Botë

Kremlini i quan të paligjshme sanksionet e fundit të BE-së ndaj Rusisë

Dmitry Peskov

Foto: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se pakoja e fundit e sanksioneve ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian (BE) është pjesë e qëndrimit anti-rus të këtij blloku.

Gjatë një bisede me gazetarët, ai shtoi se Rusia i konsideron të paligjshme këto kufizime siç i ka quajtur, të njëanshme.

Më herët gjatë ditës, BE-ja miratoi një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, raporton AP 

Ato përfshijnë: një kufi më të ulët të çmimit të naftës, ndalim të marrëveshjeve me tubacionet Nord Stream dhe masa kundër disa anijeve që përdoren për transport të naftës nga Rusia për t’i anashkaluar sanksionet.

“Në të njëjtën kohë, ne kemi fituar njëfarë imuniteti ndaj sanksioneve. Jemi përshtatur me jetën nën sanksione”, tha Peskov.

“Duhet të analizojmë këtë paketë të re për t’i zvogëluar pasojat e saj negative”, shtoi ai.

Peskov gjithashtu theksoi se çdo paketë e re ka ndikim negativ edhe për vendet që i zbatojnë këto sanksione. 

27 vendet anëtare të BE-së vendosën që çmimi për një fuçi naftë ruse të jetë nën 47.6 dollarë, më pak se kufiri i mëparshëm prej 60 dollarësh.

Të ardhurat nga nafta janë pjesa më e rëndësishme e ekonomisë ruse. 

Gjithashtu, është vendosur një ndalim i ri për importet ruse, duke u mbyllur kështu një boshllëk që i lejonte Rusisë të eksportonte naftë në mënyrë të tërthortë përmes disa vendeve jo-anëtare të BE-së.