Kremlini ka thënë të mërkurën se planet e presidentit amerikan, Donald Trump për sistemin raketor hapësinor “Kupola e Artë” mund të detyrojnë rifillimin në të ardhmen të kontakteve midis Moskës dhe Uashington për kontrollin e armëve bërthamore.
I pyetur në lidhje me njoftimin e Trumpit se ai kishte zgjedhur një dizajn për mburojën e mbrojtjes raketore “Kupola e Artë” në vlerë prej 175 miliardë dollarësh, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ka thënë se kjo është një çështje sovrane për Shtetet e Bashkuara.
E ashtuquajtura "Kupola e Artë ", e frymëzuar nga mburoja mbrojtëse e Izraelit “Kupola e Hekurt”, është një projekt ambicioz që synon të bllokojë kërcënimet nga Kina dhe Rusia, të cilat SHBA-ja i sheh si dy konkurrentët e saj më të mëdhenj gjeopolitikë.
Peskov, i pyetur nëse Rusia e sheh projektin si një kërcënim për barazinë bërthamore të Rusisë me Shtetet e Bashkuara, ka thënë se nuk kishte asnjë detaj në lidhje me projektin e SHBA-së.
"Në të ardhmen e parashikueshme, vetë rrjedha e ngjarjeve kërkon rifillimin e kontakteve për çështjet e stabilitetit strategjik”, është shprehur Peskov.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, deri tani fuqitë më të mëdha bërthamore, kanë shprehur keqardhje për shpërbërjen e traktateve të kontrollit të armëve, të cilat synonin të ngadalësonin garën e armëve dhe të zvogëlonin rrezikun e luftës bërthamore.
Shtetet e Bashkuara fajësojnë Rusinë për rënien e marrëveshjeve të tilla si Traktati i Raketave Anti-Balistike të vitit 1972 dhe Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) i vitit 1987.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr zyrtarisht nga Traktati INF në vitin 2019, duke përmendur shkeljet ruse të cilat Moska i kishte mohuar.