Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se "Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes".

Kjo fazë përfshin lirimin e pengjeve dhe tërheqjen e trupave izraelite sipas dakordimit. 

“Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë!
"Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Muslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Paparë”, ka shkruar Trump në X. 

Një zyrtar i Katarit ka thënë se marrëveshja do të "çojë në përfundimin e luftës, lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, si dhe hyrjen e ndihmave".

Hamasi i ka bërë thirrje Trumpit dhe shteteve garantuese që të sigurohen që Izraeli të zbatojë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, raporton CNN.

Palestinezët e rraskapitur e mirëpresin marrëveshjen e paqes mes shpresës dhe skepticizmit

Të rraskapitur prej muajsh të tërë bombardimesh brutale, disa palestinezë ishin skeptikë por të paduruar për të parë fazën e parë të planit të paqes së Trumpit të hynte në fuqi, vetëm disa orë pasi u njoftua marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit.

Paramediku Saeed Awad tha se fillimisht ishte skeptik në lidhje me mundësinë e një armëpushimi për shkak të përpjekjeve të mëparshme të dështuara për t'i dhënë fund luftës.

“Të gjitha përfunduan me dështim. Kështu që ne nuk i kushtuam vëmendje këtij raundi”, tha  ai.

Kur dëgjoi për herë të parë lajmin, tha Awad, iu desh të pyeste të tjerët, duke kërkuar konfirmim.

“Kemi qenë në këtë luftë dhe në këtë vuajtje për dy vjet”, tha Awad.

Alaa Abd Rabbo, i zhvendosur nga Gaza veriore në Deir al-Balah, tha se marrëveshja e armëpushimit është “një ditë lehtësimi e dërguar nga Zoti”.

Ai tha se është zhvendosur nga shtëpia e tij disa herë, në pjesë të ndryshme të Gazës.

“Jemi të lodhur. Jemi zhvendosur dhe kjo është dita që kemi pritur”, tha Abd Rabbo. “Duam të shkojmë në shtëpi, të merremi me punët tona, të kontrollojmë shtëpitë tona. Edhe pse nuk ka më shtëpi, ne prapë duam të shkojmë në shtëpi. Duam të punojmë. Kemi fjetur dhe kemi qëndruar në rrugë”.

Gazetarët në qytetin e Gazës festojnë marrëveshjen e paqes

Në Gazë, ku bombardimet ishin dëgjuar në orët e para të së enjtes para lajmit për marrëveshjen, disa gazetarë endeshin nëpër rrugët e errëta të qytetit, duke bërtitur me gëzim se “lufta ka mbaruar”, sipas një videoje që ata postuan në mediat sociale.

Gazetarët, duke qeshur dhe duke kërcyer, bërtitën se shumica e njerëzve që mbetën në qytet nuk kanë internet dhe duhej të zgjoheshin për të dëgjuar lajmin.

Në jug të Gazës, një grup të rinjsh ngritën një gazetar tjetër mbi supet e tyre ndërsa ai transmetonte lajmet në kanalin e tij, duke festuar armëpushimin.

 

Erdogani e falënderon Trumpin që tregoi gatishmëri për marrëveshjen Izrael-Hamas

3 j. më parë / 9 tet 2025 11:05
Trumpi i bën thirrje Erdoganit

Photo: Associated Press

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, vendi i të cilit luajti një rol në negociata, shprehu kënaqësinë për marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Hamasit dhe Izraelit.

Në një deklaratë të postuar në X, Erdogan falënderoi Trumpin për “demonstrimin e vullnetit të nevojshëm politik”, si dhe Katarin dhe Egjiptin për lehtësimin e marrëveshjes.

Erdogani tha se Turqia do të monitorojë nga afër zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe do të vazhdojë të kontribuojë në proces.

“U shpreh përshëndetjet e mia të përzemërta vëllezërve dhe motrave të mia palestinezë që kanë duruar vuajtje të papërshkrueshme për dy vjet”, tha presidenti turk.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se dërgimi i ndihmës humanitare në rajon është një përparësi dhe theksoi nevojën urgjente për të filluar rindërtimin e Gazës.

Liderët botërorë mirëpresin marrëveshjen drejt planit të paqes në Gazë

3 j. më parë / 9 tet 2025 10:38
Gaza

Photo: Associated Press

Liderët botërorë kanë mirëpritur marrëveshjen për fazën e parë të planit të presidentit amerikan për Gazën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen për “dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare në Gazë”, dhe se kur të është koha edhe për rindërtimin.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është shprehur se Franca është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes mbi shtetit palestinez.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se është moment lehtësimi që do të ndihet në të gjithë botën, teksa bëri thirrje për zbatim të plotë nga palët.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbushin angazhimet që kanë marrë, t’i japin fund luftës dhe të ndërtojnë themelet për një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm të konfliktit dhe një rrugë të qëndrueshme drejt paqes afatgjatë”, ka thënë ai.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e quajti marrëveshjen “lajm të jashtëzakonshëm” duke theksuar se mundësia për t’i dhënë fund konfliktit duhet të kapet menjëherë. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, shtoi se Italia është e gatshëm të dërgojë trupa nëse nevojiten forca paqeruajtëse.

Kryeministri holandez, Dick Schoof, shkroi se marrëveshja “duhet të jetë një hap drejt paqes së qëndrueshme”.

Australia gjithashtu e mirëpriti atë.

“Australia mbështet fuqishëm angazhimin e planit për t’ia njohur Hamasit çdo rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës. Së bashku me partnerët tanë, Australia do të vazhdojë të kontribuojë për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme me dy shtete”, ka thënë kryeministri Anthony Albanese.

Zyra kanadeze që merret me marrëdhëniet diplomatike të vendit, “Global Affairs Canada”, ka shkruar se Kanadaja e mirëpret marrëveshjen po ashtu.

“Kanadaja do të mbështesë çdo përpjekje për ta kthyer këtë hap pozitiv në paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezë”, shkroi ajo zyrë.

E, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje që të respektohen kushtet e marrëveshjes.

“Kombet e Bashkuara do të mbështesin zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe do të rrisin dërgimin e ndihmave humanitare të qëndrueshme e me parime, si dhe do të avancojnë përpjekjet për rimëkëmbje dhe rindërtim në Gazë”.

“U bëj thirrje të gjithë aktorëve të përfitojnë nga kjo mundësi historike për të vendosur një rrugë të besueshme politike drejt përfundimit të okupimit, njohjes të së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje dhe arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete që u mundëson izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe dhe siguri”, tha më tej Guterres.