Botë

Kolonët izraelitë vazhdojnë sulmet ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

bregu perendimor

Disa palestinezë raportohet se janë plagosur gjatë një sulmi brenda natës nga kolonët izraelitë në fshatin Susya në jug të Bregut Perëndimor, ka shkruar The Times of Israel. 

Bazuar në raportime, një burrë dhe gruaja e tij janë plagosur në këtë sulm dhe janë dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Në një incident të ndarë, kolonët izraelitë raportohet se kanë sulmuar edhe fshatin Atara, po ashtu në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku i kanë djegur disa automjete në pronësi të palestinezëve.

Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për të plagosur apo të arrestuar.

Sulmet kanë ndodhur si rrjedhojë e valës së përgjithshme të dhunës në Bregun Perëndimor, ku që nga 7 tetori i vitit 2023 pretendohet se mbi 1,000 palestinezë janë vrarë nga kolonët dhe ushtarët izraelitë.

Dënimi për kolonët që kryejnë akte dhune ndaj palestinezëve është jashtëzakonisht i rrallë, veçanërisht nën Qeverinë aktuale të Izraelit, e cila përbëhet nga partitë e së djathtës ekstreme.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka deklaruar të mërkurën se rreth 3,400 njësi të reja banimi do të ndërtohen në territorin kyç të pushtuar nga Izraeli, duke e varrosur në mënyrë efektive “idenë e një shteti palestinez”.

I ashtuquajturi plani “E1” do të zgjerojë vendbanimin hebraik ekzistues Ma’ale Adumim drejt Jerusalemit, duke e shkëputur më tutje Jerusalemin Lindor të pushtuar nga pjesa tjetër e Bregut Perëndimor, dhe duke e ndarë edhe më shumë veriun nga jugu i territorit. 

VIDEO:

 

 

Plani ende kërkon miratim zyrtar, porse pritet të kalojë pengesën përfundimtare procedurale, pavarësisht kundërshtimit të madh ndërkombëtar.

Ky njoftim është bërë pasi disa nga aleatët perëndimorë të Izraelit – si Australia, Britania, Kanadaja dhe Franca – janë zotuar se do ta njohin së shpejti shtetin palestinez, në rrethana të caktuara, për shkak të krizës humanitare që Izraeli e ka shkaktuar në Rripin e Gazës.

“Ky plan e varros idenë e një shteti palestinez”, ka thënë Smotrich para gazetarëve të enjten. “Kushdo në botë që sot përpiqet të njohë një shtet palestinez, do të marrë përgjigje nga ne në terren. Jo me dokumente, jo me vendime apo deklarata – por me fakte”.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich duke prezantuar planin E1