Lideri holandez i partisë D66, Rob Jetten (38 vjeç), ndryshoi dukshëm imazhin e tij gjatë fushatës elektorale – nga ministër i klimës në një politikan optimist dhe karizmatik.
Ai tani është në rrugë për t’u bërë kryeministri më i ri dhe i pari homoseksual në historinë e Holandës, pasi partia e tij arriti rezultat të mirë në zgjedhjet e së mërkurës.
Falë një fushate të kuruar mirë dhe një buxheti më të madh për reklama, Jetteni ka arritur ta zgjerojë ndikimin e partisë së tij, e cila tradicionalisht fokusohet në liberalizëm shoqëror, ndryshimet klimatike dhe arsimin. Këtë herë, ai hyri në debate edhe për ndarjet shoqërore, emigracionin dhe krizën e banesave, duke fituar mbështetje edhe nga votues që më parë anonin nga e djathta.
Jetten ka akuzuar liderin e ekstremit të djathtë Geert Wilders se ka “rrëmbyer” identitetin holandez dhe e ka kritikuar ashpër për, siç thotë ai, “mbrojtjen e të drejtave të grave dhe personave LGBTQ vetëm për t’i paraqitur myslimanët në dritë negative”.
Meqë partia e tij duket se ka fituar më shumë vota, Jetten pritet të jetë i pari që do të përpiqet të formojë koalicionin e ri qeveritar, në të cilin do t’i takojë postin e kryeministrit.
“Rob është pa dyshim një nga politikanët më të talentuar që ka pasur ndonjëherë Holanda”, ka thënë Kajsa Ollongren, anëtare e D66 dhe ish-ministre e Mbrojtjes në qeverinë ku Jetten shërbeu.
Nëse arrin të formojë qeverinë, Jetteni do të bëhet kryeministri i parë homoseksual në Holandë, ndonëse orientimi i tij seksual nuk ka luajtur rol të madh në fushatë. Holanda është e njohur për mbrojtjen e fortë të të drejtave LGBTQ, dhe pikërisht në kohën kur D66 ishte në qeveri, vendi u bë i pari në botë që legalizoi martesat e së njëjtës gjini, 25 vjet më parë.
Në jetën private, Jetten është i fejuar me lojtarin argjentinas të hokejit, Nicolas Keenan, me të cilin planifikon të martohet në gusht të vitit të ardhshëm.
Në politikë, Jetten ka propozuar masa për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të dekurajuar udhëtimet e rrezikshme të migrantëve, duke sugjeruar që aplikimet për azil në Holandë të bëhen jashtë territorit të Bashkimit Evropian, ndërkohë që rriten investimet në programet e integrimit.
Për të adresuar krizën e banesave, një nga shqetësimet më të mëdha të votuesve, Jetten ka propozuar ndërtimin e dhjetë qyteteve të reja, me qeverinë që do të ndajë 2 miliardë euro në vit.