kanë thënë se ai mbetet i hapur për një zgjidhje diplomatike, nëse Irani bën lëshime.

Izraeli sulmon me mbi 50 avionë luftarakë vendet iraniane të prodhimit të centrifugave dhe raketave

1 muaj më parë / 18 qer 2025 08:29
Sulmet izraelite

Photo: Associated Press

Izraeli ka nisur një valë sulmesh që përfshinin më shumë se 50 avionë në vendet e prodhimit të centrifugave dhe raketave iraniane gjatë natës, ka bërë të ditur ushtria herët të mërkurën.

"Më shumë se 50 avionë luftarakë të Forcave Ajrore, nën udhëzime të sakta të inteligjencës nga Dega e Inteligjencës, kanë përfunduar një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në zonën e Teheranit në orët e fundit", kanë thënë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, raporton CNN.

Midis këtyre objektivave ishin vende të përdorura për të prodhuar raketa tokë-tokë dhe tokë-ajër, ka thënë ushtria.

Izraeli ka njoftuar gjithashtu se ka sulmuar një strukturë prodhimi centrifugash në Teheran me qëllim pengimin e "programit të zhvillimit të armëve bërthamore" të Iranit.

Zyrtarët e ushtrisë dhe inteligjencës amerikane kanë thënë prej kohësh se SHBA-ja dhe Izraeli shpesh ndryshojnë në mënyrën e interpretimit të informacionit mbi programin bërthamor të Iranit.

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, ka dëshmuar në mars se komuniteti i inteligjencës amerikane kishte vlerësuar se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, nuk kishte autorizuar rifillimin e programit të armëve bërthamore që ai e pezulloi në vitin 2003.