Botë

Kokainë, korrupsion dhe ryshfet, porti gjerman i rrethuar nga bandat e drogës

Porti i Hamburgut

Porti i Hamburgut është shndërruar në një qendër kyç të trafikut të kokainës në Evropë, me kapje rekorde dhe ndikim të thellë kriminal. Rrjetet e drogës kanë depërtuar në polici, drejtësi dhe infrastrukturë, duke ekspozuar korrupsionin institucional. Fitimet marramendëse nga kokaina po nxisin dhunë, frikë dhe ryshfet në një shtet që dikur perceptohej si i paprekshëm. Ekspertët paralajmërojnë se vetëm ndjekja e kriminelëve nuk mjafton – duhet hetuar edhe rrjeti i lehtësuesve

Në diellin e pranverës në Hamburg anijet transportuese 200.000 tonësh pothuajse 800 metra të gjata, të ngarkuara njëjtë me kontejnerë transportues, ankorohen përgjatë lumit Elba. Kranet i shkarkojnë kontejnerët e mëdhenj metalikë të ngarkuara me gjithçka nga materialet e papërpunuara deri në ushqim dhe elektronikë. Në disa raste në kontejnerë të tillë gjendet edhe kokainë.

Në mes të 2018-s dhe 2023-s janë rritur kapjet e kokainës për 750%, duke bërë Gjermaninë si një tjetër qendër e madhe evropiane në tregtinë globale gjithmonë në rritje. Por fluksi nuk është duke e rritur vetëm varësinë, po ashtu po e nxit korrupsionin në një vend që perceptohet si një nga më pak të korruptuarit në botë. 

“Ne jemi duke përjetuar një infiltrim në infrastrukturën e portit në Hamburg, duke i paguar ryshfet oficerët e policisë në këmbim për informata dhe së voni një prokuror i përgjithshëm që po pret gjykimin për dyshimin mbi dhënien e informatave një rrjeti të trafikimit të kokainës”, ka deklaruar

Daniel Brombacher, i cili udhëheq Byronë në Evropë në Nismën Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional. 

Në vitin 2021 policia ka njoftuar kapjen më të madhe të kokainës në një port në Evropë. 16 tonë të kokainës të cilësisë së lartë të fshehur në 17.00 kënaçe që vinin nga Paraguai për në Hamburg.

Prokurori kryesor publik në atë rast doli në gjykatë javën e kaluar si i akuzuar se ishte në listën e pagave të së njëjtës bandë që supozohej se po ndiqte penalisht.

I dyshuari, me emrin Yashar G, është akuzuar se i ka dhënë bandës detaje të hetimit dhe i ka paralajmëruar për arrestimin e tyre në këmbim për 5.000 euro në muaj. Ai ishte arrestuar në tetor nga policia që monitoronte komunikimet e koduara të bandës. Kur policia bastisi rrjetin pak pas kapjes së kokainës në Hamburg, caqet kyç vetëm se kishin ikur për në Dubai. Yashar G po akuzohet se ka ndarë informacione të ndjeshme për banda të tjera të drogës. Ai i mohon të gjitha akuzat kundër tij. 

Prodhimi i kokainës në Kolumbi dhe konsumimi në Evropën Perëndimore janë duke u rritur në nivele rekord. Po ashtu janë duke u rritur edhe paratë e fituara nga rrjetet e organizuara kriminale evropiane që shpërndajnë produktin. Një kilogram kokainë arrin vlerën 2.000 dollarë në Kolumbi, por sa arrin në Evropë vlera rritet në mesatare prej rreth 40.000 dollarë. Përfitimet nga ky fitimin i madh nuk shpenzohen vetëm në vetura luksoze dhe vila, por ato përdoren edhe për të lehtësuar rrugën për furnizimet e reja derisa bandat zgjerojnë rrjetet e tyre në vendet e tjera duke përfshirë Holandën, Belgjikën, Suedinë dhe Gjermaninë.

Porti i Hamburgut ndër më të synuarit nga bandat e drogës

Hamburgu, porti i tretë më i madh i Bashkimit Evropian, është një nga portet më të synuara nga bandat e drogës, sipas Europolit. Informatorët të brendshëm të njohur si Hafeninnentäter (duke përfshirë punëtorët e portit dhe të transportit, rojat e sigurisë dhe shoferët e kamionëve) lëvizin drogën në mënyrë të pavërejtur. Dy punëtorë të portit në Hamburg këtë muaj janë burgosur për ndihmën e transportimit të 480 kilogramëve nga Ekuadori dhe mundësimin e një sulmi fizik ndaj një kolegu që kërcënoi komplotin. 

Policia ka filluar një fushatë publike për t’i ndihmuar punëtorët e portit t’i refuzojnë bandat e drogës që tentojnë t’i rekrutojnë ata. Por forcat e sigurisë së portit të Hamburgut ndihen aq të kërcënuara sa vitin e kaluar kanë kërkuar mitraloza. Në një incident policia belge e ka njoftuar policinë e portit të Hamburgut se një bandë franceze e drogës ishte duke planifikuar një sulm për ta rimarrë kokainën e kapur. 

Ndërkohë fitimet e kokainës shpërndahen në rrugët e Hamburgut. 

“Karl”, një ish-rojtar në lagjen me drita të kuqe të qytetit, tha se paratë nga kokaina janë bërë shumë të vërejtshme në pesë vjetët e fundit. 

“Çdo fundjavë mund të shohësh shumë e më shumë burra në Ferrari, Lamborghini dhe SUV me vlerë mbi 150,000 euro. Këto nuk janë para të fituara nga prostitucioni, mashtrimet apo kanabisi. Këto janë para kokaine”, ka deklaruar ai. 

Një seri e rasteve në Gjermani po ashtu kanë rritur dyshimet për korrupsion brenda radhëve të policisë. Një oficer policie në shtetin jugperëndimor të Baden-Württemberg u arrestua këtë muaj nën dyshimin për marrjen e pagesave nga mafia italiane ‘Ndrangheta, një oficer i lartë i policisë në Hannover dyshohet se ka marrë ryshfet nga një rrjet i trafikimit të narkotikëve dhe ishte arrestuar në janar, një oficer i njësitit anti-drogë ishte arrestuar afër Frankfurtit në nëntor nën akuzat për “ndihmë dhe inkurajim” të shitësve të drogës dhe një oficer i policisë ishte arrestuar në Bonn në gusht nën akuzuat për ndarjen e një informacioni të klasifikuar me anëtarë të mafisë holandeze-marokene, lojtarë të mëdhenj në tregtinë e drogës në Evropë. 

“Këto rritje të përfitime nga kokaina që kemi përjetuar në Gjermani dhe BE gjatë dekadës së fundit ka quar në fluks të paparë të parave të gatshme në krimin e organizuar. Grupet e krimit të organizuar kurrë nuk kanë pasur më shumë kapital sipërmarrës në dispozicion, dhe po ashtu kurrë më parë nuk ka pasur nxitje më të fortë për të investuar në ryshfet për tu siguruar që biznesi të vazhdojë të ecë përpara” ka deklaruar Brombacher. 

Autoriteti i Portit të Hamburgut ka deklaruar se çështjet të lidhura me sigurinë e portit janë trajtuar nga policia e Hamburgut. Në një deklaratë, një zyrtar i policë tha se “grupet e krimit të organizuar ndërkombëtar shpesh janë duke rekrutuar punëtorë të industrisë së portit me qëllim që të mbështesin kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut për në Gjermani dhe Evropë përmes portit të Hamburgut. Këta të ashtuquajturit ‘shkelës të brendshëm të portit’ janë duke luajtur një rol kyç në këtë lloj të importimit ilegal të drogës”.

Zyrtari tha se policia, bashkë me doganën, autoritetin e portit dhe sektorin privat, janë duke “bërë përpjekje të mëdha për ta luftuar këtë problem”. 

“Deri tani, çështjet e oficerëve të policisë që janë korruptuar nuk janë provuar në Hamburg në këtë kontekst”, tha zyrtari policor.

Thirrja për hetim të shkallës së korrupsionit

Ekspertët e krimit të organizuar kanë paralajmëruar se natyra e vërtetë e korrupsionit të ardhur nga rrjetet e trafikimit të drogës mbetet e fshehur.

“Gjermania e ka gjetur të vështirë ta pranojë problemin e saj me krimin e organizuar dhe akoma sot e mohon atë. Fluksi i papritur i kokainës vetëm sa ka filluar ta bëjë problemin të vërejtshëm”, ka deklaruar Zora Hauser, një kriminologe në Universitetin e Cambridge, libri i së cilës, Mafia Expansion, rreth rritjes së ‘Ndranghetas në Gjermani ishte publikuar këtë muaj. 

“Është stuhia perfekte: një kombinim i policimit të fragmentuar dhe mbrojtja e madhe e të dhënave e kanë bërë Gjermaninë një parajsë për operacionet kriminale”, ka shtuar ajo.

Aseti kryesor i krimit të organizuar është kokaina. Por autoritetet po mposhten pa shpresë. Pavarësisht të gjithë punës nga forcat e sundimit të ligjit që synonin ndalimin e tregtimit të kokainës në Evropë, furnizimi është i bollshëm dhe ndryshe nga shumica e produkteve, kushton njëjtë sikur 10 vjet më parë. Kur holandezët shpenzuan 524 milionë euro në rritjen e sigurisë në porte në përgjigje të valëve të ekzekutimeve të bandave të lidhura me tregtinë e kokainës, bandat vetëm e zëvendësuan me porte në Francë, Spanjë, Portugali, Skandinavi dhe në vendet baltike. 

Kapjet e kokainës në Hamburg kanë rënë në vitin 2024, por droga akoma është duke arritur me bollëk: në anije të vogla në portet më të vogla në veri të Gjermanisë apo përmes “kontrabandës parazit”, ku kokaina lidhet jashtë anijeve transportuese dhe merret nga zhytës në portin e destinuar. 

Por vetëm kapja e banditëve nuk është e mjaftueshme, paralajmërojnë krimologët dhe kërkimi për korrupsion duhet të shkojë më thellë. 

“Trafikimi i kokainës dhe pastrimi i parave të lidhura me të në Gjermani mund të funksionojnë vetëm gjerësisht përmes korruptimit të zyrtarëve publikë dhe lehtësueseve të tjerë. Por fokusi i hetuesve është vetëm me kriminelët brenda rrjetit të tyre”, ka deklaruar Robin Hofmann, një specialist në krimin e organizuar në Universitetin e Maastrichit. 

Në vend të saj, Hofmann tha se siç është bërë në Holandë, kërkimet për infiltrimin e parave të kokainës duhet të zgjerohen më shumë “te lehtësuesit, avokatët, politikanët lokalë dhe këshilltarët financiarë që mundësuan krimin e organizuar dhe përfitimin nga ajo”.