Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka kritikuar kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me rritjen e tarifave ndaj mallrave indiane për shkak të blerjes së naftës ruse nga India, tek e ka përshkruar vendimin si “të jashtëligjshëm” dhe të “papranueshëm”, ka raportuar AFP.
“Ne dëgjojmë shumë deklarata që në fakt janë kërcënime, përpjekje për të detyruar vende të ndërpresin marrëdhëniet tregtare me Rusinë. Ne nuk i konsiderojmë këto deklarata si të ligjshme”, ka thënë Peskov para gazetarëve.
“Besojmë se vendet sovrane duhet të kenë dhe kanë të drejtë të zgjedhin partnerët e tyre tregtarë, partnerët për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik, dhe të zgjedhin vetë format e bashkëpunimit ekonomik që janë në interes të një vendi të caktuar”, ka shtuar ai.
E më herët gjatë ditës, Trumpi e ka akuzuar lidershipin indian se “atyre s’ju intereson fare se sa njerëz po vdesin në Ukrainë nga makineria ruse e luftës”, si dhe ka pretenduar se nafta e njëjtë po shitet nga India “për të siguruar fitime më të mëdha në tregun e hapur”.
New Delhi zyrtar e ka cilësuar këtë veprim si të pajustifikueshëm dhe është zotuar se do të mbrojë interesat e veta ekonomike.
Dy burime qeveritare indiane kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia, pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan.