Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë të martën se vendi i tij s’e ka ndërmend që ta braktisë programin bërthamor, përfshirë pasurimin e uraniumit, përkundër dëmit të madh që iu shkaktua impianteve si rezultat i sulmeve amerikane në muajin qershor, ka shkruar Reuters.
Në një intervistë për transmetuesin amerikan, Fox News, Aragchi ka deklaruar se aktualisht procesi i pasurimit të uraniumit është ndalur, për shkak se “dëmet janë serioze dhe të rënda”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Por, natyrisht që ne nuk mund të heqim dorë nga pasurimi, sepse është arritje e shkencëtarëve tanë”, ka theksuar ai, tek e ka konsideruar procesin në tërësi si “krenari kombëtare”.
Sipas tij, çdo marrëveshje bërthamore që mund të arrihet, s’duhet ta kontestojë të drejtën e patjetërsueshme të Iranit për të pasuruar uraniumin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin bombarduar tri impiante bërthamore në Iran më 22 qershor, për ta përkrahur fushatën ushtarake të Izraelit.
Ushtria amerikane e kishte shënjestruar po ashtu edhe qendrën kryesore për pasurim të uraniumit, Fordow, e cila ndodhet në jug të Teheranit.
Që prej atëherë, presidenti Donald Trump ka përsëritur disa herë se sulmet ishin aq të suksesshme saqë kanë rezultuar në “shkatërrimin e plotë” të tri bazave bërthamore, pavarësisht disa raporteve kundërthënëse të inteligjencës.