Botë

Lëvdatat, garancitë e sigurisë, më shumë takime – pikat kyç të samitit shumëpalësh

TAKIM SHUMEPALESH

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shoqëruar nga liderët e vendeve më të fuqishme evropiane të hënën në mbrëmje, gjatë samitit shumë palësh të mbajtur me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku temat kyç kishin të bënin me garancitë e sigurisë për Ukrainën, si dhe mbajtjen e takimit trepalësh mes tij, Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Pas bisedimeve, Trumpi e ka zhvilluar edhe një telefonatë të gjatë me presidentin rus, i cili u prit me qilim të kuq në samitin e zhvilluar të premten e kaluar në Alaskë, për të diskutuar këtë mbledhje të jashtëzakonshme të aleatëve.

Washington, 19 gusht (AP) - Gjatë takimit të tyre të dytë këtë vit në Zyrën Ovale, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishin të gatshme të mbështesin përpjekjet evropiane për të mbikëqyrur çdo marrëveshje të paqes në Ukrainë, teksa lideri i këtij vendi, Volodymyr Zelensky, ka shprehur mirënjohjen e tij dhe ishte veshur më zyrtarisht kësaj radhe.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e mbajti gojën e mbyllur.

Teksa Trumpi e ka pritur Zelenskyn dhe liderët kryesorë evropianë për të ringjallur përpjekjet diplomatike të bllokuara prej muajsh, të udhëhequra nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund luftës gati 3 vite e gjysmë të Rusisë, toni dhe stili i takimit ishin krejtësisht ndryshe nga hera e kaluar, kur presidenti ukrainas u largua me shpejtësi nga Shtëpia e Bardhë në muajin shkurt.

Pas bisedimeve, Trumpi e ka zhvilluar edhe një telefonatë të gjatë me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili u prit me qilim të kuq në samitin e zhvilluar të premten e kaluar në Alaskë, për të diskutuar këtë mbledhje të jashtëzakonshme të aleatëve.

Trumpi ka bërë të ditur se tani do të punojë për të organizuar takimin mes Zelenskyt dhe Putinit.

 Trumpi thotë se SHBA-ja mund të ofrojë garanci të sigurisë për Ukrainën

Pyetja thelbësore për bisedimet e paqes është se si të parandalohet agresioni i mundshëm rus në të ardhmen.

Trumpi e ka përjashtuar mundësinë që Ukraina t’i bashkohet NATO-s, lëvizje e cila do t’i siguronte vendit të dërrmuar nga lufta mbrojtjen e aleancës ushtarake.

Megjithatë, ai ka shprehur mbështetje për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën — edhe pse detajet mbeten ende të paqarta.

“Vendet evropiane duan të ofrojnë mbrojtje dhe e ndiejnë shumë këtë nevojë, dhe ne do t’i ndihmojmë për këtë”, ka thënë Trumpi.

Kjo e kënaqi disi Zelenskyn, i cili ka konsideruar se SHBA-ja po jepte “sinjal të forte”.

Me shtetet evropiane që po synojnë të krijojnë forcë paqeruajtëse që mund të mbështesë çdo marrëveshje të paqes në Ukrainë, Trumpi ka sugjeruar se Putini mund të jetë i hapur për të pranuar garancitë e sigurisë.

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, kishte theksuar të dielën se Moska zyrtare ishte e hapur ndaj një lloji specifik të mbrojtjes për Ukrainën, që është e ngjashme me nenin 5 të traktatit të NATO-s.

Liderët evropianë e kanë mirëpritur këtë ide, si dhe domethënien më të gjerë që ajo reflekton.

“Kur flasim për garancitë e sigurisë, flasim për sigurinë e të gjithë kontinentit evropian”, ka deklaruar presidenti francez, Emmanuel Macron.

Macron ka shtuar se bisedimet për të kuptuar se për çfarë është e gatshme të ofrojë SHBA-ja do të fillojnë që të martën.

Liderët evropianë lavdërojnë Trumpin, porse ka ende punë për t’u bërë

Evropianët shkuan në Washington për të shfaqur unitetin e tyre lidhur me Ukrainën, dhe shumë prej tyre përdorën deklaratat publike për të lavdëruar Trumpin. Kjo ishte e habitshme, duke pasur parasysh tensionet që kanë ekzistuar më parë për shkak të kërcënimeve të Trumpit për të vendosur tarifa të larta dhe çështje të tjera.

Para takimit të tyre, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur Trumpin “i dashur Donald”, si dhe ka thënë për luftën në Ukrainë se “nëse e luajmë mirë këtë, mund t’i japim fund”.

Në intervistën e zhvilluar për transmetuesin amerikan “Fox News Channel”, Rutte e ka cilësuar Trumpin si “të jashtëzakonshëm”, tek ka theksuar se nuk ishte diskutuar ndonjë shkëmbim i mundshëm territoresh për Ukrainën.

“Fillimisht, na duhet qartësi e plotë mbi udhëzimet e sigurisë”, ka thënë Rutte.

Edhe pse Ukraina mund të mos anëtarësohet në NATO, ai ka nënvizuar se do të ketë diskutime për garanci të sigurisë, që janë të ngjashme me ato që u ofrohen vendeve anëtare të aleancës.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë pas takimit se pati “përparim të vërtetë”, por edhe “ndjenjë të fuqishme të unitetit”.

Para se liderët të zhvillonin bisedime private në Shtëpinë e Bardhë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se të gjitha palët po punonin së bashku në drejtim të “paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.

Më i matur në ton ishte kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili është shprehur se “rruga është tashmë e hapur” për ndalimin e luftimeve, ndonëse hapat e ardhshëm janë “më të ndërlikuar”.

“Le të përpiqemi të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”, ka thënë Merz, teksa ka shtuar se do të dëshironte që fillimisht të kishte dakordim për armëpushim.

Pas këtyre komenteve, Trumpi ka mbetur i paangazhuar, tek ka thënë se “nëse mund ta realizojmë armëpushimin, shumë mirë”, porse ka sugjeruar se ky nuk ishte kusht thelbësor.

Ai ka hequr dorë nga dëshira për armëpushim pas samitit të së premtes, duke u përafruar me pozicionin e Putinit se negociatat duhet të përqendrohen në marrëveshje direkte të paqes.

Rusia kontrollon tërë Krimenë, si dhe pjesën më të madhe të katër rajoneve

Atmosfera pozitive u rrezatua si te Zelensky njashtu edhe te Trumpi. Pas lavdërimeve të liderit ukrainas për “bisedën shumë të mirë” që e pati me Trumpin, presidenti amerikan është përgjigjur duke thënë se i ka “vlerësuar shumë” komentet e homologut të tij.

Teksa ka folur para gazetarëve të hënën në mbrëmje, kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë të ditur se kërkesa ruse që Ukraina të heqë dorë nga pjesët e paokupuara të rajonit lindor të Donbasit për të përfunduar luftimet do të ishte e barasvlefshme me atë që SHBA-ja të hiqte dorë nga Florida.

Veshje më formale – dhe pritje plotësisht ndryshe – për Zelenskyn

Takimi me Trumpin në Zyrën Ovale të hënën ishte shumë ndryshe nga ai i gjashtë muajve më parë, kur Trumpi dhe Vance e patën kritikuar ashpër Zelenskyn për mosmirënjohje ndaj mbështetjes ushtarake të SHBA-së.

Asokohe, Trumpi ishte dukur sikur i shijonte komentet e një gazetari konservator, i cili e pati pyetur atëherë Zelenskyn se pse nuk kishte veshur kostum në Shtëpinë e Bardhë.

Lideri ukrainas erdhi më i përgatitur kësaj radhe, duke veshur një këmishë të zezë dhe një xhaketë.

I njëjti gazetar e ka komplimentuar Zelenskyn, duke i thënë se “dukesh fantastik”, teksa vetë Trumpi u përgjigj se “e mendon të njëjtën gjë”.

Pastaj, Trumpi ia ka rikujtuar Zelenskyt se “ky është i njëjti gazetar që të sulmoi herën e fundit”. Presidenti ukrainas u shpreh se e mbante në mend, madje bëri shaka duke i thënë gazetarit në fjalë se “ti je në të njëjtin kostum, unë u ndërrova kurse ti jo”.

Zelensky ka shprehur gjithashtu mirënjohje ndaj SHBA-së dhe aleatëve evropianë për mbështetjen e vendit të tij, duke e falënderuar vazhdimisht Zonjën e Parë, Melania Trump, për letrën që ia ka dërguar Putinit lidhur me ndalimin e vrasjeve dhe rrëmbimit të fëmijëve gjatë luftës.

E në kuadër të takimit në Zyrën Ovale, JD Vance nuk bëri asnjë koment publik.

Hapat e ardhshëm në negociata kthehen te Putini

Trump, i cili në shumë raste gjatë fushatës këmbënguli se mund ta zgjidhte luftën në Ukrainë brenda “24 orëve”, ka thënë disa herë të hënën se situata ishte shumë më e ndërlikuar nga sa e kishte menduar ndonjëherë.

Megjithatë, ai ka sugjeruar — ndoshta në mënyrë të pamundur — se luftimet që kanë zgjatur për vite me radhë mund të përfundojnë së shpejti.

“Brenda një jave ose dy jave do të kuptojmë nëse do ta zgjidhim këtë, apo nëse kjo luftë e tmerrshme do të vazhdojë”, ka theksuar Trumpi, duke pretenduar po ashtu se çështjet që kanë mbetur për t’u sqaruar nuk janë “shumë të ndërlikuara”.

Sidoqoftë, shumë çështje mbeten të pazgjidhura, përfshirë vijat e kuqe që nuk përputhen — si për shembull, nëse Ukraina do t’i dorëzojë ndonjë territor Rusisë, si do të duket në të ardhmen ushtria ukrainase dhe nëse vendi do të përfitojë garanci të sigurisë që janë njëkohësisht të qëndrueshme dhe domethënëse.

Trumpi ka njoftuar se tashmë kishte filluar përgatitjet për takim ballë për ballë mes Putinit dhe Zelenskyt.

Por, këshilltari rus për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov, ka deklaruar vetëm se Putini dhe Trumpi patën telefonatë rreth 40-minutëshe dhe “folën në të mirë të vazhdimit të bisedimeve të drejtpërdrejta mes palëve”, ka raportuar agjencia shtetërore ruse “TASS”.

Jashtë Shtëpisë së Bardhë, Zelensky ka thënë se nuk ishte caktuar ende ndonjë datë për një takim të këtillë, porse SHBA-ja kishte sugjeruar që ai do të mbahej së shpejti.

“Por për këtë, duhet pëlqimi i të gjitha palëve”, ka thënë Zelensky. “Është një çështje që do ta lëmë vetëm mes meje dhe Putinit”.

Edhe pse shumë liderë evropianë janë kundër anashkalimit të kushtit të armëpushimt në rrugën drejt paqes së qëndrueshme, ata e kanë mbështetur takimin trepalësh midis Trumpit, Zelenskyt dhe Putinit.

Macroni ka sugjeruar se samiti i radhës mund të përfshijë tre presidentët dhe gjithashtu udhëheqësit kryesorë evropianë.

“Idetë për takim trepalësh janë shumë të rëndësishme, sepse kjo është mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë”, ka argumentuar presidenti francez.

Lexo përditësimet tjera
trump

Përparohet drejt takimit Zelensky-Putin, Evropa mirëpret garancinë e Trumpit