Sipas rezultateve preliminare në Holandë, partia liberale D66 ka mbetur në vendin e parë për nga numri i votave të fituara dhe ndan të njëjtën përqindje votash me partinë e djathtë për Liri (PVV).
Me 97.7 për qind të votave të numëruara, dy partitë që kanë fituar më shumë vota në zgjedhjet kombëtare kanë secila nga 26 ulëse. Të mërkurën në mbrëmje, diferenca në vota ishte vetëm 2,300, në favor të D66.
Për më tepër, 20 për qind e votave të numëruara nga Amsterdami ende nuk janë mbledhur deri të premten, çka mund të sjellë mijëra vota shtesë për D66.
Përveç kësaj, Shërbimi Zgjedhor pritet të marrë rezultatet nga votuesit në ishujt BES (Bonaire, Sint Eustatius dhe Saba) dhe nga votuesit me postë jashtë vendit në ditët në vijim. Tradicionalisht, PVV-ja, që udhëhiqet nga Geert Wilders, nuk qëndron mirë në këto zona, ndërsa D66, me kryetar 38-vjeçarin Rob Jetten, po. Këtu përfshihen dhjetëra mijëra vota.
Sa i përket partive të tjera, Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) fitoi 14.2 për qind të votave, që është një rënie prej një për qind.
Koalicioni i të Gjelbërve dhe Partisë së Punëtorëve përfundoi në vendin e katërt me 12.6 për qind, gjithashtu rënie prej 3.1 për qind.
Partia që, bashkë me D66, ka përfituar më shumë në këto zgjedhje është CDA (Thirrja Demokratike Kristiane), e cila mori rreth 11.8 për qind të votave, një rritje prej 8.5 për qind.
Partia e djathtë JA21 gjithashtu shënoi rritje prej pesë për qind dhe u rendit në vendin e gjashtë me gjashtë për qind të votave.
Në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës morën pjesë pak më shumë qytetarë sesa në zgjedhjet e vitit 2023. Fillimisht u duk se pjesëmarrja do të ishte pak më e ulët, por të dhënat më të fundit të enjten në mëngjes treguan pjesëmarrje prej 78.4 për qind. Kjo është pak më shumë se herën e kaluar, kur votuan 77.8 për qind e votuesve me të drejtë vote.
Në zgjedhjet e 2023, Holanda u trondit kur Wilders, që njihet si politikan anti-imigracion dhe anti-BE, fitoi. Por secila parti refuzoi bashkëpunimin me të. Ai nuk u bë kryeministër, po lidhi koalicion me tri parti të tjera dhe hoqi dorë nga kërkesat ekstreme, si ndalimi i xhamive dhe ndalimi total i imigrimit. Por qeveria nuk pati jetëgjatësi.
Parlamenti i Holandës ka 150 ulëse. Për formimin e qeverisë, duhen 76 vota për.
Kush është Rob Jetten, njeriu që pritet të bëhet kryeministri i parë homoseksual i Holandës
Lideri holandez i partisë D66, Rob Jetten (38 vjeç), ndryshoi dukshëm imazhin e tij gjatë fushatës elektorale – nga ministër i klimës në një politikan optimist dhe karizmatik.
Ai tani është në rrugë për t’u bërë kryeministri më i ri dhe i pari homoseksual në historinë e Holandës, pasi partia e tij arriti rezultat të mirë në zgjedhjet e së mërkurës.
Falë një fushate të kuruar mirë dhe një buxheti më të madh për reklama, Jetteni ka arritur ta zgjerojë ndikimin e partisë së tij, e cila tradicionalisht fokusohet në liberalizëm shoqëror, ndryshimet klimatike dhe arsimin. Këtë herë, ai hyri në debate edhe për ndarjet shoqërore, emigracionin dhe krizën e banesave, duke fituar mbështetje edhe nga votues që më parë anonin nga e djathta.
Jetten ka akuzuar liderin e ekstremit të djathtë Geert Wilders se ka “rrëmbyer” identitetin holandez dhe e ka kritikuar ashpër për, siç thotë ai, “mbrojtjen e të drejtave të grave dhe personave LGBTQ vetëm për t’i paraqitur myslimanët në dritë negative”.
Meqë partia e tij duket se ka fituar më shumë vota, Jetten pritet të jetë i pari që do të përpiqet të formojë koalicionin e ri qeveritar, në të cilin do t’i takojë postin e kryeministrit.
“Rob është pa dyshim një nga politikanët më të talentuar që ka pasur ndonjëherë Holanda”, ka thënë Kajsa Ollongren, anëtare e D66 dhe ish-ministre e Mbrojtjes në qeverinë ku Jetten shërbeu.
Nëse arrin të formojë qeverinë, Jetteni do të bëhet kryeministri i parë homoseksual në Holandë, ndonëse orientimi i tij seksual nuk ka luajtur rol të madh në fushatë. Holanda është e njohur për mbrojtjen e fortë të të drejtave LGBTQ, dhe pikërisht në kohën kur D66 ishte në qeveri, vendi u bë i pari në botë që legalizoi martesat e së njëjtës gjini, 25 vjet më parë.
Në jetën private, Jetten është i fejuar me lojtarin argjentinas të hokejit, Nicolas Keenan, me të cilin planifikon të martohet në gusht të vitit të ardhshëm.
Në politikë, Jetten ka propozuar masa për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të dekurajuar udhëtimet e rrezikshme të migrantëve, duke sugjeruar që aplikimet për azil në Holandë të bëhen jashtë territorit të Bashkimit Evropian, ndërkohë që rriten investimet në programet e integrimit.
Për të adresuar krizën e banesave, një nga shqetësimet më të mëdha të votuesve, Jetten ka propozuar ndërtimin e dhjetë qyteteve të reja, me qeverinë që do të ndajë 2 miliardë euro në vit.