Gupet mjedisore kanë ngritur alarmin pasi kanë gjetur “kokteje pesticidesh” toksike në mollët që shiten në të gjithë Evropën.
“Pan Europe”, një koalicion OJQ-sh që bën fushatë kundër përdorimit të pesticideve, ka analizuar rreth 60 lloje mollash të blera në 13 vende europiane, përfshirë Francën, Spanjën, Italinë dhe Poloninë, për mbetje kimike.
Sipas organizatave, 85% e mostrave përmbanin disa mbetje pesticidesh, ndërsa në disa mollë u gjetën gjurmë të deri shtatë kimikateve të ndryshme.
“Pan Europe” ka këshilluar konsumatorët të blejnë mollë organike ose t’i qërojnë mollët e kultivuara në mënyrë konvencionale, para se t’i konsumojnë.
Në 71% të rasteve, “Pan Europe” ka zbuluar pesticide të klasifikuara ndër më të rrezikshmet në BE, të cilat blloku synon t’i heqë gradualisht sa më shpejt të jetë e mundur.
Analiza ka treguar gjithashtu se 64% e mostrave përmbanin edhe kemikate polifluoroalkilike, të njohura si PFAS ose “kimikate të përhershme”, të cilat gjenden gjerësisht në mjedis dhe në produktet e përditshme.
Mbetjet e pesticideve lejohen në BE nën disa nivele maksimale të caktuara. Megjithatë, “Pan Europe” ka paralajmëruar për “efektin e koktejit”, kur konsumatorët ekspozohen njëkohësisht ndaj disa pesticideve në një produkt të vetëm.
Martin Dermine, një zyrtar i lartë i koalicionit, ka kritikuar Autoritetin Europian për Sigurinë Ushqimore për vlerësimin e pesticideve një e nga një, dhe jo të rrezikut nga “ekspozimi i shumëfishtë” ndaj disa substancave.
“Në këtë raport tregojmë se 85% e mollëve kanë mbetje të shumta dhe nuk e dimë nëse janë të sigurta për konsum apo jo”, ka thënë ai, duke përmendur lidhje të mundshme me kancerin dhe infertilitetin.
Nëse të njëjtat mollë do të shiteshin si ushqim i përpunuar për foshnje, 93% e mostrave do të ndaloheshin, sipas “Pan Europe”, pasi mbetjet e pesticideve tejkalojnë kufijtë më të rreptë të vendosur për fëmijët nën tre vjeç.
Rregullat e BE-së janë më të ashpra për ushqimet për foshnje për të mbrojtur zhvillimin e hershëm.
Mollët renditen ndër frutat më të preferuara të evropianëve dhe janë fruti më i kultivuar në BE, veçanërisht në Poloni, Itali dhe Francë.
Ato janë gjithashtu ndër frutat që trajtohen më shumë me pesticide, të përdorura kryesisht për të luftuar sëmundjen e zgjebes së mollës, kërcënimi kryesor kërpudhor për to.
Më shumë se gjysma e trajtimeve të shumta vjetore që i bëhen frutit, mesatarisht rreth 35, synojnë këtë sëmundje.