Botë

Kremlini: Duhet kohë për ta qartësuar se çfarë armë po dërgojnë amerikanët në Ukrainë

Kremlin

Foto: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se Rusisë i duhet ende kohë për të qartësuar se çfarë lloji të armatimit po dërgohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ukrainë, disa orë pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, ka shkruar Reuters.

Trumpi ka thënë të hënën se SHBA-ja do t’i dërgojë më shumë armë Ukrainës, kryesisht mbrojtëse, për ta ndihmuar vendin e dërrmuar nga lufta që ta mbrojë veten nga sulmet e intensifikuara të Rusisë.

I pyetur në lidhje me komentet e Trumpit, Peskov është shprehur se ka shumë deklarime kontradiktore sa u përket dërgesa të armatimit amerikan, porse sipas tij, është e qartë se furnizimet e armatimit nga vendet e Evropës po vazhdojnë.

“Është e qartë se furnizimet po vazhdojnë, kjo është e qartë. Natyrisht se evropianët janë aktivisht të përfshirë në furnizimin e Ukrainës me armatim të plotë”, ka deklaruar Peskov. “E kur bie theksi te çfarë lloji i armëve dhe deri në çfarë sasie po i pranon Ukraina furnizimet nga Shtetet e Bashkuara, na duhet ende kohë për ta qartësuar këtë çështje tërësisht”.

Forcat ruse, të cilat po avancojnë nëpër pika të ndryshme të frontit, aktualisht kontrollojnë më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të gjithë rajonin e Luhanskut, si dhe pjesë të disa rajoneve të tjera lindore.

Peskov ka theksuar se Kremlini i vlerëson përpjekjet e Trumpit për të lehtësuar negociatat e drejtpërdrejta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, si dhe ka shtuar se ekziston potencial i hatashëm për të normalizuar raportet tregtare dhe ekonomike mes SHBA-së e Rusisë.

“Për momentin, Shtetet e Bashkuara po zbatojnë disa kufizime. Besojmë se këto sanksione janë të jashtëligjshme, dhe se ato nuk i dëmtojnë vetëm ndërmarrësit tanë, por gjithashtu edhe ndërmarrësit amerikanë”, ka shtuar ai.