Botë

Kremlini: Trumpi do të hynte në historinë botërore nëse do të merrte Grenlandën

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Kremlini ka thënë të hënën se është e vështirë të mos pajtohesh me ekspertët që thonë se presidenti amerikan, Donald Trump, do të hynte në histori të Shteteve të Bashkuara dhe të botës, nëse do të merrte kontrollin e Grenlandës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk po diskutonte nëse një hap i tillë do të ishte i mirë apo i keq, por thjesht po konstatonte një fakt.

Trumpi ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk do të pranojë asgjë më pak se pronësinë e Grenlandës, një territor autonom i Danimarkës. Ai ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara nuk marrin kontrollin e Grenlandës, atëherë këtë do ta bëjnë Rusia ose Kina.

I pyetur të komentojë deklaratat e Trumpit për kërcënimin e supozuar rus, Peskov ka thënë se kohët e fundit ka pasur shumë “informacione shqetësuese”, por se Kremlini nuk do të komentojë mbi planet e supozuara ruse për Grenlandën.

“Këtu, ndoshta, është e mundur të abstrahohemi nga pyetja nëse kjo është e mirë apo e keqe, nëse do të përputhej apo jo me parametrat e së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Peskov.

“Ka ekspertë ndërkombëtarë që besojnë se, duke zgjidhur çështjen e përfshirjes së Grenlandës, Trumpi me siguri do të hyjë në histori. Dhe jo vetëm në historinë e Shteteve të Bashkuara, por edhe në historinë botërore”, ka shtuar ai.

Udhëheqësit si të Danimarkës ashtu edhe të Grenlandës kanë këmbëngulur se ishulli nuk është në shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë javën e kaluar se është e papranueshme që Perëndimi të vazhdojë të pretendojë se Rusia dhe Kina kërcënojnë Grenlandën, duke shtuar se kriza rreth territorit tregon standardet e dyfishta të fuqive perëndimore, të cilat pretendojnë epërsi morale.